Tianjin-i dhe Dalian-i, zhvillim me teknologji të reja

2018-11-20 16:17:26 CRI Komenti juaj Printoni

Tianjin-i dhe Dalian-i janë dy qytete të mëdha të Kinës Veriore. Gjatë 40 vjetëve të Reformës dhe Hapjes, këto dy qytete kanë pasur një zhvillim të dukshëm dhe tani në epokën e re, me nxitjen e qeverisë qendrore dhe të pushtetit vendor, këto dy qytete po përpiqen për zhvillime të reja të bazuara në teknologjitë e reja dhe të larta.

Zona e Re "Binhai" në Tianjin është një zonë pilot për reformën komplekse kombëtare të Kinës. Në këto vite, "Binhai" ka ngulur këmbë te inovacioni, duke u shndërruar nga një zonë e shkretë në një qytet me teknologji smart dhe duke zbuluar një rrugë të suksesshme zhvillimi.

Kohët e fundit, kompania "Rofsmicro" në distriktin Binhai po bën prodhimin provë dhe përmirësimin e mikroçipave filtër me radiofrekuencë, me madhësi 1 milimetër katror. Ndihmëskryemenaxheri i kompanisë Zhang Guanjie bën të ditur që, në të ardhmen, ky produkt mund të përdoret gjerësisht në pajisjet e telekomunikacionit, si celularët.

"Shpresojmë që në dy-tre vjetët e ardhshëm, do të arrijmë në vit një nivel prodhimi dhe fitimi përkatësisht 10 miliardë copë dhe 10 miliardë juanë," thotë Zhang Guanjie.

40 vjet më parë, Binhai ka qenë një tokë e shkretë kripore, ndërsa tani në këtë zonë po zbatohen një grup projektesh të nivelit të lartë, si ato për avionët, raketat, anijet dhe makineritë. Zv.drejtori i Komisionit të Zhvillimit dhe Reformës të "Binhait", Tang Zhongfu, bën të ditur që tani në Zonën e Re "Binhai" janë formuar disa grupe industriale me teknologji të reja dhe të larta që mbulojnë fusha të tilla si aviacioni, biomjekësi, energjitë e reja dhe materialet e reja, duke krijuar një forcë të madhe zhvillimi.

"Deri në fund të vitit të kaluar, përqindja e sektorëve të rinj është rritur në 27.1%. Kjo tregon që struktura jonë po përmirësohet në mënyrë të vazhdueshme," thotë Tang Zhongfu.

Tani në epokën e re, Zona e Re "Binhai" po fokusohet tek "tre ekonomitë kryesore": ekonomia grumbulluese, ekonomia hapëse dhe ekonomia inteligjente dhe po përpiqet me të gjitha forcat për të ndërtuar një qytet të ri të bazuar në teknologjinë smart. Zv.drejtori i Zonës së Re "Binhai" Xia Qinglin bën të ditur:

"Po përpiqemi që brenda tre vjetësh të formojmë 4-5 industri të përparuara në rang kombëtar dhe më shumë se 10 grupe industriale me të ardhura prej 100 miliardë juanësh, për të eksploruar një rrugë të re në fazën e re normale të ekonomisë dhe për të nxitur kalimin nga zhvillimi ekonomik me shpejtësi të madhe te ai me cilësi të lartë."

Dalian-i është një nga qytetet e para kineze që u hap ndaj botës së jashtme. Ai është një qytet pilot i hapjes në provincat verilindore të Kinës. Pas 34 vjetësh zhvillimi, Dalian-i është shndërruar me sukses nga një bazë e vjetër industriale në një zonë komplekse të industrive të pajisjeve me nivel të lartë.

Në vitin 1984, në Dalian filloi ndërtimi i zonës së parë ekonomike-teknologjike të Kinës dhe ky qytet është bërë një dritare e rëndësishme e hapjes së provincave verilindore të vendit. Tani, pas 34 vjetësh, Dalian është kthyer në një motor të rëndësishëm për rigjallërimin e Kinës Verilindore. Grupi "Gona" është një ndërmarrje udhëheqëse në makineritë digjitale. Presidenti i grupit Yu Dehai thotë se ai shpreson që nëpërmjet inovacionit të thyhen "zinxhirët kufizues" për prodhimin e makinerive të Kinës.

"Në uzinën tonë do të prodhojmë makinat që prodhojnë makineri për të zëvendësuar sa më parë produktet e importuara. Pastaj, me cilësi të mirë dhe çmim të arsyeshëm, mund t'i eksportojmë makineritë tona në tregun e jashtëm," thotë Yu Dehai.

Kohët e fundit, Dalian-i ka përmirësuar pandërprerë mjedisin e biznesit, duke thjeshtuar 14 herë procedurat administrative dhe duke hequr 1824 pika në to, si edhe duke pakësuar afro 70% të procesit të mbikëqyrjes. Në maj të vitit 2018, Dalian-i ka publikuar 45 politika të reja për shfrytëzimin e investimeve të huaja, duke u përshtatur me standardin ndërkombëtar. Në shtator të vitit 2018, filloi prodhimin fabrika e fazës së 2-të me një investim 5.5 miliardë dollarë amerikanë nga kompania "Intel". Ndërkohë, kompania gjermane e makinerive "GROB Machine Tools" e ka zhvendosur selinë e saj në Dalian.

Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, Dalian-i ka vënë në zbatim konkret 240 studime teknologjike, 60% më shumë se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017 dhe vlera e shtuar e sektorëve të rinj teknologjikë është rritur me 34.7%. Sekretari i PKK-së së Dalian-it, Tan Zuojun, thotë se ky qytet do të vazhdojë zhvillimin teknologjik me cilësi të lartë dhe baza e këtij zhvillimi mbështetet te mjedisi i mirë i biznesit. Për këtë, sipas tij, do të respektohet fryma e inovacionit gjatë gjithë procesit të zhvillimit. (Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore