Ha Lijuan-i, biznesmenia e re e arsimit dhe shëndetit

2018-08-07 14:31:56 CRI Komenti juaj Printoni

Ha Lijuan-i është një grua që sapo ka hyrë në të 30-tat, por me gjithë moshën e vet relativisht të re, ajo është kthyer tashmë në një biznesmene të suksesshme në një prej rajoneve më të pazhvilluara të Kinës, duke ndihmuar në përpjekjet për të luftuar kundër varfërisë pikësëpari me njërin prej mjeteve më efektive, arsimimin e të rinjve.

Ha Lijuan-i ka lindur në Rajonin Autonom Ningxia-Hui të Kinës Veriperëndimore. Për shkak të kushteve gjeografike dhe klimatike, Ningxia-Hui është një prej rajoneve më të varfra të Kinës dhe për një kohë të gjatë të rinjtë aty e kanë parë arsimimin si një prej rrugëve për t'i shpëtuar kësaj varfërie. Nga një gjë e tillë nuk bëri përjashtim as Ha Lijuan-i. Duke studiuar me zell, ajo arriti të fitojë të drejtën për të ndjekur studimet në Universitetin e Naftës në Pekin. Por pas diplomimit në vitin 2006, në vend që të bënte si shumica e shokëve dhe shoqeve të saj të universitetit dhe të kërkonte të gjente një punë të mirë e të sigurt në shtet, Ha Lijuan-i kishte ndër mend diçka tjetër. Me gjithë kundërshtimin e fortë të familjes, e reja vendosi të nisë biznesin e vet privat. Por Ha Lijuan-i e pranon edhe vetë se në fillim as ajo nuk kishte shumë ide të qarta për atë që po bënte. "Isha si e përhumbur në atë kohë, sepse, si një njeri pa përvojë, nuk e dija mirë cila rrugë mund të më çonte drejt suksesit", thotë Ha.

Por më në fund ajo e qartësoi cili do të ishte sektori ku do ta zhvillonte biznesin e vet.

"Pas hulumtimit, vendosa të investoja në fushën e arsimit në vendlindjen time," vëren Ha Lijuan-i.

Mund të thuhet se ishte një vendim largpamës, po të marrësh parasysh ndër të tjera se më pas autoritetet kineze do të hartonin një plan serioz për nxjerrjen e dhjetëra milionë vetave nga varfëria brenda vitit 2020. Për të realizuar këtë objektiv theksi është vënë edhe te ndihma për arsimimin e fëmijëve dhe të të rinjve në zonat e varfra.

Dhe në këtë mënyrë, për t'i vënë në praktikë idetë e saj, me para të huajtura nga miqtë dhe të afërmit, Ha Lijuan-i themeloi një shkollë të mësimdhënies së gjuhës angleze dhe filloi regjistrimin e nxënësve, që në fillim natyrisht numëroheshin me gishtat e dorës. Ha Lijuan-i thotë se vështirësitë ishin më të mëdha sesa i kishte marrë me mend ajo, por vajza e re nuk u tërhoq nga rruga e re ku kishte vendosur të ecte.

"U kushtova rëndësi të madhe metodave të mia të mësimdhënies dhe isha e rreptë me nxënësit e mi, prandaj ecuria e tyre u përmirësua dukshëm shumë shpejt më pas," rrëfen Ha Lijuan-i.

Puna e saj u mirëprit gjerësisht prej prindërve të nxënësve, gjë që e rriti ndjeshëm numrin e nxënësve të saj, duke e çuar në afro 100.

Dhe me shtimin e nxënësve sigurisht edhe fitimet e shkollës së Ha Lijuan-it erdhën duke u rritur dhe ajo bleu një shtëpi për familjen e saj të re që sapo kishte krijuar, teksa investoi edhe për hapjen e katër shkollave të tjera.

"Babai im shpesh më thoshte se fillimi i një biznesi nuk është kurrë i lehtë. Për të treguar se isha e aftë, duhej të arrija diçka," thotë Ha Lijuan-i.

Megjithatë, pikërisht kur karriera e saj e biznesit në fushën e arsimit nisi të kishte një rritje të shpejtë, fëmija i Ha Lijuan-it u sëmur rëndë. Kur ajo, si çdo nënë, kërkoi të gjente mjekimin më të mirë të mundshëm për fëmijën e vet, e kuptoi edhe më shumë hendekun e madh të zhvillimit në përgjithësi, dhe të shërbimit shëndetësor në veçanti, midis rajoneve perëndimore të Kinës ku ndodhej vendlindja e saj, dhe atyre lindore, veçanërisht në metropole si Pekini dhe Shangai.

Për këtë arsye, pasi fëmija e saj u bë mirë, Ha krijoi një shkollë të formimit profesional, për të përgatitur një ekip profesionist infermieresh për vendlindjen e saj.

Por përsëri fillimi i këtij biznesi të ri ishte më i vështirë nga sa e priste Ha Lijuan-i. Në fillim me të ardhurat e fituara ajo nuk ishte në gjendje as të paguante punonjësit e punonjëset e saj. Por përsëri Ha Lijuan-i nuk u mposht nga vështirësitë e nuk u tërhoq para tyre. Ajo vazhdoi dhe ia doli më në fund.

Tashmë si një biznesmenë e suksesshme, Ha Lijuan-i nuk e shmang as përgjegjësinë e vet shoqërore. Ndër të tjera, ajo ofron shërbime falas për përgatitjen e mamive, duke u dhënë atyre ​​certifikata, në mënyrë që pasi të përfundojnë kursin ato të kenë mundësi të punësohen.

Mrekulli
Lajmet Kryesore