"Kodi" i Ningxia-s për zhvillimin ekonomik

2018-09-20 10:53:02 CRI Komenti juaj Printoni

Rajoni Autonom Ningxia-Hui në Kinën Veriperëndimore u krijua në vitin 1958. Me promovimin e nismës "Një brez, një rrugë", Ningxia- Hui, që është një rajon as "kufitar", as "bregdetar", është bërë zona e parë pilot e hapjes ekonomike në pjesën e brendshme të Kinës. Tani Ningxia ka vendosur lidhje dhe bashkëpunim ekonomik e tregtar me më shumë se 130 vende e rajone dhe ka krijuar marrëdhënie miqësore ndërkombëtare me 57 organe të pushtetit vendor në 49 vende. Vitin e kaluar, vëllimi i përgjithshëm i import-eksportit mes rajonit Ningxia dhe vendeve përgjatë "Një brez, një rrugë" arriti në 8.27 miliardë juanë.

Kryeqendra e Rajonit Autonom Ningxia-Hui, Yinchuan, është qyteti i vetëm në pesë provincat e Kinës Veriperëndimore që ka fluturime të drejtpërdrejta me Dubain. Në muajin maj 2016, kompania "Emirates Airlines" hapi një linjë të drejtpërdrejtë ajrore nga Dubai për në Yinchuan. Pas hapjes së kësaj linje, Deng Junyuan, që bënte biznes në Guangdong, hapi kompaninë e postës ndërkombëtare në Zonën e Pezullimit Tatimor të Yinchuan-it dhe e kaloi në Yinchuan të gjithë transportin e mallrave nga vendet e Lindjes së Mesme, të cilat hynin më parë në Kinë nëpërmjet porteve të Guangdong-ut. Kjo jo vetëm kursen dy ose tre ditë, por edhe ka ulur koston e transportit me 20 %.

"Kompania 'Emirates Airlines' ka hapur një linjë të drejtpërdrejtë ajrore për në Yinchuan. Mbi bazën e fluturimeve të tilla të drejtpërdrejta, (është shpejtuar) koha e transportit dhe (është ulur) kostoja. (Koha e transportit) është shkurtuar të paktën dy-tre ditë dhe mallrat që dërgohen për në Europë dhe në Amerikë përmes Yinchuan-it janë në rritje graduale. Kur fillova biznesin vjet, ishin rreth 20 mijë mallra, kurse deri në javën e kaluar, numri i mallrave i kaloi 200 mijët," thotë Deng Junyuan.

Në Zonën e Pezullimit Tatimor të Yinchuan-it, linjat e drejtpërdrejta kanë stimuluar edhe biznesin e përpunimit të arit. Ndërmarrjet mund të shfrytëzojnë fluturimet e drejtpërdrejta dhe fluturimet tranzit për të importuar ar përkatësisht nga Dubai e Hong-Kongu dhe pastaj t'i shesin në këto dy qytete pas dizenjimit e përpunimit. Vëllimi i shitjes së produkteve të arit është rritur në mënyrë të vazhdueshme. Kryemenaxheri i Zonës së Pezullimit Tatimor të Yinchuan-it Shi Zongzhi tregon se në të ardhmen Lindja e Mesme do të jetë fokusi i produkteve të arit të përpunuara në Yinchuan.

"Tani mbulimi i tregut të Dubait me produktet tona vazhdon të rritet. Për shembull, në fillim në Dubai eksportonim 10-20 kilogramë produkte të tilla si unazat, varëset dhe byzylykët, kurse tani eksportojmë më shumë se 60 kilogramë në muaj. Me shtimin e vazhdueshëm të llojeve të produkteve tona, përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së prodhimit dhe zgjerimin e pandërprerë të tregut në Lindjen e Mesme, ne parashikojmë që deri në vitin 2020, 80 % e prodhimit tonë do të eksportohet në Lindjen e Mesme," thotë Shi Zongzhi.

Me thellimin e bashkëpunimit në kuadër të nismës "Një brez, një rrugë", bashkëpunimi ndërkombëtar në fusha të ndryshme në Ningxia është zhvilluar shumë. Kompania e gomave "Shenzhou" është krijuar tre vjet më parë. Kryeinxhinieri i kompanisë Luo Zhonglin thotë se "Shenzhou" jo vetëm ndjek standardet mjedisore të "ekonomisë së riqarkullueshme" në procesin e prodhimit, por edhe me cilësinë e shkëlqyer të produkteve, ka pasur shitje të mira në tregun kinez dhe tregjet e huaja, veçanërisht në vendet përgjatë "Një brez, një rrugë".

"I kemi eksportuar produktet tona në vendet përgjatë 'Një brez, një rrugë', si Arabia Saudite dhe Iraku. Tani ne i shesim produktet tona në 120 vende, kryesisht në SHBA, Europë dhe Lindjen e Mesme," thotë Luo Zhonglin.

Prodhuesja më e madhe e silicit monokristalor në botë, "Longji", e ka selinë në Yinchuan dhe furnizon vazhdimisht me produktet e saj vendet në mbarë botën. Menaxheri i përgjithshëm i strategjive i kompanisë "Longji" Shang Yaohua shpjegon që silici monokristalor është një material i rëndësishëm për sektorin fotovoltaik.

"Në vendet përgjatë 'Një brez, një rrugë', kemi ndërtuar dy fabrika shumë të mëdha. E para ndodhet në Kuching të Malajzisë. Kemi investuar në një fabrikë me zinxhir të plotë prodhimi, që tani është baza më e madhe e sektorit fotovoltaik në Azinë Juglindore dhe punëson mbi 2000 veta. E dyta ndodhet në Andhra të Indisë. Të dyja palët kemi nënshkruar një marrëveshje investimi për qeliza dhe module fotovoltaike me kapacitet 1 GW. Parashikojmë që deri në fund të vitit 2019, fabrika jonë në Indi do të fillojë prodhimin me kapacitet të plotë. Fabrika në Malajzi e ka nisur prodhimin vitin e kaluar," shprehet Shang Yaohua.

Tani në Rajonin Autonom të Ningxia-Huit ka gjithsej 140 kompani të huaja nga 28 vende e rajone të botës. Duke folur për bashkëpunimin ndërkombëtar, zv.guvernatori i Ningxia-s Hao Liuhu thotë:

"Në fakt, Ningxia ka bërë investime në Parkun Industrial Kinë-Oman të Duqm-it, Parkun Industrial Kinë-Arabi Saudite të Zan Zan-it dhe Parkun e Integruar Industrial e Detar Kinë-Mauritani. Këto tre parqe janë të rëndësishme në strategjinë kombëtare të Kinës. Veçanërisht Parku Industrial i Duqm-it dhe Parku Industrial i Zan Zan-it janë përfshirë ndër 20 parqet kryesore industriale jashtë Kinës. Qeveria e Omanit ka konfirmuar që do të ofrojë 1.8 miliardë metra kubë gaz natyror çdo vit."

Në histori, zona ku ndodhet Rajoni Autonom Ningxia-Hui ka qenë një pikë e domosdoshme kalimi e Rrugës së lashtë të Mëndafshit dhe ka pasur shumë qendra të rëndësishme tregtare. Ndërsa sot, rajoni Ningxia-Hui, me epërsitë e tij të veçanta në politika, vendndodhje, burime, industri dhe mjedis, po krijon një bazë të fortë zhvillimi, duke nxitur zhvillimin e hapur të ekonomisë së zonave të brendshme. (Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore