Wu Wenfang-u, sipërmarrësja e mbarështimit të bagëtive

2018-08-30 14:09:58 CRI Komenti juaj Printoni

Wu Wenfang-u është një sipërmarrëse nga fshati që ka një dashuri të madhe për vendlindjen e vet. Ajo kaloi nga biznesi i ndërtimit në atë të mbarështimit të bagëtive edhe me qëllimin për t'i ndihmuar bashkëfshatarët e vet të arrijnë pasurimin jo duke shkuar nëpër qytete për të punuar, por duke qëndruar pranë shtëpisë së tyre e duke u marrë me bujqësi e blegtori. "Mënyra më e mirë për t'ia shpërblyer shoqërisë dhe njerëzve pranë meje është të bëj disa gjëra konkrete për kauzën e madhe të uljes së varfërisë", thotë ajo.

58-vjeçarja Wu Wenfang është nga konteja Shanyang, në provincën Shaanxi të Kinës Veriperëndimore. Ajo i është përkushtuar rritjes së të ardhurave të fermerëve vendorë nëpërmjet biznesit të saj të mbarështimit të bagëtive gjatë katër vjetëve të fundit.

Para se të fillonin këtë biznes, Wu Wenfang-u dhe bashkëshorti i saj kishin një kompani ndërtimi. Ata kontraktuan mbi 40 projekte, të tilla si hidrocentrale, ura, rrugë dhe ndërtesa. Gjatë kësaj periudhe, kompania punësoi më shumë se 200 banorë vendorë.

Në vitin 2014, pasi grumbulluan përvojë dhe vunë kapital, Wu dhe i shoqi vendosën të bënin diçka për vendlindjen e tyre.

"Unë jam rritur në fshat, kështu që e njoh anën e ëmbël dhe të hidhur të jetës së fshatit. Prapambetja dhe varfëria e vendlindjes sonë gjithmonë kanë qenë shqetësim për burrin tim e për mua," thotë Wu Wenfang-u.

Pas kthimit në fshat, çifti shpenzoi 18 milionë juanë (2.63 milionë dollarë amerikanë) për të ndërtuar një të ashtuquajtur "park të mbarështimit ekologjik" pranë shtëpisë së tyre, duke krijuar po ashtu një kompani të re.

"Për sa kohë që punoni shumë dhe jeni në gjendje të përballoni vështirësitë, do të arrini sukses në biznesin e mbarështimit të gjësë së gjallë," thekson Wu Wenfang-u.

Në fillim, ajo vizitoi shumë parqe industriale të zonës bashkë me të shoqin, për të mësuar lidhur me mbarështimin.

Më pas kompania e tyre vendosi bashkëpunim me Universitetin Veriperëndimor të Bujqësisë dhe Pylltarisë.

Me mbështetjen teknike të universitetit, Wu Wenfang-u dhe i shoqi ngritën një bazë të mbjelljes së foragjereve, një punishte të përpunimit të plehrave organike dhe një fabrikë të përpunimit të mishit, duke krijuar kështu një zinxhir industrial ekologjik.

Deri më sot, çifti ka ngritur pesë fabrika, dy parqe industriale, dy baza dhe 13 kooperativa, të cilat arrijnë një fitim të përgjithshëm vjetor me një vlerë prej 20 milionë juanësh (ose afërsisht 2.92 milionë dollarë amerikanë)

Por edhe më e rëndësishmja, është se biznesi i Wu Wenfang-ut ka zgjidhur problemin e punësimit të mbi 150 fshatarëve. Prej tyre, 42 janë nga familje të varfra dhe një e treta kanë aftësi të kufizuara fizike.

Vjet kompania e Wu Wenfang-ut dhe e bashkëshortit të saj nënshkroi një marrëveshje për mbjelljen e 320 hektarëve me bimë foragjere me 1 500 familje nga 28 fshatra vendore. 830 prej këtyre familjeve jetojnë tani në varfëri.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje pritet të sjellë mbi 3.3 milionë juanë (482 mijë dollarë) të ardhura vjetore shtesë për fermerët vendorë.

"Që nga fillimi ne vendosëm si objektiv të ndihmonim bashkëfshatarët tanë të shpëtonin nga varfëria," thotë Wu. "Me përjashtim të stafit tonë teknik, ne përpiqemi që fillimisht të punësojmë ata që janë nga familjet e varfra".

Tani biznesi i Wu Wenfang-ut renditet ndër kryesorët në pjesën jugore të provincës Shaanxi. Ajo thotë: "Për sa kohë që unë do të jem në krye të kompaninë sime, unë do të vazhdoj të ndihmoj njerëzit."

Duke folur lidhur me planet e saj për të ardhmen, Wu Wenfang-u shprehet: "Do të vazhdoj të zgjeroj shkallën e mbarështimit të bagëtive, të siguroj forma të ndryshme ndihme dhe të bëj çmos për të ndihmuar në zhvillimin e vendlindjes sime."

Dhe në fund ajo shton: "Unë do t'i udhëheq bashkatdhetarët e mi të arrijnë mirëqenie relative së bashku më mua".

Mrekulli
Lajmet Kryesore