Shen Jianzhong-u, njeriu i pasuruar nga "pjeshkat zana"

2018-09-20 10:52:39 CRI Komenti juaj Printoni

Kur Shen Jianzhong-u u diplomua dhe u kthye në vendlindjen e tij, në kontenë Wulong të Chongqing-ut në Kinën Jugperëndimore, një i njohur i moshuar shpesh i thoshte: "Ti nuk duhej të ishe kthyer, këtu nuk bëhet para".

Por Shen-i provoi se i moshuari e kishte gabim. Në dy dhjetëvjeçarët e fundit, plantacioni i tij i pjeshkëve jo vetëm i ka sjellë Shen Jianzhong-ut pasuri dhe e ka bërë emrin e tij të njohur në zonën përreth e më gjerë, por gjithashtu ndihmoi që bashkëfshatarët e tij të hyjnë në rrugën e pasurimit.

Vendlindja e Shen Jianzhong-ut, Wulong-u, ka qenë një konte e varfër. Ajo është e njohur për peizazhin e veçantë karstik. Toka këtu është e shkëmbore dhe e thatë, prandaj nuk është e përshtatshme për bujqësi.

Në vitin 1996, Shen Jianzhong-u, që sapo ishte diplomuar në një kolegj bujqësor, vendosi të fillonte biznesin e vet të rritjes së pjeshkave. Në fakt, që gjatë studimeve ai e kishte marrë vendimin që, pas diplomimit, të mbillte pemë frutore, në vend që të gjente një punë në sektorin e shërbimit publik, një punë që në vërtetë shpesh shihet si një ëndërr nga të rinjtë në zonat rurale.

Shen Jianzhong-u vendosi të merrej me kultivimin e pjeshkave në Fazi (Faxë), një fshat i thellë malor me rreth 2 000 banorë në lokalitetin Houlu. Në vitin 2014, rreth 10 për qind e banorëve të këtij fshati kishin të ardhura nën kufirin kombëtar të varfërisë.

"Në të kaluarën banorët në Fazi mbillnin vetëm kultura tradicionale, si misri dhe patatet, të cilat sjellin përfitime më të vogla ekonomike krahasuar me drurët frutorë, të cilët mund të sjellin të ardhura me vlerë 10-20 herë më të madhe se kulturat tradicionale", thotë Shen Jianzhong-u.

Shen-i shpenzoi 10 000 juanë (afro 1 500 dollarë amerikanë) për të marrë me qira 3.3 hektarë tokë në një kodër jopjellore, për të mbjellë pjeshka. Dheu aty ishte shumë i varfër për të kultivuar drithëra ose bimë të tjera.

"Ne kemi një thënie se një tas me dhe është i barabartë me një tas me ushqim," shprehet Shen Jianzhong-u. "Dheu është shumë i çmuar këtu."

Dhe kështu në tre vjetët e parë ai dhe e shoqja duhej të çonin dhe me krahë në kodër, duke e mbajtur në krahë. Ata llogarisin se kanë bërë 100 000 rrugë të tilla përgjatë asaj periudhe.

Pas vitesh studimi dhe eksperimentimi, Shen-i krijoi një lari pjeshke, të cilën e quajti "pjeshka zanë", sipas emrit të malit Xiannyu aty pranë (që në gjuhën kineze do të thotë pikërisht "Mali i Zanave"). Pjeshka mund të përshtatet mirë me mjedisin e atyshëm dhe ka ngjyrë, madhësi dhe cilësi të jashtëzakonshme.

Shen-i, tashmë 47 vjeç, ka sot 40 hektarë me pjeshka, prej të cilave fiton rreth 1 milion dollarë amerikanë në vit. Ai i tregton tashmë frutat e tij edhe në internet.

Të frymëzuar nga suksesi i tij, edhe shumë fshatarë filluan të mbjellin pjeshka dhe fruta të tjera, duke përfshirë kumbulla dhe kivi.

Në vitin 2012, Shen Jianzhong-u krijoi kooperativën e parë në fshatin e tij. Ai u mësoi fermerëve njohuritë e tij në kultivim dhe menaxhim dhe nxiti konceptet e rritjes së frutave në mënyrë ekologjike dhe shkencore. Me ndihmën e tij, më shumë se 200 familje të fshatit kanë filluar të kultivojnë pjeshka dhe të dalin nga varfëria.

"Suksesi i Shen-it i ka mbushur njerëzit këtu me shpresë dhe besim," thotë Xie Yuxiang-u, kryetari i lokalitetit Houlu. "Shumë të rinj janë kthyer në fshat për t'u marrë me bujqësi."

Fshati Fazi ka sot 10 kooperativa, duke përfshirë shtatë që merren me pemëtari. Të 60 familjet e varfra të fshatit u janë bashkuar këtyre kooperativave, duke pasur kështu mundësi të njihen me teknologjinë e kultivimit dhe të hyjnë në tregje të ndryshme.

Deri në fund të vitit të kaluar, rritja e frutave, sidomos e pjeshkave dhe e kumbullave, ndihmoi në uljen më shumë se 2 % të varfërisë në Fazi dhe pritet ta bëjë një gjë të tillë me ritme edhe më të shpejta në të ardhmen. (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore