Hainan-i, hapje e mëtejshme pas 30 vjetësh reformë dhe zhvillim

2018-07-31 10:55:55 CRI Komenti juaj Printoni

Para 30 vjetësh, Hainan-i ishte një ishull i izoluar detar në Kinën Jugore. Në muajin prill të vitit 1988, u krijua zyrtarisht provinca Hainan dhe u formua një zonë e posaçme ekonomike, duke u bërë e vetmja zona e posaçme ekonomike në rang province dhe duke filluar ndryshime të mëdha. Tani, pas ndryshimeve të shumta, Hainan-i po merr masa të mëtejshme për thellimin e Reformës dhe Hapjes, me synim që të krijojë një zonë të posaçme ekonomike "të veçantë".

Nëse flasim për ndryshimet në jetë, Wang Qiuxiang, pronarja e bar-kafesë "Caoliao Coffee" në fshatin Beireng të qytetit Qionghai është prej atyre që i kanë ndier më shumë këto ndryshime. Në të kaluarën, familja e saj jetonte në një kasolle me kashtë dhe çdo ditë ata shqetësoheshin për jetesën e tyre. Në atë kohë, Wang-u duhej të dilte jashtë fshatit për të punuar, por kjo nuk e ndryshoi gjendjen e varfër të familjes. Tani, me politikën e Hainan-it për fshatra të bukura, biznesi i bar-kafesë së saj ka lulëzuar shumë dhe tërheq turistë nga e gjithë bota.

"Më parë unë nuk doja të ftoja miq në fshatin tonë, por tani u dërgova atyre një mesazh me 'WeChat' për të parë se si ka ndryshuar fshati ynë. Më parë, unë mund të fitoja vetëm 1000 juanë në muaj dhe punova mbi dhjetë vjetë pa asnjë juan të kursyer në familje. Pasi hapëm bar-kafenë, kemi kursyer më shumë sesa paratë që fitova gjatë 10 vjetëve," thotë Wang Qiuxiang-u.

Që nga themelimi i zonës së posaçme ekonomike në vitin 1988, Hainan-i ka provuar me guxim disa "herë të para". Nga provimi dhe praktimi i idesë "Qeveri e vogël dhe shoqëri e madhe" deri në reformën "Provinca i menaxhon drejtpërdrejt qytezat"; nga një provincë pa asnjë semafor në një ishull turistik ndërkombëtar me mbi një milion vizitorë çdo vit; nga fshatrat e vegjël të peshkatarëve te shërbimet për Forumin e Boaos; dhe më pas për ndërtimin e nismës "Një brez, një rrugë" dhe të Qarkut Ekonomik Turistik të Detit të Kinës Jugore, Hainan-i tani është bërë një qendër e re e ndërkombëtarizuar me hapje dhe gjallëri.

Në prill të vitit 2018, Komiteti Qendror i PKK-së mori vendim që të mbështetë ndërtimin e një zone pilot të tregtisë së lirë në mbarë ishullin Hainan dhe të porti të tregtisë së lirë. Për ndërtimin e zonës pilot dhe të portit të tregtisë së lirë, Hainan-i planifikon të tërheqë 200 mijë talente deri në vitin 2020 dhe të arrijë objektivin "Një milion talente në Hainan" deri në vitin 2025. Wang Sheng-u është drejtori i zyrës së çështjeve të emigrantëve në Hainan. Ai bën të ditur që, për talentet ndërkombëtare, autoritetet e provincës po studiojnë hartimin e "Rregullores së shërbimeve dhe menaxhimit të të huajve në Hainan", me synim që të ngrenë nivelin e shërbimit.

"Talentet e huaja që përshtaten me kërkesat e zhvillimit të Hainan-it, pas konfirmimit nga zyra e ekspertëve të huaj e provincës, mund të aplikojnë për vizën R në zyrat konsullore dhe mund të marrin vizë me shumë hyrje 5-10 vjeçare. Afati maksimal i qëndrimit çdo herë është 180 ditë. Hainan-i do të lejojë studentët e huaj që kanë marrë gradën 'master' ose më lart në universitetet vendase të nisin bizneset e veta, duke mos kërkuar përvojë pune. Krahas kësaj, në Hainan personeli teknik nga vende të tjera, ose Hong-Kongu, Makao dhe Tajvani, lejohen që të punësohen dhe të marrin leje qëndrimi të përhershme," thotë Wang Sheng.

Autoritetet e Hainan-it njoftuan gjithashtu se do të krijojnë Zonën e Re Jiangdong në qytetin Haikou, si një zonë kyçe për ndërtimin e zonës pilot të tregtisë së lirë. Jiangdong-u ndodhet në bregun lindor të qytetit Haikou, me një sipërfaqe prej afro 298 kilometrash katrorë. Kjo zonë përbëhet nga zona lindore ekologjike dhe zona perëndimore e integrimit urban. Drejtori i Komisionit të Zhvillimit dhe Reformës të Hainan-it, Fu Xuanchao, u shpreh që Jiangdong do të shndërrohet në një zonë inovative me thellimin e gjithanshëm të reformës dhe hapjes.

"Do të krijojmë sistemin e politikave, modelin e mbikëqyrjes dhe sistemin e menaxhimit me lehtësi më të madhe në tregtinë e brendshme e të jashtme, investime e financime, çështjet fiskale e tatimore, risitë financiare, hyrje-daljet etj. Do të ndërtojmë një zonë komplekse për tregtimin e energjive, transportin ndërkombëtar, mallrat e paamblazhuara, tregtimin e aksioneve dhe të drejtave të lëshimit të karbonit. Do të ndërtojmë një zonë të përgjithshme ekonomike me ndërmarrje të famshme vendase e ndërkombëtare dhe institucione të njohura kërkimore e shërbimesh brenda e jashtë Kinës. Krahas këtyre, do të ndërtojmë qendrën ndërkombëtare të tregtimit financiar, zonën pilot offshore për novacion dhe nisjen e biznesit, si dhe një zonë ndërkombëtare arsimore," thotë Fu Xuanchao.

Hainan-i ka propozuar gjithashtu që të krijohet një zonë pilot e tregtisë së lirë me standard të lartë, me prag të lehtësuar hyrjeje në treg, dhe për investimet e huaja do të zbatohet modeli me trajtim kombëtar para hyrjes në tregun vendas e me listë negative dhe do të përpiqet të krijojë një sistem për portin me tregti të lirë në vitin 2025. (Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore