Pitaja, "fruti i dragoit" dhe i pasurimit për gratë fermere të Guangxi-së

2018-10-30 15:03:57 CRI Komenti juaj Printoni

Pitaja, që njihet edhe si fruti i dragoit, shquhet për vlerat ushqimore dhe shijen e veçantë. Megjithatë, një numër grash fermere në Rajonin Autonom Guangxi-Zhuang në jug të Kinës kanë ndier edhe një shije tjetër prej rritjes së këtij fruti, atë të pasurimit.

Fruti i dragoit është një bimë me vlera të larta ushqimore e shëndetësore. Ai rritet në zonat tropikale e suptropikale, duke përfshirë edhe Azinë Juglindore, sidomos në zonat kodrinore. Rajoni Autonom Guangxi- Zhuang ka një klimë subtropikale dhe është një zonë kodrinore-malore, gjë që e bën të përshtatshme kultivimin e frutit të dragoit. Stina e vjeljes aty nis në qershor, kur fermerët zakonisht ngrihen herët, në orën 6:30 të mëngjesit, për të mbledhur fruta.

Tregu i frutave të dragoit arrin në 1.5 milionë dollarë dhe një numër sipërmarrësish janë përfshirë në biznesin e kultivimit të këtij fruti, duke parë mundësitë tregtare që ofron një gjë e tillë, por në të njëjtën kohë duke ftuar fermerët t'u bashkohen atyre në rritjen e frutave të dragoit, si një mënyrë për të shpëtuar nga varfëria. Ndërkohë, edhe pushteti vendor e ka përfshirë kultivimin e këtij fruti në kuadër të masave për uljen e varfërisë, duke paraqitur teknologji të reja bujqësore, duke ngritur baza eksperimentale dhe duke nxitur tregtinë në internet dhe turizmin bujqësor.

Lin Hanwen-i është themeluesja dhe drejtuesja e një kompanie të teknologjisë bujqësore me bazë në qytetin e Nanning-ut, kryeqendra e Guangxi-së. Ajo e krijoi kompaninë e vet, që sot cilësohet si "mbretëri e frutave të dragoit", në vitin 1997, duke e kthyer atë në një kompani gjithëpërfshirëse, por që vazhdonte të kishte frutat si biznesin e vet kryesor.

Kompania ka sot plantacione me fruta dragoi që arrijnë në 267 hektarë. Biznesi premtues punëson 130 veta, nga të cilët vetëm dy janë meshkuj.

45-vjeçarja Guo Yueyuan, pjesëtare e kombësisë zhuang nga fshati Liantuan, është një prej punëtoreve të kompanisë së Lin-it. Ajo thotë se i pëlqen puna në këtë kompani.

"Edhe pse punoj shumë, jam e kënaqur, sepse vendi i punës është afër shtëpisë sime", thotë Guo, e cila për të shkuar në plantacion bën çdo ditë tre kilometra me motorçikletë.

"Rroga ime mujore është 2 500 juanë (mbi 360 dollarë amerikanë), që është një mbështetje e madhe për ekonominë e shtëpisë sime", shton ajo.

Ndonëse familja e saj klasifikohet ende se është në vështirësi ekonomike, Guo beson se me punën e saj e vështirë do ta shkundë varfërinë një ditë.

"Ka më shumë gra si Guo që janë të zellshme në punë dhe në menaxhimin e ekonomisë familjare. Prandaj e ngrita në fshat plantacionin, ku punojnë shumë gra nga familje të varfra të kombësisë zhuang", tregon Lin-i.

Në vitin 2013, Lin Hanwen-i mori titullin "Mbretëresha e Frutit të Dragoit" së bashku me kompaninë e saj, në kuadër Projektit Pilot Kombëtar për Gratë në Bujqësi dhe në Teknologjinë Moderne.

"Është përgjegjësia ime shoqërore të veproj në përputhje me objektivat e përcaktuar për lehtësimin e varfërisë, në mënyrë që prej tyre të përfitojnë edhe gratë nga familje të varfra", shprehet Lin Hanwen-i, e cila gjithashtu është edhe presidente e Këshillit të Grave të Talentuara të Guangxi- së.

Nëpërmjet shitjes në rrugë tradicionale, si edhe tregtisë në internet, kompania e Lin Hanwen-it ka tashmë një pasuri që i kalon 6 milionë juanët (mbi 860 mijë dollarë amerikanë).

Për më tepër, në vitet e fundit, më shumë se 1 000 gra kanë përfituar nga biznesi i saj, duke pasur të ardhura vjetore shtesë 12 000 juanë (afro 1 750 dollarë) secila.

E kështu, ndërsa konsumatorët në mbarë Kinën shijojnë frutat e ëmbla të dragoit që kultivohen në Guanxi, fermerët e kësaj province po shijojnë frytet e punës së tyre duke ecur në rrugën e daljes nga varfëria.

Mrekulli
Lajmet Kryesore