Turizmi, shpresa për zhdukjen e varfërisë në Xinjiang

2018-10-02 10:51:45 CRI Komenti juaj Printoni

Rajoni Autonom i Xinjiang-ut në pjesën veriperëndimore të Kinës ka burime të pasura turistike. Këtu gjen male, pyje, kullota, shkretëtirë, lumenj, liqene dhe ujëvara të bukura. Një pasuri tjetër janë kombësitë e ndryshme që jetojnë këtu, me traditat dhe zakonet e tyre interesante.

Turizmi në Xinjiang është duke njohur një zhvillim të shpejtë. Vitin e kaluar 107 milionë veta e vizituan këtë rajon, një shifër rekord kjo, me një rritje 34.2 % krahasuar me vitin 2016. Turizmi tani po shihet si një mjet për të luftuar varfërinë në këtë pjesë në perëndim të Kinës.

Autoritetet e Xinjiang-ut tashmë po synojnë të nxjerrin 300 000 banorë të kësaj province nga varfëria nëpërmjet turizmit deri në vitin 2020.

Turpani është një qytet në Xinjiang-un Lindor. Ekonomia e tij mbështetet kryesisht te bujqësia, para së gjithash në rritjen e pambukut, dhe të perimeve e frutave, sidomos të rrushit. Ai përbën zonën më të madhe të prodhimit të rrushit në Kinë.

Në Turpan, zyra e turizmit ka marrë tashmë një sërë masash për të ndihmuar personat në gjendje jo të mirë ekonomike. Megjithëse ndërgjegjësimi jo i madh për rolin e turizmit në mesin e banorëve dhe investimet e publiciteti i pamjaftueshëm paraqesin pengesa, autoritetet e pushtetit vendor janë optimistë se turizmi do të japë një ndihmesë të madhe në zbutjen e varfërisë.

Ajihan Wushouer nga kombësia ujgure pa dyshim ishte shumë e gëzuar dhe e emocionuar kur në vitin 2014 të ardhurat vjetore të familjes së saj u dyfishuan, duke arritur në 20 000 juanë (rreth 3000 dollarë).

71-vjeçarja, që banon në Baiximaili, në të ashtuquajturën Luginë e Rrushit në Turpan, kurrë nuk kishte bërë kaq shumë para në një vit të vetëm.

Shtatë anëtarët e familjes së saj e siguronin jetesën duke kultivuar dhe shitur rrush. Në vitin 2014, atyre iu ofrua një mënyrë të re për të fituar: mbështetja te turizmi. Që atëherë, shitja e ushqimit për turistët është bërë burim i rëndësishëm i të ardhurave të familjes.

Në ditët më të ngarkuara me punë, Ajihan Wushouer-i mund të shesë rreth 200 pjata me pilaf tradicional të Xinjiang-ut, që bëhet me oriz, karrota dhe mish qengji. Një pjatë kushton 20 juanë, ose rreth 3 dollarë.

Shtëpia e Ajihan Wushouer-it u zgjodh nga pushteti vendor, së bashku me pesë shtëpi të tjera në fshatin Baiximaili, si vend pilot për të provuar se sa efektiv është turizmi në zbutjen e varfërisë, shprehet Guli Tursun-i, anëtare e këshillit të Baiximaili-së, e ngarkuar me menaxhimin e çështjeve të turizmit.

Lugina e Rrushit ku gjendet Baiximaili, është një pikë turistike e kategorisë 5A (niveli më i lartë i klasifikimit për një pikë turistike në Kinë). Lugina, siç e tregon edhe emri i saj, është e njohur për rrushin e cilësisë së lartë që prodhohet aty.

Shtëpitë e përzgjedhura për projektin pilot u ofrojnë turistëve ushqim, udhërrëfim turistik dhe strehim.

"Para se të niste zbatimi i projektit të eliminimit të varfërisë nëpërmjet turizmit, rruga e keqe e fshatit u asfaltua dhe u rinovua sistemi i ujërave të zeza. Ne gjithashtu u mësojmë pjesëtarëve të familjeve ku zbatohet projekti se si të menaxhojnë shërbimin e mikpritjes së turistëve," shprehet Guli Tursun-i.

Duke parë dhe duke dëshiruar edhe ato suksesin, tani gjithnjë e më shumë familje në Baiximaili po përfshihen në prirjen e zhvillimit të turizmit për të zbutur varfërinë. "Tani me dhjetëra familje në fshat po ofrojnë shërbime turistike," thotë Tursun-i.

Akbar Niyaz-i fitoi më shumë se 50 000 juanë gjatë verës nga bujtina e tij në periferi të Turpanit. "Disa nga turistët ishin nga provincat Hubei ose Sichuan. Vitet e fundit kemi pasur më shumë turistë dhe ata kanë qëndruar më gjatë se më parë," thotë Niyaz-i.

Sipas tij, vjelja e rrushit dhe vizita në sistemin e lashtë nëntokësor të ujitjes të qytetit kanë qenë gjërat e parapëlqyera nga turistët.

Projekti pilot në Luginën e Rrushit është një pjesë e vogël e planit më të gjerë të administratës të turizmit të Xinjiang-ut për të ndihmuar 300 000 banorë të këtij rajoni të dalin nga varfëria nëpërmjet turizmit brenda vitit 2020.

(Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore