Zhengan-i, konteja e pasuruar nga kitarat

2018-10-23 15:11:22 CRI Komenti juaj Printoni

Kitara është arma ime, është mburoja pas së cilës fshihem," ka thënë Brian May, kitaristi i grupit legjendar britanik "Queen". Ndërsa për një konte në Kinë, kjo vegël muzikore është "arma e pasurimit".

Zheng Chuanjiu tregon një kitarë elektrike që po montohet në fabrikën e tij: "Një në dy kitara të këtij lloji që shiten në tregun ndërkombëtar prodhohen këtu". Është një kitarë "Ibanez", një markë e famshme japoneze.

Ish-fermeri nga konteja Zhengan e provincës Guizhou të Kinës Jugperëndimore është tani menaxher i përgjithshëm i Kompanisë së Veglave Muzikore "Shenqu" të Zhunyi-së, prodhuese e gjashtë prej dhjetë markave më cilësore të kitarave në botë.

Kompania tani prodhon gjysmë milioni kitara në vit.

Zhengan-i ka qenë një nga kontetë më të varfra në jugperëndim të Kinës. Pushteti vendor ka krijuar një "Kopsht Ndërkombëtar të Kitarave", ku janë vendosur 29 kompani prodhimi kitarash, që të ndihmojë në uljen e varfërisë në qark.

Këto kompani prodhojnë gjithsej pesë milionë kitara në vit, duke e bërë Zhengan-in një nga bazat më të mëdha të prodhimit të kitarave në botë.

Fabrika e Zheng Chuanjiu-t punëson 600 punëtorë, shumica e të cilëve janë fermerë të varfër nga fshatrat përreth.

"Në fillim njerëzit nuk e besonin se kitarat që luhen nga artistë me famë botërore janë bërë nga një grup fermerësh," thotë Zheng-u. Ai shton më tej se ishte trysnia e mbijetesës që i "kaloi duart tona" nga mbjellja e drithërave në prodhimin e kitarave.

Në vitin 1993 një prej vëllezërve të tij shkoi në qytetin e Guangzhou-t, 1 300 kilometra larg Zhengan-it, për të punuar në një fabrikë kitarash. Më vonë edhe vetë Zheng Chuanjiu shkoi atje për të punuar me vëllanë e vet.

"Fshati ynë ishte shumë i varfër dhe familja ime nuk kishte para të na mundësonte mua dhe tre vëllezërve të mi kryerjen e shkollës së mesme", kujton ai.

Në fabrikën në Guangzhou Zheng-u dhe vëllai i tij mësuan të prodhojnë kitara, instrumente muzikore që u bënë të njohura në Kinë vetëm në fillim të viteve '80 të shekullit të kaluar.

Në vitin 2007 vëllezërit hapën vetë një fabrikë prodhimi kitarash dhe në vitin 2008 morën një porosi për 300 000 kitara nga marka kryesore braziliane "Tagima". Që atëherë porositë nga klientët e huaj kurrë nuk kanë ndalur.

"Ata na zgjedhin ne, sepse cilësia e produkteve tona është e klasit të parë. Ne e kemi parim që një kitarë me defekt duhet gjithmonë të thyhet, në vend që të shitet me çmim të ulët," thotë ai.

Por ndërsa dy vëllezërit pasuroheshin, vendlindja e tyre mbetej e varfër. Në vitin 2011, më shumë se 125 000 veta, ose 19 për qind e popullsisë së përgjithshme të kontesë, jetonin nën kufirin e varfërisë (me të ardhura për frymë rreth 320 dollarë amerikanë në vit). Prandaj Zheng dhe i vëllai vendosën të kthehen për t'i ndihmuar banorët e Zhengan-it të fitonin para, ashtu si edhe ata vetë.

"Në Zhengan mund të fitoj sa në Wenzhou, një qytet 1 700 kilometra larg vendlindjes sime, ku punoja më parë", thotë 28-vjeçarja Ye Huan, një punëtore në fabrikën e vëllezërve Zheng. "Më e rëndësishmja është që mund të kthehem përditë në shtëpi për t'u kujdesur për dy fëmijët e mi."

Pas vëllezërve Zheng, edhe qindra të tjerë që merreshin me prodhimin e instrumenteve muzikore në provinca të tjera u kthyen në Zhengan.

33-vjeçari Zhao Shan ngriti një fabrikë prodhimi kitarash në vitin 2016. Kompania e tij tani shet në internet 2 000 kitara në ditë. Jack Ma, kryetari i "Alibaba"-s, platforma më e madhe e tregtisë elektronike në Kinë, e vlerësoi kompaninë e Zhao Shan-it si një shembull i ekonomisë dixhitale.

Në Zhengan planifikohet të ndërtohet muzeu më i madh i kitarave në botë dhe të hapen kurse për mësimin e kitarës në çdo shkollë të kontesë.

"Ne shpresojmë që njerëzit nga mbarë botën që e duan kitarën, një ditë të vizitojnë qarkun tonë dhe ta shohin atë si një 'vend të shenjtë' të kitarës", thonë zyrtarët e kontesë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore