Lu Yaping-u, nga vajzë fermeri në milionere tekstilesh

2018-11-13 10:20:43 CRI Komenti juaj Printoni

Lu Yaping-u është një biznesmeve e suksesshme kineze, e cila nga një vajzë prej një familjeje të varfër fshatare është kthyer në një milionere, kryesisht falë prodhimit të tekstileve cilësore e unike.

63-vjeçarja Lu Yaping ka lindur në një familje me gjashtë fëmijë, në një fshat të provincës Jiangsu të Kinës Lindore. Si për shumicën e familjeve fshatare në Kinë në atë kohë, edhe për familjen e Lu Yaping-ut jeta ishte e vështirë. Që e vogël, Lu-së iu desh të bënte punë në bujqësi për të ndihmuar prindërit.

Për të fituar më shumë, Lu Yaping-u mendoi të mësonte se si të qepte. Por në atë kohë tarifa për një kurs rrobaqepësie ishte 100 juanë (diçka më pak se 15 dollarë amerikanë sot), një shumë e madhe për familjen e varfër të saj.

E megjithatë Lu Yaping-u nuk u dorëzua dhe vendosi të mësonte vetë si të qepte. Me një libër rrobaqepësie, ajo filloi të praktikohej me gazeta të përdorura. Ndonjëherë, madje merrte rrobat e veta për t'i studiuar se si ishin qepur. Përpjekjet e saj më në fund u shpërblyen dhe Lu filloi të punonte si rrobaqepëse në mbrëmje, pasi ditën punonte në bujqësi.

Viti 1979 ishte një pikë kthese në jetën e Lu Yaping-ut. Në atë kohë ajo punonte në një fabrikë tekstilesh dhe fitonte në muaj 16 juanë (pak më shumë se dy dollarë). Një ditë ajo pa se një dyqan po shiste pantallona burrash që ishin mjaft të pëlqyera nga blerësit.

E frymëzuar nga kjo, me kapital fillestar prej 50 juanësh (afro 7 dollarë), Lu Yaping-u filloi të bënte pas punës të njëjtin lloj pantallonash, të cilat i shiste më pas në rrugë. Biznesi i vogël i saj u rrit shpejt.

Në vitin 1982, ajo vuri re se në tregun e brendshëm kishte një kërkesë të madhe për rroba fëmijësh. Kështu që Lu e la punën në fabrikë dhe krijoi një biznes të vogël në shtëpi, duke punësuar rreth dhjetë rrobaqepëse për të prodhuar rroba fëmijësh.

Ishte fillimi i periudhës së Reformës e Hapjes në Kinë dhe Lu Yaping-u shpejt pa se kishte një mundësi të mirë, pasi kishte pak prodhues të rrobave të fëmijëve në tregun kinez në atë kohë. Falë modelit të vet të veçantë dhe vendosmërisë për të hyrë në treg, ajo pati sukses.

Dy vjet më vonë, Lu Yaping-u pa se tashmë në Kinë njerëzit parapëlqenin ta blenin vetë copën dhe ta qepnin te rrobaqepësi, në vend që të blinin rroba të gatshme. Lu e kuptoi se prodhimi i tekstileve do të ishte më fitimprurës sesa veshjet e fëmijëve dhe e ndërroi biznesin e saj në prodhim tekstilesh.

Vendimi i Lu Yaping-ut doli që ishte i saktë kur, në vetëm katër vjet, ajo u bë furnizuesja më e madhe private e tekstileve në vendlindjen e saj.

Në vitin 1990, me një kapital prej 1.5 milionë juanësh, Lu Yaping-u bleu dy qendra tregtare në Nantong dhe hapi një tjetër më pas. Në vitin 1995, ajo ishte bërë një nga gratë më të spikatura të biznesit në këtë qytet.

Lu pastaj vendosi të bënte diçka më të madhe. Pas një studimi të plotë të gjendjes së tregut në qytetet kryesore kineze, ajo e shiti biznesin e vet në Nantong dhe u zhvendos në Shaoxing të provincës fqinje Zhejiang, për të vazhduar përsëri biznesin në industrinë e tekstilit.

Në Shaoxing Lu shpejt arriti në përfundimin se epërsia konkurruese duhej të vinte nga krijimi i modeleve të veçanta.

Idetë e saj për modelet vijnë nga të gjitha llojet e burimeve. Një herë, kur ishte në një udhëtim pune në provincën Guangdong të Kinës Jugore, Lu Yaping-u po ecte në një rrugë kur pa një grua të veshur me një fustan me një model të veçantë që ajo kurrë nuk kishte parë më parë. Pas foli me gruan, ajo ia bleu fustanin me një çmim shumë më të lartë sesa vlente. Kur u kthye në fabrikën e saj, Lu i ktheu paratë që kishte shpenzuar për fustanin në një fitim shumëfish më të madh, pasi mbi bazën e tij krijoi tre lloje tekstilesh, duke bërë disa milionë juanë prej tyre.

Lu dhe ekipi i saj kanë krijuar deri tani mijëra modele të ndryshme. Biznesi i saj sjell një të ardhur vjetore që i kalojnë 200 milionë juanët.

Tekstilet e saj janë shitur edhe në tregjet jashtë shtetit, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Francën dhe Japoninë. Lu është bërë kështu nga vajza e një fermeri të varfër në pronaren e një prej bizneseve më të mëdha të prodhimit të tekstileve në Kinë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore