Shangai, ndërtohet skela më e madhe "pa njerëz" në botë

2018-10-16 14:42:29 CRI Komenti juaj Printoni

Porti Yangshan në Shangai është porti i parë i ndërtuar në një ishull të vogël i Kinës dhe konsiderohet si një bazë për kthimin e Kinës në një vend të fuqishëm detar. Pak kohë më parë, në Yangshan u ndërtua një skelë e automatizuar, që është më e madhja në botë.

Skela e fazës së 4-t të portit Yangshan ndodhet në juglindje të Shangait dhe është skela më e madhe e automatizuar dhe me nivelin më të lartë të automatizimit në mbarë botën. Në këtë skelë nuk ka njerëz, por makina me ngjyra të verdhë dhe blu, të cilat çojnë mallra në mënyrë të rregullt.

Drejtori i përgjithshëm i ndërtimit të fazës së 4-t të portit Yangshan, Zhang Bin, bëri të ditur që këto makina drejtohen nga 63 mijë gozhda magnetike të vendosura në tokë dhe mund të shmangin përplasjet kur janë në distancë një metër. Drejtuesit e këtyre makinave nuk kanë nevojë të shkojnë atje, por mund ta operojnë nga zyra autovinçin dhe urën e skelës. Me këto pajisje inteligjente, efektiviteti në këtë skelë është ngritur shumë se skelat tradicionale në të kaluarën.

"Me sistemin e automatizuar, mund të realizohet operimi i balancuar. Kjo luan rol kyç për shtimin e efektivitetit të skelës dhe është e mundshme që të kalojmë mbi skelat tradicionale," thotë Zhang Bin.

Në këtë sistem inteligjent, makinat e transportit me drejtim automatik janë një pjesë e rëndësishme. Këto lloj makinash janë projektuar dhe prodhuar nga kompania e industrisë së rëndë "Zhenhua". Me këtë sistem, të gjitha procedurat në skelë, si transporti i mallrave dhe ngarkim-shkarkimi i kontejnerëve janë të automatizuara. Përgjegjësi i sistemit menaxhues të pajisjeve të kompanisë "Zhenhua" të Yangshan-it, Yu Jun, thotë:

"Ky është sistemi me numrin më të madh të makinave me drejtim automatik në përdorim. Numri i makinave të tilla është mbi 130, kurse në gjendje të simuluar, mund të arrijë në mbi 200. Çfarë kemi arritur me këtë sistem? Jo vetëm kemi tejkaluar monopolin e teknologjisë në këtë drejtim, por edhe udhëheqim teknologjitë në këtë sektor."

Skela e automatizuar ka përmirësuar mjedisin e punonjësve dhe ka ulur koston e ndërmarrjeve. Presidenti i grupit të portit të Shangait SIPG Chen Xuyuan u shpreh që arritja e këtij sistemi menaxhues është varur nga niveli i lartë teknologjik, si edhe nga objektivat e qartë të zhvillimit që janë vendosur nga menaxhuesit dhe operatorët në Yangshan.

"Ne e shikojmë krijimin e një porti inteligjent, të gjelbër, teknologjik dhe efikas si objektivin kryesor të zhvillimit të grupit SIPG. Porti inteligjent është i pajisur me sistem të informatizuar dhe teknologji inteligjente. Faza e 4-të e portit të Yangshan-it është një shembull tipik. Port teknologjik do të thotë fuqizimi i portit me teknologji. Kemi krijuar qendrën kombëtare të teknologjive të portit, posaçërisht për të zbatuar programin trevjeçar të zhvillimit të portit teknologjik. Ndërkohë, kemi nxitur aktivisht ndërtimin e një porti të gjelbër. Gjatë 40 vjetëve të fundit, posaçërisht 10 vjetëve të fundit, kemi pasur arritje të dukshme dhe çdo vit harxhimi i energjisë në portin tonë është ulur me 5%. Gjithashtu, kemi nxitur krijimin e një porti efikas. Këtu, kapacitetit i përpunimit të kontejnerëve është 290 mijë kontejnerë standardë për 100 metra , që është shumë më i përparuar se në portet e tjera të botës," thotë Chen Yuyuan.

Në fund të vitit 1995, për të mbështetur zhvillimin dhe hapjen e zonës Pudong të Shangait, qeveria kineze vendosi që të ndërtonte Qendrën Ndërkombëtare të Transportit në Shangai. Ky vendim strategjik i ka krijuar portit të Shangait, i cili ka një histori prej 100 vjetësh, një mundësi të rrallë zhvillimi. Në atë kohë nuk kishte vende ankorimi për anijet me tonazh të madh në portin e Shangait. Për të plotësuar këtë mungesë sa më shpejt, filloi zgjedhja e vendit për ankorimin e anijeve me tonazh të madh dhe më pas, u caktua që në veri të ishujve Shengsi të Zhejiang-ut, të ndërtohet një port i ri në ishujt Yangshan i Madh dhe Yangshan i Vogël, të cilët ndodhen afro 30 km në juglindje të portit Luchao të Shangait. Në mars të vitit 2002 u miratua zyrtarisht raporti për ndërtimin e portit të ujërave të thella në Yangshan. Tre muaj më pas, filloi zyrtarisht ndërtimi i portit në Yangshan. Në dhjetor të vitit 2017, pas pothuajse tre vjetësh, skela e automatizuar e fazës së 4-t në Yangshan nisi provën e funksionimit.

Pas vënies në përdorim të skelës së fazës së 4-t në Yangshan, kapaciteti përpunues në portin e Shangait do t'i kalojë 40 milionë kontejnerët në vit, vlerë kjo e barabartë me kapacitetin e përgjithshëm të të gjitha porteve të SHBA-së dhe sa një e dhjeta e porteve të mbarë botës. Chen Yuyuan bën të ditur që në të ardhmen në portin e Shangait do të vihen në përdorim teknologjitë inteligjente, do të studiohet mundësia e përdorimit të robotëve dhe do të nxitet zhvillimi i një porti të gjelbër të automatizuar dhe informatizuar.

Porti i Shangait dhe skela në Yangshan është thjesht një pjesë e zhvillimit të bazuar te teknologjitë inteligjente. Në zonën eksperimentale të Reformës dhe Hapjes në Shangai ka edhe shumë kompani të tjera, si SIPG, që po përparojnë në valën e madhe të reformës.(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore