Kubuqi, magjia e pasurimit në shkretëtirë

2018-08-21 16:58:25 CRI Komenti juaj Printoni

Shkretëtira Kubuqi ndodhet në Ordos të Mongolisë së Brendshme të Kinës. Sipërfaqja e saj është 18.6 mijë kilometra katrorë dhe është shkretëtira e 7-të më e madhe në Kinë. Kohët e fundit, me përpjekjet e pandërprera nga qeveria, kompanitë dhe banorët vendorë, mjedisi në Kubuqi është përmirësuar në mënyrë efektive dhe bujqit e blegtorët janë pasuruar gjatë procesit të sistemimit të shkretëtirës.

Thellimi i Reformës dhe hapjes dhe shtimi i vazhdueshëm i fuqisë kombëtare të Kinës kanë sjellë edhe përmirësimin dhe restaurimin e mjedisit ekologjik të shkretëtirës së Kubuqit. Bujqit dhe blegtorët kanë kaluar shkallë-shkallë nga mbjellja e pemëve në restaurimin ekologjik, bujqësinë, blegtorinë e pylltarinë intensive, si edhe në turizëm. Tani, në fshatin Daotugacha, të ardhurat vjetore të banorëve mund të arrijnë në 120 mijë juanë. 40-vjeçari Sirenbabu është banor i këtij fshati. Ai jo vetëm ka oborrin turistik dhe kullotën e vet, por gjithashtu rrit viça dhe qingja. Ai është krenar për jetën e vet.

"Burimi kryesor i të ardhurave të mia është oborri im turistik, rrëshqitja në rërë dhe argëtimi në ujë. Të ardhurat e përgjithshme neto të mia tani arrijnë më shumë se 100 mijë juanë, ose rreth 150 mijë juanë," thotë banori i fshatit Daotugacha Sirenbabu.

Familja e Gao Maohu-së, i cili jeton në fshatin Hangjinzhuoer, tani është e mirënjohur si "familje me miliona juanë". Vetëm 20 apo 30 vjet më parë, tokat e Gao Maohu-së nuk mjaftonin për të ushqyer as familjen e tij. Duke filluar nga mbjellja e një fidani të vogël, Gao Maohu nënshkroi një kontratë për mbjelljen e rreth 100 mijë akrave kineze (6600 hektarë), duke i udhëhequr fshatarët për gjelbërimin e shkretëtirës dhe për mbjelljen e bimëve ekonomike, si jamballi. Si rezultat, ata janë pasuruar së bashku.

"Ne kemi marrë mbështetje të fuqishme nga qeveria dhe kemi siguruar investime të shumta nga kompanitë për gjelbërimin e shkretëtirës. Tani ne nuk kemi nevojë të dalim jashtë për të gjetur rrënjë jamballi, por i mbjellim vetë, duke formuar zinxhirin industrial. Kam qenë shumë i varfër, por pas shumë vitesh pune, kam fituar ca para. Fshati më ka caktuar si sekretar nderi dhe dëshiron që t'i drejtoj fshatarët për pasurimin e përbashkët," thotë Gao Maohu.

Gao Maohu është udhëheqësi i ekipit të parë të punëtorëve pranë grupit "Yili", që është ndërmarrja kryesore e kontrollit të rërës në Kubuqi. Që nga viti 2004, kjo kompani i ka inkurajuar punëtorët nga fshati të marrin rol udhëheqës për formimin e ekipeve të kontrollit të rërës dhe të zbatojnë projekte të mbjelljes të mbështetura te tregu, duke mobilizuar bujqit dhe blegtorët të marrin pjesë në kontrollin e rërës dhe zhvillimin ekologjik. Presidenti i grupit "Yili", Wang Wenbiao u shpreh:

"Bujqit dhe blegtorët në fakt janë punëtorë për ne. Ata marrin përfitime, si edhe frytet e gjelbërimit. Të gjithë janë entuziastë. Kjo është edhe kërkesa e përbashkët e kompanisë sonë."

Sipas statistikave, tani grupi "Yili" ka gjithsej 232 ekipe punëtorësh, që kanë nxitur daljen nga varfëria të 102 mijë bujqve dhe blegtorëve. Tani ka më shumë se 80 kompani që po merren me kontrollin e rërës, si grupi "Yili".

Sipas statistikave, gjatë periudhës 2011-2015, investimet e përgjithshme nga qeveria dhe qarqet e ndryshme për zhvillimin dhe restaurimin ekologjik në Ordos kanë arritur mbi 19.1 miliardë juanë, pothuajse 50 herë më shumë se investimet e përgjithshme në këtë drejtim që nga themelimi i Kinës së Re deri në vitin 2011. Këto kanë sjellë mundësi si kurrë më parë për nxjerrjen e bujqve dhe të blegtorëve nga varfëria. Sekretari i bashkisë së Ordosit Niu Junyan u shpreh:

"Ne ngulim këmbë për përfitimin e banorëve nëpërmjet projekteve ekologjike. Kemi integruar kontrollin e rërës dhe kontrollin e varfërisë, duke i nxitur bujqit dhe blegtorët për pyllëzimin dhe zhvillimin e degëve të veçanta të bujqësisë në shkretëtirë. Në të proces, kemi integruar edhe sektorët e kontrollit të rërës dhe zinxhirin e prodhimit ekologjik, duke realizuar pasurimin nëpërmjet kontrollit të shkretëtirëzimit dhe vazhdimin e këtij kontrolli gjatë pasurimit."

Me mbështetjen e qeverisë dhe pjesëmarrjen e ndërmarrjeve, deri tani në shkretëtirën Kubuqi është sistemuar një sipërfaqe prej mbi 6000 kilometrash katrorë, janë gjelbëruar mbi 3200 kilometra katrorë, është krijuar një pasuri ekologjike prej mbi 500 miliardë juanësh dhe janë krijuar mbi 1 milion vende pune. Fshatarët dhe barinjtë janë pjesëmarrës, mbështetës, si edhe përfitues nga kontrolli i rërës. Kur strategjia shtetërore, plani i ndërmarrjeve dhe dëshira e qytetarëve integrohen, kjo sjell një energji gjigante, që krijon "magjinë e gjelbër" në shkretëtirë.

Në vitin 2017, suksesi i kontrollit të rërës në Kubuqi u përfshi në Deklaratën e OKB-së. Zv.sekretari i përgjithshëm i OKB-së dhe drejtori ekzekutiv i Programit të Mjedisit Erik Solheim thotë që me modelin e Kubuqi-së, OKB-ja mund të ofrojë më shumë përvojë për vendet e tjera të botës. (Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore