Stevia, "ëmbëlsuesi" i fermerëve të Kinës Veriore

2018-08-21 16:58:19 CRI Komenti juaj Printoni

Stevia është një bimë, gjethet e së cilës përdoren për të prodhuar një ëmbëlsues jokalorik me të njëjtin emër, i cili mund të shërbejë si zëvendësues shumë i mirë i sheqerit. Megjithëse origjina e kësaj bime është Amerika Jugore, sipas "Zenith Global", një firmë e njohur konsulence në industrinë ushqimore, Kina është tani prodhuesja më e madhe e stevias në botë. Kërkesa globale për ëmbëlsues alternativë si stevia po rritet me shpejtësi, ndërsa Azi-Paqësori po bëhet tregu më i madh për këtë lloj produkti, duke zënë më shumë se gjysmën e kërkesës së përgjithshme. Kompanitë prodhuese kineze po i shtojnë investimet në një ëmbëlsues të tillë si stevia për të plotësuar kërkesën në rritje në vend dhe në mbarë botën. Klientët e mëdhenj, si "Coca-Cola", "Pepsi" dhe "Starbucks" po përqendrohen më shumë në ëmbëlsuesit natyrorë ekzotikë si stevia, duke sjellë rritjen e kërkesës dhe të mundësive për prodhuesit kinezë, e bashkë me këtë ka çuar edhe në zgjerimin e kultivimit të bimës së stevias në Kinë. Një firmë bujqësore në rajonin e Mongolisë së Brendshme në pjesën veriore të Kinës po ndihmon në luftën ndaj varfërisë dhe në sjelljen e përfitimeve për fermerët duke kultivuar këtë bimë.

Në zonën Jalaid të Mongolisë së Brendshme është krijuar një kompani që filloi rritjen e bimëve të stevias një dhjetëvjeçar më parë. Fillimisht ajo importonte fidanë nga Japonia dhe që atëherë e ka zgjeruar sipërfaqen e mbjellë me këtë bimë nga 1 214 hektarë në më shumë se 4 047 hektarë.

Stevia, e cila nxirret nga gjethet e bimëve me të njëjtin emër, "është natyrore, shumë e ëmbël dhe pa kalori", thotë Wang Gang-u, i cili drejton projektin e zbutjes së varfërisë në Jalaid. "Fidanët e stevias janë aq të hollë e të butë, saqë nuk ka asnjë makinë që të jetë e përshtatshme për trajtimin e tyre, kështu që punësojmë fermerë vendorë për t'i transplantuar ato".

Më tej Wang shton: "Stevia është e ngjashme me ëmbëlsuesin që përdoret në 12 kanaçet e 'Coca-Cola'-s që pi përditë presidenti i ShBA-së Donald Trump".

Stevia është 200 herë më e ëmbël se sheqeri, por mungesa e kalorive e bën të dobishme për shëndetin, veçanërisht për ata që vuajnë nga diabeti e tensioni i gjakut, për parandalimin e sëmundjeve të dhëmbëve etj.

Gjethet e stevias që prodhohen në Jalaid u dërgohen kompanive përpunuese e prodhuese në provincën Jiangxi të Kinës Lindore dhe më pas eksportohen në Shtetet e Bashkuara, Japoni dhe Korenë e Jugut nëpërmjet Malajzisë.

Kina është vendi me sipërfaqen më të madhe të mbjellë me stevia në botë, duke zënë afro 90 për qind të vëllimit të përgjithshëm, megjithatë sipas Shoqatës së Stevias të Kinës, tregu i brendshëm po rritet ngadalë, gjë që tregon se ende ka një potencial të madh të pashfrytëzuar.

"Stevia është një produkt i të ashtuquajturit treg i nevojave të veçanta, kështu që çmimi i saj luhatet shumë", shprehet Du Wenyi, kryetari i kompanisë së stevias të Jalaid-it. "Por shpesh stevia sjell përfitime më të mëdha se misri, parametri që ne përdorim për të përcaktuar nëse një kulturë bujqësore ia vlen të kultivohet".

Vlera e tregut të stevias u rrit nga 336 milionë në vitin 2014 në 578 milionë vjet. Me këto ritme parashikohet që brenda disa vjetëve vlera të arrijë në 1 miliard dollarë.

Kjo rritje i ka dhënë frytet e saj edhe në Jalaid. Vitin e kaluar, të ardhurat mesatare vjetore të 1 534 fermerëve ishin 30 000 juanë (mbi 4 300 dollarë amerikanë), një rritje dhjetëfish në krahasim me vitin 2012.

Kompania gjithashtu ndihmon fermerët me aftësi të kufizuara duke i regjistruar ata në një program dhënieje dividentësh dhe duke u caktuar atyre punë të lehta bujqësore.

"Stevia është një nga katër kulturat që na japin një epërsi ndaj konkurrentëve dhe na sjellin përfitime të qëndrueshme afatgjata për të ndihmuar edhe njerëzit në nevojë të dalin nga varfëria", thotë Du Wenyi.

Kështu, mund të thuhet se stevia është jo vetëm një ëmbëlsues që po përdoret gjithnjë e më shumë nga ata që tregojnë kujdes e vëmendje për shëndetin, por edhe po "ëmbëlson" jetën e fermerëve që merren me kultivimin e bimës nga del ky produkt. (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore