Huichang-u, konteja që po i jep fund varfërisë

2018-11-06 15:58:20 CRI Komenti juaj Printoni

Huichang-u është një konte në skajin më jugor të provincës Jiangxi të Kinës Jugore. Më shumë se 520 000 banorët e tij janë marrë tradicionalisht me bujqësi, kryesisht me kultivimin e orizit, perimeve dhe agrumeve, por pa i shpëtuar varfërisë. E megjithatë, banorë të Huichang-ut, duke shfrytëzuar burimet e kësaj konteje, kanë nisur bizneset për të ndihmuar jo vetëm veten, por edhe bashkëfshatarët e tyre për t'i shpëtuar varfërisë.

Fu Jianrong-u nga një fshat i Huichang-ut nuk do ta harrojë kurrë natën ku e shoqja, që sapo kishte lindur fëmijën e tretë, u sëmur dhe ai nuk kishte para për ta çuar në spital. Ishte fundi i viteve '70 të shekullit të kaluar.

Fu, i dëshpëruar, i huajti 10 juanë (rreth 1.5 dollarë) një kushëririt të vet. Por, kur po e çonte gruan e vet në klinikë, kushëriri e ndaloi dhe i kërkoi që t'ia kthente paratë, duke i thënë se e shoqja ishte nxehur me të që i kishte dhënë para borxh Fu-së.

Askush tjetër nuk do t'i jepte para Fu Jianrong-ut, kështu që ai u kthye në shtëpi dhe shpërtheu në lot. Por nuk hoqi dorë. Atë natë ai shkoi të kapte peshq në rezervuar dhe me to pagoi "në natyrë" për mjekimin e së shoqes.

"U betova se nuk do ta lija më asnjëherë të më ndodhte përsëri një gjë e tillë", tregon 65-vjeçari Fu Jianrong, tashmë pronar i një fabrike prodhimi barnash dhe i një ferme bagëtish.

"Për një konte që është përballur për breza të tërë me varfërinë si Huichang-u, ku të rinjtë janë të etur për t'u larguar, të vjetrit që mbeten, nuk kanë as motivim dhe as aftësi për të bërë ndonjë ndryshim".

Në vitet '90 të shekullit të kaluar, Fu Jianrong-u nisi të mbledhë bimë mjekësore, që ua shiste tregtarëve të shumicës dhe fabrikave farmaceutike. Ky biznes i tij lulëzoi aq shumë, saqë në fund Fu krijoi kompaninë e vet të prodhimit të barnave, për të shfrytëzuar vlerën e madhe të tregut që zbuloi te lëvoret e një lloji të veçantë agrumesh. Ai gjithashtu importoi lopë zvicerane, të cilat i përdori edhe për të ndihmuar banorët në Huichang të dalin nga varfëria.

"Për shembull, nëse një fshat i kontesë ka tokë dhe krahë pune, unë u ofroj atyre viça me çmim të ulët dhe i blej përsëri kur rriten, me çmimin e tregut. Nëse një fshat ka vetëm të moshuar, unë i punësoj ata në fermën time ose u mësoj të rritin foragjere," thotë Fu Jianrong-u.

Në vitet e fundit, ai e ka kthyer vëmendjen nga kultivimi i bimëve të tjera mjekësore, por edhe promovimi i turizmit, pasi Huichang-u ka mjaft bukuri natyrore. Madje në vitin 1934 Mao Ce Duni shkroi një poezi i frymëzuar nga peizazhi i veçantë i Huichang-ut. Ndërsa dy vjet më përpara, në 1932, ish-udhëheqësi tjetër kinez, Ten Hsiao Pini, arkitekti i Reformës dhe Hapjes së Kinës, kishte qëndruar dhjetë muaj në Huichang.

Në vitin 1977, Song Ruisen-i, një banor tjetër i Huichang-ut, dhe disa zyrtarë të tjerë të kësaj konteje, do të shkonin në Pekin për një konferencë kombëtare. Ata donin t'i çonin Ten Hsiao Pinit djathë soje të thatë, një ushqim karakteristik që ishte bërë dhe ngrënë në konte për qindra vjet.

"Akoma nuk ishim larguar nga provinca jonë dhe djathi i sojës ishte prishur tashmë. U ndiem shumë në siklet," kujton Song Ruisen-i.

"Udhëtarët dhe mysafirët nga vise të tjera e pëlqenin shijen e veçantë të djathit tonë të sojës të thatë. Pothuajse çdo familje këtu e gatuan, por ne nuk kishim idenë se si ta mbanim të freskët dhe të fitonim para prej tij."

Të vendosur për të bërë biznes me këtë gatim tradicional, në fillim të viteve '90 të shekullit të kaluar, Song-u dhe një shoku i tij themeluan një kompani ushqimore për të prodhuar djathë soje të thatë.

"Dy dekada më parë, Huichang-u nuk kishte linja moderne të prodhimit, përpunimit dhe teknologjisë së paketimit, ose punëtorë të kualifikuar," rrëfen ai.

Ata vizituan qytetet e mëdha si Shangai dhe mësuan teknikat e reja të prodhimit dhe të shitjes. Ata projektuan pajisje të posaçme për prodhimin e djathit të thatë të sojës dhe me ndihmën e huave të veçanta për luftën ndaj varfërisë, ata blenë makina dhe punësuan dhjetëra veta. Tani të ardhurat vjetore të kompanisë së tyre janë 15 milionë juanë dhe djathë i saj i sojës shitet në mbarë provincën dhe në zonat e tjera përreth.

Mrekulli
Lajmet Kryesore