"Fshatrat 'Taobao'", pasurim nga tregtia elektronike

2018-11-20 16:12:48 CRI Komenti juaj Printoni

Tregtia elektronike në Kinë vitet e fundit ka pasur një zhvillim të jashtëzakonshëm, duke njohur një rritje dyshifrore çdo vit. Po ndërsa blerjet në internet janë bërë pjesë e jetesës veçanërisht e të rinjve në qytetet e mëdha, biznesi i tregtisë në internet tani po shtrihet edhe në qyzezat e fshatrat e Kinës, duke u parë edhe si një mënyrë për nxjerrjen e banorëve në zonat rurale nga varfëria.

Disa vjet më parë askush nuk e kishte menduar se Daiji, një lokalitet me fshatra të varfër në provincën lindore të Kinës Shandong, do të kthehej në një qendër të tregtisë elektronike.

Fjala e parë që përdornin banorët vendorë për të përshkruar zonën e tyre ishte "e prapambetur". Më parë duhej një orë për të arritur në qendrën e kontesë, që ndodhej 15 km larg, për shkak të rrugëve të këqija. Por kjo nuk kishte shumë rëndësi për banorët e atyshëm: askush nuk kishte para të mjaftueshme për të blerë një makinë dhe lokaliteti, si shumë zona rurale në Kinë, ishte braktisur kryesisht nga banorët në moshë pune, të cilët kishin shkuar për të punuar në qytetet e zhvilluara. E gjithë zona përshkruhej si "sinonim i prapambetjes dhe thjeshtër e padëshiruar e provincës Shandong".

Qytezat afër Daiji-së kishin të paktën një ose dy fabrika të vogla, por Daiji nuk kishte asnjë bazë industriale.

Sot lokaliteti dhe zona përreth tij janë "kryeqyteti" i Kinës për një kategori të veçantë produktesh: kostumet e aktrimit dhe të kërcimit. Gjysma e 45 000 banorëve të lokalitetit Daiji prodhojnë ose shesin kostume të tilla që shiten në "Taobao", platforma më e madhe e tregtisë elektronike në Kinë e gjigantit të internetit "Alibaba".

Në vitin 2016 vlera e kostumeve të shitura në internet nga banorët e Daiji-së arriti në 1.8 miliardë juanë (260 milionë dollarë), ndërsa në të gjithë kontenë së cilës i përket ky lokalitet, shitjet ishin rreth tre herë më shumë, duke zënë rreth 70 % të tregut të kostumeve të tilla në "Taobao". Në fshatin Dinglou të Daiji-së, ku nisi fillimisht kjo tregti, 280 nga 306 familjet kanë biznese në "Taobao".

Gjithçka zuri fill në vitin 2013, kur në Kinë filloi edhe fushata kombëtare për zhvillimin e tregtisë elektronike rurale, si një mjet për zbutjen e varfërisë.

Si pjesë e kësaj fushate, pushteti vendor në Daiji sponsorizoi kurse mësimore për tregtinë elektronike dhe prodhimin e veshjeve, siguroi kredi me kosto të ulët dhe i nxiti sipërmarrësit e suksesshëm t'i jepnin përparësi punësimit të banorëve më të varfër. Në më pak se pesë vjet, rreth 7 000 veta në Daiji dhe zonat përreth kanë dalë nga varfëria, për shkak të tregtisë elektronike.

Gjithashtu, që nga fillimi i të ashtuquajturit "pasurim prej 'Taobao'-s", më shumë se 5 000 banorë të Daiji-së, që punonin më parë në qytete, duke përfshirë qindra të diplomuar, janë kthyer për të hapur biznese në Daiji.

Në muajt më të ngarkuar të vitit, bizneset e Daiji-së, të mbingarkuara me porosi, ua kalojnë prodhimin fabrikave jo vetëm jashtë lokalitetit, por edhe në provinca të tjera. Problemi i mungesës së krahëve të punës është i vështirë, por nga ana tjetër mund të thuhet se është për t'u pasur zili, një problem që ishte e pamendueshëm pak vite më parë, kur banorët e Daiji-së largoheshin nga vendlindja e tyre për të gjetur punë gjetkë.

Zyrtarët vendorë shprehen se ajo që po ndodh në Daijin mund të përsëritet dhe të zgjerohet edhe në pjesë të tjera të vendit, ngaqë sipas tyre çdo zonë ka produktet e veta të veçanta dhe e vetmja gjë që duhet bërë është të gjendet mundësia që ato të shiten në internet.

Sipas "Alibaba"-s, në mbarë Kinën ka me dhjetëra "fshatra 'Taobao'". Fshatrat që përzgjidhen, janë ndër ata që cilësohen si të varfër sipas standardeve kombëtare të varfërisë.

Ndërsa shitjet rriten, banorët e lokalitetit tani i kanë kthyer sytë nga tregu ndërkombëtar. Të ashtuquajturit "sipërmarrës 'Taobao'" në Daiji kanë filluar të shesin kostume jashtë vendit, veçanërisht në Malajzi, Vietnam dhe vende të tjera të Azisë Juglindore. Hapi i ardhshëm, thonë ata, është përmirësimi i cilësisë së kostumeve, për të arritur tregjet me kosto më të lartë në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara.

Tregtia elektronike po e nxjerr Daiji-në nga varfëria shekullore. Prandaj nuk është çudi që, po të shkosh aty, do të gjesh një parullë ku shkruhet: "Nëpërmjet 'Taobao'-s, mund t'i lësh pas ditët e hidhura. Tregtia elektronike është rruga që të shpie drejt lumturisë". (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore