"Mbretëresha e luleve" që ka çuar në "lulëzimin" ekonomik të fshatarëve

2018-10-09 16:30:49 CRI Komenti juaj Printoni

32-vjeçarja Wu Lin, drejtore e përgjithshme e një kooperative të kultivimit të luleve në fshatin Jingu të provincës Fujian të Kinës Juglindore, ka çuar një numër gjithnjë e më të madh banorësh të zonës, sidomos gra, drejt pasurimit në vitet e fundit.

Wu Lin-i u rrit vetëm nga e ëma, e cila, e mbetur pa punë, nisi të merrej me mbjelljen e fidanëve dhe luleve në vitin 1996 për të nxjerrë bukën e gojës. Për të lehtësuar barrën financiare të familjes së saj, Wu ndoqi një shkollë profesionale pylltarie, me shpresën për të mësuar disa aftësi praktike. Pas përfundimit të studimeve në vitin 2003, në moshën 17-vjeçare, ajo filloi të punonte në dyqanin e luleve të administruar nga nëna e saj.

"Në ato ditë e kaloja pothuajse të gjithë kohën në dyqan, duke u kujdesur për të e duke kërkuar të gjeja marrëveshje të reja biznesi gjatë ditës, dhe duke bërë llogaritë e duke mësuar netëve. Vetëm gjatë Festës së Pranverës mund të gjeja kohë për të bërë dy ditë pushim. Në një kthinë që nuk ishte përdorur kurrë më parë, vendosa një shtrat të vogël e një tryezë dhe e ktheva atë në një konvikt ", sjell ndër mend Wu.

Por biznesi i Wu Lin-it dhe i së ëmës do të merrte një goditje të fortë në vitin 2006, kur fidanishtja e luleve e tyre u shkatërrua nga tajfuni "Saomai", më i fuqishmi që kishte goditur Kinën prej afro 60 vjetësh. "U ndjeva tmerrësisht zemërlëshuar dhe, madje, mendova të hiqja dorë. E megjithatë gjeta forca për të pasur një fillim të ri," shprehet Wu.

Në vitin 2010 Wu Lin-i u bë drejtore e përgjithshme e Kooperativës Profesionale të Luleve "Fenglin". Në fillim atë e shqetësonin shumë problemet financiare. "Ne shpesh nuk kishim para për transport pasi bënim blerje, prandaj duhej t'i çoja vetë mallrat në shtëpi duke i mbajtur në krahë, dhe shkoja te të afërmit për të marrë borxh", tregon Wu Lin-i.

Po përsëri falë vendosmërisë, ajo i kaloi problemet financiare. Megjithatë, një problem tjetër që doli përpara ishte ngurrimi i fshatarëve për t'iu bashkuar kooperativës së luleve. Jingu, 400 metra mbi nivelin e detit, ka kushte të favorshme natyrore për mbjelljen e luleve e të fidanëve. Megjithatë, fshatarët ishin të pavendosur për t'iu bashkuar biznesit të Wu Lin-it, për shkak të perspektivave të paqarta. Prandaj Wu çoi mbi 20 prej tyre për të vizituar një fshat malor në provincën Zhejiang të Kinës Lindore. Pas mbërritjes, ata panë se, ndonëse mjedisi aty nuk ishte aq i mirë sa i fshatit të tyre, banorët vendorë kishin arritur pasurimin nëpërmjet mbjelljes së luleve e të fidanëve. Kështu ata fituan besim dhe entuziazëm për të punuar me Wu-në.

Geng Shixiao, banor i Jingu-së, thotë: "Gruaja ime dhe unë punonim në qytet. U kthyem dhe nisëm punë në kooperativën e luleve. Tani ne të dy fitojmë 3 000 juanë (435 dollarë) në muaj. Të ardhurat e përgjithshme të familjes sime arrijnë të paktën 70 000 deri në 80 000 juanë (10 000-11 500 dollarë) në vit."

Kooperativa e ka zgjeruar sipërfaqen e tokës në pronësi, duke krijuar mbi 200 mundësi punësimi për banorët e Jingu-së. Po ashtu, kushtet e jetesës së 1320 familjeve në nëntë fshatra afër janë përmirësuar, për shkak të ndikimit të saj. Të frymëzuara nga Wu Lin-i, 60 gra kanë krijuar bizneset e tyre, duke ndihmuar në zbutjen e varfërisë.

Kur u pyet për zhvillimin e ardhshëm, Wu thotë se ëndrra e saj është të ngrejë një park modern bujqësor. Përveç kësaj, ajo planifikon të organizojë trajnime agroteknike dhe të promovojë kultivimin e bimëve të reja dhe teknikat e përparuara në mbarë krahinën, duke synuar zhvillimin e turizmit me bazë lulet, si ato të qershisë në pranverë dhe lulediellin në verë.

"Gjysma e popullsisë së fshatit tonë punon në qytete për të fituar më shumë. Nëse integrojmë turizmin rural, shitjen e luleve dhe të ashtuquajturën 'zbavitje bujqësore' në tërësi, problemi i punësimit të shumë njerëzve mund të zgjidhet, " thotë sipërmarrësja e re, e pagëzuar edhe si "mbretëresha e luleve" nga fshatarët që ajo ka ndihmuar të ecin drejt pasurimit.

Mrekulli
Lajmet Kryesore