Shenzhen-i synon zinxhirin e inovacionit për zhvillimin me cilësi të lartë

2018-11-06 15:58:26 CRI Komenti juaj Printoni

Sivjet është 40-vjetori i fillimit të politikës së Reformës dhe Hapjes në Kinë. Gjatë 40 vjetëve, populli kinez me duart e veta ka shënuar arritje të mrekullueshme në zhvillimin e kombit dhe të vendit. Gjatë kësaj periudhe në qytetet e ndryshme kineze kanë ndodhur ndryshime shumë të mëdha dhe ndërmarrjet e sektorëve të ndryshëm kanë pasur zhvillim dinamik. Shenzhen-i është një zonë pilot për hapjen e Kinës dhe vlerësohet si dritarja e Kinës me botën e jashtme. Tani në këtë qytet modern, njerëzit po përpiqen të krijojnë një zinxhir inovativ për të nxitur zhvillimin me cilësi të lartë të qytetit.

Instituti i Teknologjive të Përparuara i Shenzhen-it pranë Akademisë së Shkencave të Kinës ndodhet në distriktin Nanshan të qytetit. Ndryshe nga institutet e tjera, ai është si një "fabrikë ëndrrash", që i çon njerëzit drejt së ardhmes. Këtu po bëhen studime mbi rregullimin dhe mëkëmbjen e nervave të trurit, për të përballuar sëmundjet e vështira si Alzajmeri dhe Parkinsoni. Zv.drejtori i institutit Zheng Hairong shprehet që studimet e tyre janë bazuar te një lloj mikrovale supersonike.

"Kemi dizenjuar pajisjet përkatëse dhe tani po bëjmë eksperimente te kafshët. Kemi regjistruar kompaninë përkatëse për të nxitur industrializimin e pajisjeve të tilla mjekësore," thotë Zheng Hairong.

Duke pasur si objektiv të jetë në pararojë të shkencës e teknologjisë botërore dhe përballë nevojave të vendit për zhvillim, Shenzhen-i po përpiqet me të gjitha forcat për të krijuar një zinxhir inovativ me "studime bazë+përparime teknologjike+industrializim të arritjeve+financim shkencor" dhe për t'u bërë qytet pilot tekniko-shkencor. Në muajin mars të vitit 2018, në Shenzhen u krijuan pesë laboratorë për fituesit e çmimit "Nobel" dhe katër institute të studimeve bazë. Studiuesi i Institutit Studimor të Inovacionit të Shenzhen-it, Sun Wei, vë në dukje se zotërimi i teknologjive të fushave thelbësore është puna kryesore.

"Sot ne duhet të kemi teknologji të reja me të drejta krejtësisht të pavarura të pronësisë intelektuale. Këto teknologji nuk duhet të kufizohen në nivelin e zbatimit. Ato duhet të jenë teknologji bazë dhe teknologji në fushat thelbësore," thotë Sun Wei.

Inovacioni është i pandarë nga talentet. Për të tërhequr talentet e teknologjisë së lartë, Shenzhen-i ka krijuar një sistem ku "ndërmarrjet luajnë rolin kryesor, zhvillimi orientohet nga tregu dhe ku integrohen qeveria, industritë, studimet dhe kërkimet", për të inkurajuar talentet e risive tekniko-shkencore nga tërë Kina e bota që të nisin biznesin në Shenzhen.

Në vitin 2014, Chen Ning-u, që ishte stabilizuar jashtë Kinës, u kthye në Shenzhen dhe krijoi një kompani të teknologjisë dinamike për njohjen e imazhit. Ai thotë se e tërhoqi atmosfera e orientimit nga tregu dhe sistemi i hapur dhe transparent në Shenzhen.

"I dorëzova dokumentet e aplikimit në internet. U bë edhe një shqyrtim dokumentesh dhe bëra një intervistë. Nuk kishte nevojë që të njihnim ndonjë njeri këtu dhe fondi i shpërblimit prej 40 milionë juanësh u fut në llogarinë e kompanisë sonë për tre muaj," thotë Chen Ning-u për nisjen e biznesit në Shenzhen.

Tani zhvillimi i Kinës është futur në epokën e re. Për të realizuar zhvillimin me cilësi të lartë, Shenzhen-i ka bërë një plan të ri. Vetëm pak ditë më parë, ky qytet shpalli krijimin e distriktit Guangming, ku do të ndërtohet një "qytet shkencash" me infrastruktura të mëdha shkencore, si biologjia, shkenca e materialeve dhe shkenca hapësinore. Sekretari i PKK-së i distriktit Guangming, Wang Hongbin, u shpreh:

"Për këto objekte të mëdha shkencore ka një parim: zotërim nga qeveria, pjesëmarrje nga palët e ndryshme, hapje dhe bashkëpërdorim. Kjo ka si qëllim që të ofrohet një platformë publike dhe e hapur e infrastrukturës teknologjike për institucionet e larta kërkimore dhe shkencëtarët."

Gjatë 40 vjetëve të fundit, "Huawei", "Tencent", BYD dhe shumë kompani të tjera që janë rritur në Shenzhen, kanë dëshmuar dhe kanë marrë pjesë në procesin e inovacionit të këtij qyteti të Kinës Jugore. Si forca e parë e zhvillimit, inovacioni ka sjellë një ndryshim të jashtëzakonshëm në Shenzhen. Vëllimi i përgjithshëm ekonomik në këtë qytet është rritur nga 197 milionë juanë në vitin 1979 në 2.24 trilionë juanë vitin e kaluar. Tani investimet e përgjithshme për kërkimet teknologjike në Shenzhen zënë më shumë se 4% të GDP-së, duke arritur nivel të përparuar botëror.

Në të ardhmen Shenzhen-i do të shtojë më tej aftësinë e kërkimeve bazë dhe të inovacionit nëpërmjet ndërtimit të infrastrukturës shkencore. Kjo jo vetëm do të sjellë një forcë të përhershme për zhvillimin me cilësi të lartë, por edhe do të ofrojë një motor të rëndësishëm për krijimin e risive në Deltën e Madhe Guangdong-Hong Kong-Makao, duke nisur një udhëtim të ri zhvillimi.(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore