Ndërmarrjet e qytetit Jinjiang futen në tregun ndërkombëtar

2018-08-14 17:02:17 CRI Komenti juaj Printoni

Jinjiang-u ka qenë një qytet i rëndësishëm në Rrugën Detare të Mëndafshit në Kinën e lashtë dhe ka pasur një tregti mjaft të lulëzuar me botën e jashtme. Tani, në frontin e Reformës dhe Hapjes të Kinës, gjithnjë e më shumë ndërmarrje të Jinjiang-ut janë futur në tregun ndërkombëtar dhe ky qytet po shndërrohet nga një qendër prodhimi në qendër markash.

Në fakt, rruga e zhvillimit të kompanive në Jinjiang filloi me "ushqimin" dhe "veshjen", që janë të lidhura ngushtë me njerëzit e thjeshtë. Grupi i ushqimit "Panpan", një nga ndërmarrjet vendase, i eksporton prodhimet e veta në më shumë se 40 vende e rajone. Në vitin 2017, niveli i shitjeve të këtij grupi në tregjet e jashtme i kaloi 7 miliardë juanët. Kryetari i grupit Cai Jin'an bëri të ditur që në të ardhmen "Panpan" do të krijojë fabrika në ASEAN dhe disa vende evropiane.

"Tani kemi krijuar një kompani në Filipine. Shumë prej lëndëve të para janë importuar nga Indonezia, Tajlanda, Kanadaja, Australia dhe vende të tjera. Tani ne krijojmë kompani së pari dhe pastaj i shesim të gjitha produktet. Kur i shesim deri në një nivel, krijojmë fabrika dhe ky është një hap drejt ndërkombëtarizimit," thotë Cai Jin'an.

Një tjetër ndërmarrje e Jinjiang-ut që është futur në tregun ndërkombëtar, është kompania e veshjeve "Qipai". Në listën e 500 markave me vlerën më të madhe të Kinës, të publikuar nga Laboratori Botëror i Markave në qershorin e vjetshëm, "Qipai" ndodhet në vendet e para me vlerë mbi 42.5 miliardë juanë.

Kompania "Qipai" u krijua në vitin 1979, pothuajse në të njëjtën kohë kur në Kinë filloi Reforma dhe Hapja. Pas 40 vjetëve zhvillim, "Qipai" ka hapur më shumë se 3500 dyqane në mbarë Kinën. Kryetari i "Qipai"-t Hong Zhaoshe tha në një intervistë se kompania e tij tani po merret me zgjerimin në tregun ndërkombëtar:

"Nëse ndërmarrjet dalin jashtë vendit, kjo do të ndihmojë shumë në zhvillimin e tyre në të ardhmen. Prandaj tani po zgjerojmë biznesin tonë në tregjet e huaja. Po hartojmë një numër planesh, disa prej të cilave janë tani në zbatim konkret, si tregtia elektronike dhe krijimi i degëve të kompanisë jashtë vendit. Për të gjitha këto punë ne po bëjmë planifikim" .

Tregtia elektronike që ka përmendur Hong Zhaoshe tani është bërë një platformë e re me anë të së cilës ndërmarrjet e Jinjiang-ut duan të zgjerojnë biznesin e tyre në tregun ndërkombëtar. Kryemenaxheri i grupit "Dry-Port" në provincën Fujian, Li Zixing, u shpreh që për kompanitë e Jinjiang-ut tregtia elektronike po luan një rol të madh për zgjerimin e biznesit në mbarë botën.

"Tregtia elektronike ndërkufitare ka pasur zhvillim shumë të shpejtë në vitet e fundit. Jinjiang-u ka bazën e mirë të cilësisë të 'Prodhimit të Jinjiang'-ut. Produktet e prodhuara në Jinjiang kanë epërsi në çmim, si edhe një bazë të mirë cilësie. Sipas gjendjes së tregtisë elektronike ndërkombëtare, në të ardhmen produktet e Jinjiang-ut mund të kenë një pozicion shumë të favorshëm në vendet e zhvilluara. Përveç kësaj, me zhvillimin e shumëllojshëm të tregtisë, tregtia elektronike ndërkufitare është bërë një pjesë plotësuese e tregtisë tradicionale," thotë Li Zixing.

Përveç tregtisë elektronike ndërkufitare, vitet e fundit ndërmarrjet e Jinjiang-ut kanë marrë pjesë edhe në tregun global nëpërmjet blerjeve ndërkufitare. Vlera e kompanisë së produkteve sportive "Anta", e njohur në mbarë Kinën, ka kaluar mbi 100 miliardë dollarë hongkongas, duke u renditur e treta në mbarë botën për sa u përket kompanive të artikujve sportivë. Nënkryetarja e kompanisë "Anta", Li Ling, tha se vitet e fundit "Anta" ka përshpejtuar hapat e depërtimit në tregun global, duke blerë marka të njohura ndërkombëtare, si "Fila", "Descente" dhe "Sprandy". Ajo tha se strategjia e shumë markave mund ta nxisë kompaninë të zhvillohet më shpejt dhe më mirë në sektorin sportiv global.

"Disa vjet më parë krijuam një degë në Rusi dhe kemi pika shitjeje në tregun e Azisë Juglindore. Tani po hapim një degë në Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë mundësinë për një seli rajonale përgjegjëse në Azinë Juglindore në të ardhmen. Ne do të përpiqemi për të arritur shpejt një objektiv zhvillimi në pesë vjetët e ardhshëm që biznesi jashtë vendit të përbëjë rreth 20% të biznesit të përgjithshëm të grupit tonë. Ky është objektivi ynë fillestar. Aktualisht ne jemi në Shtetet e Bashkuara, që është një treg i nivelit shumë të lartë i sektorit të artikujve sportivë në botë. Ne shpresojmë që të gjejmë më shumë mundësi zhvillimi në këtë treg," thotë nënkryetarja e kompanisë "Anta", Li Ling.

Krahas këtyre kompanive, edhe grupi "Heng'an" po planifikon zgjerimin ndërkombëtar. "Heng'an" është krijuar në vitin 1985 dhe është prodhuesi më i madh i letrave të përdorimit të përditshëm dhe produkteve të higjienës për nëna dhe foshnja në Kinë. Kryemenaxheri i marrëdhënieve publike i këtij grupi Chen Fapei u shpreh se me mbështetjen e nismës "Një brez, një rrugë", grupi "Heng'an" ka shpejtuar hapat e tij të zgjerimit në tregun global.

"Qysh nga viti 2016, kemi shpejtuar procesin tonë të zgjerimit në tregun ndërkombëtar. Në 2016-2017 në Malajzi, kemi blerë një kompani të regjistruar në bursë, që merret me prodhimin e pelenave të foshnjave. Ndërkohë, kemi filluar investimet në Indonezi dhe Rusi. Në korrikun e sivjetshëm kemi investuar në një fabrikë për prodhimin e brumit të letrës. Të gjitha këto janë një pjesë e planit tonë për tregun global. Në të ardhmen, në sfondin e nismës 'Një brez, një rrugë', unë besoj që grupi 'Heng'an' do të ketë një zhvillim të shpejtë nga tregu i brendshëm në tregun botëror," thotë Chen Fapei. (Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore