Forumi Veror i Davosit: "Një brez, një rrugë" favorizon të gjithë pjesëmarrësit

2018-09-25 15:54:49 CRI Komenti juaj Printoni

Si një pjesë e rëndësishme e Forumit Veror të Davosit 2018, pak kohë më parë u zhvillua në Tianjin të Kinës Veriore nënforumi "Ndërtimi i rrugës për inovacionin në kuadër të 'Një brez, një rrugë'". Elita e politikës dhe e biznesit nga vende e rajone të ndryshme u mblodh për të diskutuar dhe ndarë arritjet dhe përvojën lidhur me nismën "Një brez, një rrugë". Pjesëmarrësit ishin të mendimit që vetë koncepti "Një brez, një rrugë" është një risi. Në të ardhmen, është e nevojshme që të shtohet në mënyrë të vazhdueshme inovacioni, për të siguruar që "Një brez, një rrugë" të zhvillohet më tej dhe të sjellë përfitime për të gjitha vendet dhe pjesëmarrësit.

Kryetari i Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës të Kinës He Lifeng bëri të ditur në këtë forum se nisma "Një brez, një rrugë" ka filluar të zbatohet që prej pesë vjetësh dhe ka arritur rezultate shumë të pasura, duke i kaluar parashikimet. Ai tha se gjatë pesë vjetëve të fundit, Kina ka nënshkruar 150 marrëveshje bashkëpunimi me vendet dhe organizatat ndërkombëtare dhe ka arritur një mirëkuptim të gjerë për ndërtimin e "Brezit" dhe "Rrugës". Në të njëjtën kohë, Kina dhe vendet përgjatë "Një brez, një rrugë" kanë forcuar gjithnjë e më shumë lidhjet ekonomiko-tregtare. Gjatë pesë vjetëve të fundit, vëllimi i përgjithshëm i import-eksportit të Kinës me vendet përgjatë "Një brez, një rrugë" ka arritur rreth 6 trilionë dollarë amerikanë dhe investimet kineze në këto vende i kanë kaluar 80 miliardë dollarët. Sipas statistikave fillestare, ndërmarrjet kineze kanë krijuar më shumë se 240 mijë vende pune në vendet e përfshira në nismën "Një brez, një rrugë". Krahas kësaj, afro 4000 kompani kineze kanë përfunduar procesin e lokalizimit në këto vende, duke filluar prodhimin. Në pesë vjetët e fundit, udhëtimi i trenave të rregullt Kinë-Europë është rritur nga disa dhjetëra herë në vit në afro 4000 herë në vitin 2017, teksa numri i përgjithshëm i udhëtimeve në këto linja ka arritur mbi 10 300.

He Lifeng-u thotë se risia është një element shumë i rëndësishëm për të promovuar zbatimin e nismës "Një brez, një rrugë".

"Ne mendojmë se inovacioni ka dy pika shumë të rëndësishme. E para është përtëritja dhe formimi i konceptit të 'Një brez, një rrugë', që përfshin pranimin e opinioneve të kundërta, bashkekzistencën paqësore, mësimin nga njëri-tjetri dhe përfitimet e përbashkëta. Dhe në këtë proces, të gjithë i njohin parimet e zbatimit të nismës 'Një brez, një rrugë': konsultime të përbashkëta, ndërtim i përbashkët dhe ndarje e përbashkët. Krahas kësaj, ky koncept fokusohet edhe në pesë ndërlidhjet: në politikë, infrastrukturë, tregti, investime dhe kulturë. Këto koncepte janë shumë të reja ndër vendet e botës. Me nxitjen e një risie kaq të madhe, zbatimi i nismës 'Një brez, një rrugë' është i qëndrueshëm," thotë He Lifeng-u.

Letonia ndodhet në Europën Verilindore. Ajo është një nga vendet që ka reaguar pozitivisht ndaj nismës "Një brez, një rrugë". Presidenti letonez Raimonds Vejonis tha në këtë forum se pjesëmarrja e vendit të tij në nismën "Një brez, një rrugë" ka si qëllim vendosjen e një bashkëpunimi të ngushtë me Kinën dhe tërë botën. Ai shpreson që nëpërmjet ndërtimit infrastrukturor të ofrohen më shumë shërbime për njerëzit dhe që nëpërmjet shkëmbimit të dijes e kulturës, kompanitë të përmirësojnë jetesën e njerëzve me teknologjitë e tyre të reja.

"Ne mund të gjejmë disa gjëra pozitive që shkojnë përtej projektit konkret dhe shtrihen në shumë projekte të tjera. Ne mund të përpiqemi të shohim se si ky projekt mund të bëhet një objektiv më i përditësuar dhe më i gjerë në një mënyrë të re. Objektivi i ri për të cilin po flas sigurisht është një objektiv në të mirë të çdo vendi, qoftë të Kinës, qoftë të Letonisë ose të vendeve të tjera, të mëdha apo të vogla. Një objektiv i tillë mund të na ndihmojë që të krijojmë bashkërisht lulëzimin, përparimin shoqëror dhe zhvillimin e vendeve të ndryshme. Nga kjo anë, ne mund të realizojmë çdo projekt, pavarësisht vështirësive, e të kemi rezultate të mira," shprehet presidenti i Letonisë Vejonis.

Mbështetja e fuqishme financiare është një garanci e rëndësishme për zhvillimin e vazhdueshëm të nismës "Një brez, një rrugë". Gjetja e mënyrave për tërheqjen e më shumë kapitaleve ndërkombëtare dhe investimeve lidhur me "Një brez, një rrugë" ishte një temë e nxehtë në këtë forum. Lidhur me këtë, zv.guvernatori i Bankës Aziatike të Investimeve Infrastrukturore (BAII), Joachim von Amsberg, thotë që inovacioni do të sjellë më shumë investime për ndërtimin e "Një brez, një rrugë". Ai thekson se, që nga krijimi i saj, BAII ka vendosur standarde të rrepta për investimet në projekte ndërkombëtare, gjë që favorizon financimin shumëpalësh.

"Me triliona dollarë amerikanë të investuara në infrastrukturë, disa prej këtyre fondeve përsëri nuk mund të plotësojnë të gjitha nevojat e 'Një brez, një rrugë'. Ne të gjithë i dimë triliona dollarë që mund të investohen, të cilat janë në duart e investitorëve institucionalë. Synimi i tyre kryesor është që të bëjnë investime në tregjet e reja. Nëse krijojmë risi të mjaftueshme në këtë drejtim, mund të çlirojmë fondet e këtyre investitorëve dhe ata mund të jenë më të gatshëm të investojnë në projektet infrastrukturore, në vendet në zhvillim e në ekonomitë e reja," thotë Joachim von Amsberg, zv.guvernatori i Bankës Aziatike të Investimeve Infrastrukturore. (Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore