Banorët e Kubuqi-së, pasurim nga "zbutja" e shkretëtirës

2018-07-31 11:06:26 CRI Komenti juaj Printoni

Varfëria shpesh shkon paralel me një mjedis të ashpër. Megjithatë, në shkretëtirën Kubuqi në Kinën Veriperëndimore, ka ndodhur një mrekulli. Pas menaxhimit intensiv shkencor, një e treta e kësaj hapësire të madhe djerrë tani është e mbuluar me gjelbërim dhe me rrugë. Bujqit dhe blegtorët kanë lëvizur në shtëpi të reja, dhe disa prej tyre kanë ngritur edhe bujtina për të pritur turistët. Po ashtu janë ndërtuar edhe shkolla, që do të thotë se arsimimi i fëmijëve të zonës nuk është më vetëm një ëndërr, por një realitet që do të ndihmojë në përpjekjet e banorëve për daljen nga varfëria.

Gjatë pranverës në shkretëtirën Kubuqi, ngjyra e gjelbër ndërthuret me ngjyrën e verdhë të rërës. Kur perëndon dielli, ajo që sheh shpesh këtu nuk është silueta e deveve, por dritat e fuoristradave.

Përpjekjet për kontrollin e shkretëtirëzimit në Kubuqi u kanë dhënë banorëve vendorë si Mengke Dalai më shumë mundësi punësimi. Mengke madje hapi një biznes turizmi, i cili ka rritur ndjeshëm të ardhurat e tij.

"Në të kaluarën, për të shkuar në qendër të komunës duhej më shumë se një ditë. Ne duhej të kalonim shkretëtirën dhe Lumin e Verdhë. Kurse tani mund të arrijmë për një orë ose pak më shumë," thotë 38-vjeçari i kombësisë mongole. Dikur rrugët ishin diçka që ai vetëm mund t'i ëndërronte.

Banorët donin të kishin një rrugë që t'i lidhte me botën e jashtme, por kur sipërmarrësi Wang Wenbiao propozoi ndërtimin e një autostrade që të kalonte në brendësi të shkretëtirës, ​​Mengke Dalai dhe shumë të tjerë nuk e besonin se një gjë e tillë mund të ndodhte.

Por kjo u bë realitet, madje u ndërtuan një numër autostradash, që jo vetëm i kanë lidhur banorët me botën e jashtme, por edhe u kanë sjellë atyre pasurimin. Grupi "Elion" ka investuar 1.28 miliardë juanë që nga viti 1996 për ndërtimin e pesë autostradave në shkretëtirë - gjithsej 343 km.

Në vitin 1996, pushteti vendor i zhvendosi barinjtë që bënin një jetë të shpërndarë në shkretëtirë, në një lagje të re të ndërtuar me një investim më shumë se 10 milionë juanë. Lëvizja në shtëpinë e re i dha fund jetesës nomade të Mengke Dalai-t pa energji elektrike e pa ujë të rrjedhshëm. Ai hapi po ashtu një bujtinë dhe, së bashku me pesë fermerë të tjerë, bleu 13 autostrada, duke u futur në biznesin e turizmit të shkretëtirë, që filloi të lulëzonte. Të ardhurat vjetore të Mengke Dalai-t u shtuan nga 10 000 juanë (1450 dollarë) në mbi 300 000 juanë (mbi 43 500 dollarë). "Kjo tokë dikur e shkretë është shndërruar në një fushë pasurie. Tani të rinjtë, të cilët dikur e linin shkretëtirën për të jetojnë diku gjetkë, po kthehen. Kurrë nuk do të duhet të vuajmë përsëri!" thotë me bindje Mengke.

Dhe një bindje të tillë duket se e ka edhe Aote Genhua, kryetarja e fshatit Daotu, të cilën bashkëfshatarët e saj e quajnë dhe "Motra Lule", për shkak të fytyrës së saj gjithmonë të buzëqeshur. Stuhitë e rërës që godisnin rregullisht fshatin janë ende një kujtim i gjallë për "Motrën Lule". Gjithmonë kur dilte nga shtëpia, ajo vishte një kapelë dhe një maskë, edhe nëse ishte ditë me diell.

"Ëndrra ime më e madhe është ta shoh shkretëtirën të kthyer në një oazë të gjelbër dhe që banorët këtu të kenë një jetë më të mire e më të qëndrueshme," thotë ajo. "Kur dëgjova lajmin se pushteti vendor dhe disa kompani do të mbillnin pemë këtu, nuk mund ta besoja dhe mendova se ishte një shaka. Megjithatë, unë pashë të ndodhte një mrekulli mu përpara syve të mi!"

Aote Genhua tani është një përkrahëse e fortë e pyllëzimit të shkretëtirës e merr pjesë aktive në të, duke krijuar ekipin e vet të mbjelljes së pemëve.

Për shkak të kërkesës së madhe për mbjelljen e pemëve, gjithnjë në pranverë ka mungesë të fuqisë punëtore. Aote Genhua punëson rreth 70-80 veta nga provinca Gansu çdo vit. Por ekipi i saj nuk është i vetmi, por ka rreth 200 grupe të tilla që merren me mbjelljen e pemëve. Në vitin 2009, ekipi i Aote Genhua-së u bashkua me ekipin e pyllëzimit të Grupit "Elion", çka i rriti të ardhurat e tyre nga disa mijëra juanë në më shumë se 100 000 juanë, ose mbi 14 500 dollarë.

"Ne të gjithë e duam tokën dhe e mbështesim projektin e pyllëzimit", thotë Aote Genhua. "Gjatë viteve të fundit, ajo që kemi mbjellë ne nuk janë vetëm pemët, por edhe dëshirat tona për një jetë më të mirë. Zbukurimi i vendit me anë të gjelbërimit dhe ndihma ndaj fermerëve vendorë që të pasurohet, është ëndrra ime më e madhe."

Mrekulli
Lajmet Kryesore