Kina publikon programin për rigjallërimin dhe modernizimin e zonave fshatare

2018-10-09 16:30:56 CRI Komenti juaj Printoni

Ditët e fundit në Kinë u publikua "Programi strategjik për rigjallërimin e zonave fshatare (2018-2022)". Ky është plani i parë 5-vjeçar i Kinës për nxitjen e strategjisë së zhvillimit të zonave fshatare. Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe i Reformës dhe Ministria e Bujqësisë e Kinës bënë të ditur në Pekin se, sipas planit, në vitin 2035 do të realizohet modernizimi i zonave fshatare. Në të ardhmen, do të shpallen një sërë politikash dhe masash konkrete për zhvillimin industrial, talentet, infrastrukturën, shërbimet publike dhe mjedisin e banimit në fshat.

Fokusi i këtij plani 5-vjeçar do të jetë krijimi i një modeli të ri të rigjallërimit të zonave fshatare, përshpejtimi i procesit të modernizimit bujqësor, zhvillimi dhe zgjerimi i industrive në fshatra, ndërtimi i fshatrave të bukura ekologjike, zhvillimi i kulturës fshatare, përmirësimi i sistemeve moderne të menaxhimit të fshatrave, sigurimi dhe përmirësimi i jetesës së fshatarëve dhe përmirësimi i politikave për integrimin e zonave urbane dhe rurale.

Në këtë plan parashikohet që deri në vitin 2020 të formohet në përgjithësi sistemi kornizë i politikave për ringjallërimin e fshatrave. Deri në vitin 2022, ky sistem kornizë do të përmirësohet më tej dhe deri në vitin 2035 do të realizohet përparimi vendimtar lidhur me rigjallërimin e fshatrave dhe modernizimi bujqësor. Deri në vitin 2050, do të rigjallërohen zonat fshatare dhe bujqësia, fshatrat e fshatarët do të futen në gjendjen e pasurimit dhe të modernizimit.

Zv.ministri i Bujqësisë i Kinës Yu Xinrong u shpreh që baza e rigjallërimit të zonave fshatare është lulëzimi i industrisë. Në të ardhmen, fokusi i punëve do të jetë forcimi i bazës bujqësore, nxitja e cilësisë së bujqësisë, integrimi i sektorëve të ndryshëm industrialë dhe nxitja e sektorëve të veçantë industrialë. Për integrimin e sektorëve industrialë është e nevojshme që të përpilohen politikat përkatëse, për të orientuar mbledhjen e më shumë burimeve për zhvillimin e fshatrave dhe zhvillimin ekonomik të qytezave.

"Për rigjallërimin e sektorëve industrialë në zonat fshatare duhet të përpiqemi të orientojmë, nëpërmjet politikave dhe masave të ndryshme, të gjitha burimet drejt vazhdimit të nxitjes së zhvillimit të zonave urbane, duke futur më shumë elemente të zhvillimit në platformën e zhvillimit ekonomik të zonave fshatare, për të krijuar më shumë hapësirë të përshtatshme për banorët dhe talentet e ndryshme në fshatra. Kështu do të nxitet rigjallërimi i sektorëve industrialë në zonat fshatare. Në këtë drejtim ne duhet të vazhdojmë të nxisim ndërtimin e parqeve moderne bujqësore dhe integrimin e bujqësisë, industrisë dhe shërbimeve," thotë Yu Xinrong.

Rigjallërimi i zonave fshatare ka nevojë për më shumë talente. Në këtë plan 5-vjeçar propozohet që të përgatiten fermerë të rinj profesionistë, të forcohet përgatitja e talenteve të posaçme profesioniste lidhur me fshatrat dhe të inkurajohen më shumë talente të tjera të bashkohen në zhvillimin e zonave fshatare. Yu Xinrong tha se plani i rigjallërimit të zonave fshatare ka ofruar një hapësirë të gjerë për të gjitha llojet e talenteve që janë të interesuar për "bujqësinë, fshatrat dhe fshatarët". Në të ardhmen do të publikohen një sërë masash e politikash për të mbështetur talentet nga të gjithë sektorët e shoqërisë të përfshihen në fazën e rigjallërimit dhe modernizimit të zonave fshatare.

Në Kinë zhvillimi i zonave fshatare ka dallime të mëdha në krahina të ndryshme. Zv.kryetari i Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës Zhang Yong është i mendimit që duhet të ndiqen ligjet e zhvillimit ekonomik në zonat fshatare dhe të përcaktohen objektivat praktike sipas gjendjes vendore, prandaj në këtë plan 5-vjeçar janë bërë klasifikimet e fshatrave.

"Në këtë plan 5-vjeçar, zonat fshatare janë ndarë në katër kategori: kategoria e nxitjes së përqendrimit dhe zhvillimit; kategoria e integrimit urban-rural; ajo e mbrojtjes së veçantive, dhe e fundit është kategoria e zhvendosjes dhe e riorganizimit. Për këto katër kategori të ndryshme janë përcaktuar parimet, drejtimet, objektivat dhe misionet për rigjallërimin dhe modernizimin. Natyrisht që ka shumë zona të ndryshme fshatare në Kinë dhe këto katër kategori nuk i mbulojnë të gjitha llojet e fshatrave, por ato janë vetëm një drejtim i përgjithshëm klasifikimi. Të gjitha krahinat duhet të bazohen në gjendjen e tyre dhe të bëjnë klasifikime më të detajuara të këtyre katër kategorive dhe t'i trajtojnë ato në mënyra të ndryshme," thotë Zhang Yong.

Zhang Yong-u u shpreh po ashtu që në këtë plan është propozuar që fshatrat me kushte të mira ekonomike në krahinat e zhvilluara të Kinës Lindore dhe zonat bregdetare të arrijnë modernizimin në vitin 2022, duke luajtur rol nxitës. Shumica e fshatrave të tjera do ta realizojnë modernizimin në vitin 2035 dhe fshatrat në zonat e varfra do ta arrijnë këtë synim në vitin 2050. Para vitit 2020, detyra më e rëndësishme dhe përparësia kryesore është që të eliminohet varfëria në mënyrë të vazhdueshme dhe të precizuar. (Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore