Ekonomia private, tregues për cilësinë e zhvillimit ekonomik të Kinës

2018-11-13 10:31:50 CRI Komenti juaj Printoni

Presidenti i Kinës Xi Jinping ka vënë në dukje se populli kinez e do me pasion jetën e vet dhe shpreson për arsim më të mirë, punë më të qëndrueshme, të ardhura më të larta, sigurime më të qëndrueshme shoqërore, shërbime më të mira mjekësore, kushte më të rehatshme banimi dhe mjedis më të bukur. Krahas kësaj, njerëzit në Kinë shpresojnë që edhe fëmijët e tyre të kenë shëndet të mirë, punë të mirë dhe një jetesë të mirë.

Kjo "ndjenjë fitimi" nga populli në fakt është objektivi final për zhvillimin ekonomik me cilësi të lartë i Kinës. Po cila është forca kryesore për realizimin e zhvillimit me cilësi të lartë? Si një pjesë e rëndësishme e ekonomisë së tregut të Kinës, ekonomia private ka një status të rëndësishëm në tërë sistemin ekonomik të vendit, duke kontribuuar për mbi 50 % të taksave, më shumë se 60 % të GDP-së, mbi 70 % të inovacionit teknologjik, mbi 80% të punësimit urban dhe mbi 90 % të punësimeve të reja dhe numrit të kompanive. Në zinxhirin modern industrial, kompanitë private furnizojnë produktet e sektorit të prodhimit, veçanërisht mallrat e konsumit. Niveli i tyre i zhvillimit jo vetëm është i lidhur ngushtë me "ndjenjën e fitimit" të qytetarëve, por është edhe një tregues i cilësisë së ekonomisë kineze.

Në fakt, me shtimin e të ardhurave, "ndjenja e fitimit" e qytetarëve është në rritje dhe njerëzit kanë kërkesa më të larta për mallra dhe shërbime konsumi. Kështu, konsumatorët kinezë kanë bërë blerje të shumta jashtë vendit. Sipas të dhënave fillestare statistikore, numri i njerëzve me të ardhura të mesme në Kinë është rritur në 400 milionë, që kanë nevoja shumë të mëdha konsumi. Kjo ka krijuar shumëllojshmërinë e kërkesës dhe ka formuar një mjedis e kushte më të mira në tregun e brendshëm kinez. Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, shpenzimet për konsumin përfundimtar dhanë një kontribut për 78.5 % të rritjes së ekonomisë kineze, 14.2 % më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2017. Kërkesa e konsumit është në rritje të shpejtë dhe po bëhet një motor nxitës për zhvillimin ekonomik me cilësi të lartë të Kinës.

Ekonomia reale është thelbi i rritjes ekonomike dhe burimi i pasurisë së një vendi, si edhe elementi kryesor për zhvillimin me cilësi të lartë të ekonomisë. Numri i kompanive private zë më shumë se 90 % të ndërmarrjeve në sektorin e prodhimit dhe investimet private përbëjnë më shumë se 85 % të investimeve të përgjithshme të vendit. Si qeliza të panumërta plot gjallëri në treg, kompanitë private janë një forcë e bazë e rëndësishme për zhvillimin me cilësi të lartë.

Gjatë 40 vjetëve të kaluar, ekonomia shtetërore dhe ekonomia private në Kinë janë integruar me njëra-tjetrën dhe kanë përplotësuar njëra-tjetrën, duke formuar një zinxhir të plotë industrial. Pas konkurrimit dhe bashkëpunimit të plotë, shërbimet dhe produktet në çdo hallkë të zinxhirit janë me cilësi të mirë dhe çmim të arsyeshëm dhe kjo ka formuar forcën thelbësore konkurruese të ekonomisë reale të Kinës. Kërkesa e njerëzve për një jetë të mirë në fakt është një mundësi e mirë për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë private. Tani, me bazën e fortë industriale dhe nuhatjen e mprehtë për tregun, ekonomia private po përpiqet për cilësi më të madhe dhe risi më të shumta, për të realizuar zhvillimin e ri në ekonominë reale të vendit.

Inovacioni është forca kryesore e zhvillimit dhe shkenca e teknologjia janë forca kryesore e prodhimit. Me mbështetjen nga programi i Kinës "Nisje masive e biznesit, inovacion masiv", janë krijuar 19 zonat pilot inovacioni dhe 156 zona kombëtare të teknologjive të reja dhe të larta, duke formuar një rrjet të të ashtuquajturve inkubatorë biznesi që po përmirësohet gjithnjë e më shumë. Gjatë pesë vjetëve të kaluar janë regjistruar më shumë se 18 mijë biznese të reja dhe numri i përgjithshëm i kompanive në treg është rritur me afro 80 %. Kompanitë private dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme po bëhen burimi i gjallërisë për ekonominë kineze.

Me përmirësimin industrial, kompanitë private, si "Huawei", "Alibaba", "Tencent", BGI dhe "Sanyi", janë kthyer në ndërmarrje inovuese, duke e udhëhequr ekonominë kineze nga zhvillimi me konsum të madh burimesh dhe krahë të shumta pune në zhvillimin e përqendruar te teknologjitë dhe dijet, nga modeli me ndotje të madhe në modelin me mbrojtje mjedisi. Këto ndryshime jo vetëm kanë treguar nevojën e Kinës për zhvillim me cilësi të lartë, por edhe kërkesën e popullit kinez për një jetë më të bukur.

Nëse hedhim sytë pas në histori, mund të shohim që në fazën fillestare të Reformës dhe Hapjes, kompanitë private kanë pasur zhvillim të vrullshëm, duke zgjidhur gradualisht problemin e qytetarëve "ka apo nuk ka" në veshje, ushqim, strehim dhe udhëtim. Ndërsa në epokën e re, ekonomia private, nëpërmjet ndryshimeve inovuese, do të fokusohet te "mirë apo jo mirë", pra te cilësia e jetesës, për të plotësuar kërkesat e njerëzve për një jetë më të mirë. Ky në fakt është standard për zhvillimin ekonomik me cilësi të lartë të Kinës.(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore