Tashi Tseji, biznesmenia që synon markën njëqindvjeçare

2018-07-24 09:25:03 CRI Komenti juaj Printoni

Tashi Tseji është një biznesmene e kombësisë tibetiane të Kinës nga provinca Qinghai, e cila e la punën e vet të mirë e të sigurt në shtet për të nisur sipërmarrjen private, me dëshirën për t'i bërë të njohura produktet e veçanta të vendlindjes së saj e për të përmirësuar jetën e banorëve vendorë.

Tashi Tseji ka lindur në prefekturën autonome tibetiane Yushu në provincën Qinghai të Kinës Veriperëndimore. Në vitin 1989, ajo u diplomua në ish-Kolegjin Ekonomik të Pekinit, që sot quhet Universiteti i Ekonomisë dhe Biznesit i Kryeqytetit, dhe pas diplomimit filloi punë në zyrën e tregtisë të vendlindjes së saj, Yushu-së. Pas disa vjetësh punë, Tashi Tseji i njihte mirë produktet e veçanta të Yushu-së. Duke marrë pjesë në panaire të ndryshme tregtare, Tashi vuri re se vlera e këtyre produkteve dhe e produkteve të provincës Qinghai në përgjithësi nuk njihej mirë nga tregtarët e zonave të tjera të Kinës, dhe ndonjëherë ajo nuk arrinte dot të nënshkruante qoftë edhe një kontratë të vetme.

Në gusht 1998, e ftuar nga njëra prej shoqeve të saj, Tashi mori pesë kuti me produkte të veçanta vendore, duke përfshirë të ashtuquajturat kërpudha larva, zambakë uji të dëborës dhe fruta xhenseni, për t'i shitur në Lanzhou, kryeqendra e provincës Gansu po në veriperëndim të Kinës.

Për befasinë e saj, Tashi i shiti të gjitha produktet brenda gjysmë dite. Suksesi i papritur ia forcoi asaj besimin, si edhe bindjen për potencialin tregtar të produkteve të veçanta të Qinghai-t.

Ishin ky besim dhe kjo bindje që e shtynë Tashi Tseji-në të bënte diçka të cilën shumë njerëz të tjerë do të ishin menduar mirë para se ta bënin. Ajo e la punën e shtetit që shumë të tjerë ia kishin zili, dhe nisi rrugën e sipërmarrjes në fund të vitit 2001.

Në fillim, familja dhe shoqëria e Tashi Tseji-së e kundërshtuan këtë ide, të cilën e quanin të rrezikshme, por ajo e kishte vendosur tashmë, jo thjesht për të pasuruar veten. "Vendlindja ime ka një bimësi të pasur e të rrallë. Me burime të tilla të veçanta natyrore, banorët e saj duhej të jetonin më mirë," thotë ajo.

Tashi hapi në Lanzhou dyqanin e vet të parë për shitjen e produkteve të veçanta të Qinghai-t, duke krijuar Kompaninë Tregtare "Sanjiangyuan".

Tashi e quajti kompaninë e saj "Sanjiangyuan", sipas rajonit në provincën Qinghai ku gjenden burimet e tre prej lumenjve më të mëdhenj në botë: Lumit të Verdhë, Jancesë dhe Mekongut. Tashi donte që njerëzit në mbarë botën të mësonin për Sanjiangyuan-in dhe produktet e tij.

Një vit më pas Tashi krijoi Kompaninë Farmaceutike "Sanjiangyuan", me seli në Xining, kryeqendra e provincës së saj të lindjes Qinghai, duke hapur degë të kësaj kompanie në tre nga qytetet më të mëdha të Kinës: Shangai, Xian dhe Pekin.

Tani dyqani i vogël i Tashi-së prej vetëm 10 metrash katrorë është shndërruar në një sipërmarrje të madhe, me pasuri që arrijnë në qindra miliona juanë. Suksesi i madh i Tashi Tseji-së dëshmoi se ajo mori vendimin e duhur kur la punën e saj të sigurt vite më parë.

"Kur kompania ime ishte e vogël, ndieja se më përkiste vetëm mua, por tani që pasuritë e saj i kanë kaluar miliona, e madje qindra milionë juanët, e kuptoj se ajo lidhet me interesat e mijëra njerëzve të tjerë, me shëndetin e mijëra konsumatorëve tanë. Sot kompania ime nuk ka asnjë mundësi tjetër përveçse të bëhet më e madhe, më e mirë e më e fortë", thotë Tashi.

Duke filluar nga viti 2014, kompania e Tashi-së ka blerë shumicën e bimëve mjekësore të vendlindjes së saj Yushu, gjë që ka rritur të ardhurat e banorëve dhe ka përmirësuar jetën e tyre

Në ditët e sotme, kompania e Tashi Tseji-së është bërë një sipërmarrje e teknologjisë bioindustriale, e cila integron kërkimin, prodhimin dhe shitjen. Më shumë se 400 produkte të saj shiten mirë në Kinën kontinentale, në Hong-Kong, Makao e Tajvan, si edhe në Japoni, Korenë e Jugut dhe vendet e rajonet e Azisë Juglindore.

Kompania ka fituar titullin "Markë e famshme tregtare e Kinës", si edhe "Markë e famshme e provincës Qinghai", duke u përfshirë edhe ndër 100 kompanitë kryesore të kësaj province.

Vetë Tashi Tseji ka fituar titullin "Sipërmarrëse e shquar kombëtare", çmimin e gruas biznesmene me arritje të shtuara etj.

Por dëshira më e madhe e Tashi-së është që kompania e saj që bëhet një markë e shquar njëqindvjeçare.

"Unë dua që, edhe kur ne të plakemi, marka jonë ende të vazhdojë të ekzistojë, e po ashtu edhe sipërmarrja, me shkëlqimin dhe ndikimin e saj, duke sjellë të mira edhe për brezat e ardhshëm", thotë Tashi Tseji.

Mrekulli
Lajmet Kryesore