Sipërmarrësja që ndihmon bashkëfshatarët e saj nëpërmjet mbarështimit të dhive

2018-09-25 15:52:38 CRI Komenti juaj Printoni

Liu Jinxiu ështënjë sipërmarrëse 39-vjeçare nga një fshat malor në kontenë Luotian të provincës qendrore kineze Hubei, e cila i ka ndihmuar fermerët e varfër të rrisin të ardhurat e tyre nëpërmjet mbarështimit të dhive gjatë disa viteve të fundit.

Kur ishte 12 vjeçe, Liu Jinxiu-së i duhej të braktiste shkollën, për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike të familjes së saj. Më vonë ajo u largua nga shtëpia për të punuar në qytet, me shpresën që të përmirësonte kështu jetën e familjes së saj.

Për 12 vjet, Liu Jinxiu bëri punë të ndryshme, duke filluar nga punëtore në një fabrikë e shitëse, deri në edukatore kopshti, për ta provuar më pas fatin e vet në biznes, si pronare e një dyqani veshjesh.

Për shkak të përpjekjeve dhe të këmbënguljes së saj të vazhdueshme, Liu Jinxiu u bë një sipërmarrëse e suksesshme që kur ishte vetëm 25 vjeçe, ndërkohë që krijoi edhe familjen e vet të lumtur në qytet.

Të gjitha këto bën që kujtimet e varfërisë të mbeteshin larg Liu Jinxiu-së, por gjërat ndryshuan kur ajo vendosi të bëjë një vizitë në fshatin e vet. "U trondita nga ajo që pashë gjatë rrugës. Kurrë nuk e kisha menduar se vendlindja ime ende po luftonte me varfërinë," kujton ajo.

Shumë të rinj qenë larguar nga fshati për të punuar në qytetet e mëdha dhe kishin mbetur kryesisht të moshuarit ose ata që ishin të pamundur fizikisht. Liu Jinxiu arriti në përfundimin se gjendja në vendlindjen e saj ishte keqësuar. Ajo vendosi ta ndryshonte një gjë të tillë e të bënte përpjekje për t'i larguar fshatarët nga varfëria. "Duke parë atë varfëri, më lindi ideja për ta ndihmuar vendlindjen time," thotë Liu Jinxiu.

Dy vjet më vonë, me mbështetjen e babait të vet, ajo e shndërroi idenë e vet në realitet. Ata vendosën të shfrytëzojnë pyjet dhe burimet e pasura ujore të zonës për të rritur dhinë e zezë të malit Dabie.

Në fillim të vitit 2004, Liu Jinxiu mori me qira një sipërfaqe të malit. Por ndërsa biznesi filloi të futej në një rrugë të mbarë, një zjarr i madh dogji një pjesë të madhe të pyllit. Ndërkohë, në vitin 2008, bora e madhe bëri që Liu të humbte më shumë se 300 000 juanë (mbi 43 000 dollarë amerikanë).

Megjithatë, sipërmarrësja e re këmbënguli në marrjen me blegtori, gjë që vazhdonte ta shihte jo vetëm si një mundësi biznesi për veten, por edhe si mënyrën më të mirë për t'i udhëhequr banorët vendorë në rrugën e daljes nga varfëria shekullore.

Ajo i nxiti fermerët të ndiqnin shembullin e saj, duke krijuar Kooperativën e Rritjes së Dhisë së Zezë, ku numri i fermerëve që u anëtarësuan arriti në 7 700. Më shumë se 3 000 prej tyre kanë dalë tashmë tërësisht nga varfëria, duke përfshirë edhe rreth 340 familje që ishin në varfëri të skajme, ndërkohë që objektivi i Liu Jinxiu-së është që asnjë anëtar i kooperativës së krijuar prej saj të mos bëjë më pjesë në radhët e të varfërve. Në fund të vitit të kaluar, të ardhurat e familjeve të varfra arritën në 20 000 juanë (rreth 3 mijë dollarë), ndërkohë që 80 % e familjeve të tilla pritet të dalin nga varfëria sivjet.

Për të ndihmuar më mirë banorët në zhvillimin e biznesit të tyre, Liu Jinxiu krijoi në vitin 2011 Kompaninë e Shkencës dhe Teknologjisë Bujqësore të Hubeit dhe organizoi një grup profesional të fokusuar në kërkimet shkencore.

Liu Jinxiu thotë se pengesa për zbutjen e varfërisë qëndron në mendjen e njerëzve. Nëse hiqet kjo pengesë, varfëria mund të mbetet vetëm një kujtim i së kaluarës.

Për kontributin e saj për fermerët dhe lehtësimin e varfërisë në fshat, Liu Jinxiu është nderuar me çmime të ndryshme. Ajo gjithashtu është bërë anëtare e organit më të lartë ligjvënës në Kinë, Asamblesë Kombëtare Popullore. Në sesionet vjetore të këtij organi ajo ka paraqitur propozime që synojnë sigurimin e ndihmës për uljen e varfërisë, kryesisht duke ndihmuar fermerët e varfër të merren me blegtori.

Liu Jinxiu shprehet: "Është jorealiste të mbështetemi te familjet e varfra që ta bëjnë gjithçka vetë. Zyrtarët duhet të identifikojnë sektorët kryesorë dhe t'i përdorin ato si bazë për lehtësimin e varfërisë, duke bashkuar të gjitha familjet e varfra në përpjekjet për daljen nga varfëria."

Mrekulli
Lajmet Kryesore