17 vjetët e Kinës në OBT, rrugë me premtime të përmbushura

2018-07-17 15:33:54 CRI Komenti juaj Printoni

Pak ditë më parë, Zyra e Informacionit e Këshillit të Shtetit të Kinës ka publikuar librin e parë të bardhë "Kina dhe Organizata Botërore e Tregtisë". Në këtë libër shtjellohen në mënyrë sistematike kontributi i Kinës nëpërmjet zbatimit të premtimeve gjatë 17 vjetëve pas hyrjes së saj në OBT dhe mbështetjes së vendosur për sistemin e tregtisë shumëpalëshe, si dhe perspektivat dhe masat e Kinës për një nivel më të lartë hapjeje. Ky dokument ndihmon që jo vetëm të kuptohet më mirë kontributi që ka dhënë Kina qysh nga anëtarësimi në OBT, por edhe se përse Kina duhet të mbështesë fuqishëm sistemin e tregtisë shumëpalëshe me OBT-në në qendër.

Në periudhën e fillimit pas hyrjes së Kinës në OBT, industritë kineze përballonin konkurrencën e drejtpërdrejtë ndërkombëtare dhe hasnin vështirësi të mëdha. P. sh., automjetet e prodhuara në Kinë jo vetëm ishin të një niveli më të prapambetur se ato të vendeve të zhvilluara, por edhe taksat mbi automjetet e importuara arrinin deri në 100 % para se Kina të hynte në OBT. Pas anëtarësimit të Kinës në OBT, niveli i taksave është pakësuar në 25% dhe kompanitë kineze të automjeteve janë detyruar të bëjnë ristrukturimin e aseteve, duke vazhduar hapjen e tregut vendas për investitorët e huaj. Sipas statistikave, vlera e përgjithshme të automjeteve me kapacitet 1.5-3L të importuara në Kinë u rrit nga 890 milionë dollarë në vitin 2001 në 37.91 miliardë dollarë vjet, ndërsa numri i automjeteve të eksportuara arriti 891 mijë. Krahas kësaj, edhe teknologjia dhe niveli i menaxhimit e i shërbimeve janë rritur në mbarë industrinë e automjeteve të Kinës, e cila po integrohet gradualisht me zinxhirin global të vlerës.

Gjatë 17 vjetëve të fundit që nga hyrja në OBT, Kina, duke u përqendruar në tre angazhimet kryesore ndaj OBT-së: tregtia e mallrave, tregtia e shërbimeve dhe mbrojtja e të drejtave të pronësisë intelektuale, ka bërë rregullime të shumta të ligjeve dhe rregulloreve të pushtetit qendror dhe pushtetit vendor. Si rezultat, janë rishikuar mbi 2300 dispozita të qeverisë qendrore dhe 190 mijë të administratave vendore, duke u formuar sistemi i shqyrtimit mbi rregullat dhe dokumentet përkatëse. Në të njëjtën kohë, janë ulur në mënyrë të dukshme taksat e importit, është hapur më shumë tregu i shërbimeve dhe është shtuar mbrojtja e pronësisë intelektuale. Në gusht të vitit 2010, të gjitha premtimet e Kinës për hyrjen në OBT ishin përmbushur.

Sipas librit të bardhë, që në fillim të vitit 2010, vlera e përgjithshme e taksave doganore të Kinës shënoi rënie nga 15.3 % në 2001 në 9.8%. Një zëdhënës i Ministrisë së Tregtisë të Kinës theksoi në mars të këtij viti se, nëse merret parasysh struktura tregtare, niveli mesatar i taksave në Kinë është vetëm 4.4%, ndërsa në ShBA është 2.4%, në BE 3% dhe në Australi 4%.

Në fushën e tregtisë së shërbimeve, ndër 160 sektorët e 12 kategorive të shërbimeve të përcaktuara nga OBT-ja, Kina që në fillim të vitit 2007 ka përmbushur premtimet e saj për hapjen e 100 sektorëve të 9 kategorive, që është shumë afër me shifrën 108, niveli mesatar në vendet e zhvilluara. Në sektorin bankar, të kompjuterave dhe telekomunikacionit, janë lejuar kompanitë me investime plotësisht të huaja, kompanitë me aksione të huaja dhe kompanitë me trajtim kombëtar të favorizuar.

Vjet, 73 % e investimeve të huaja të drejtpërdrejta në Kinë ishin në tregtinë e shërbimeve. Në të njëjtën kohë, Kina ka krijuar në mënyrë aktive një sistem të plotë ligjor për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale dhe ka forcuar vazhdimisht zbatimin e ligjit. Që nga viti 2001, pagesat për pronësinë intelektuale në Kinë janë rritur me 17 % në vit dhe vitin e kaluar shuma arriti në 28.6 miliardë dollarë. Sipas të dhënave përkatëse, në vitin 2017 numri i aplikimeve nga Kina për patenta nëpërmjet Traktatit të Bashkëpunimit për Patentat arriti në 51 mijë, duke u renditur në vendin e dytë në botë, pas Shteteve të Bashkuara.

Megjithëse ka shumë dyshime për zbatimin e premtimeve për hyrjen në OBT nga Kina, shumica e anëtarëve të OBT-së i njohin veprimet konkrete të Kinës. Ish-Drejtori i Përgjithshëm i OBT-së Pascal Lamy madje i dha Kinës notën e lartë A+.

Lamy dikur është shprehur se ka shumë njerëz që u kushtojnë vëmendje vetëm eksporteve të Kinës, por nuk e kuptojnë se Kina është gjithashtu një importuese e madhe. Në vitin 2000, Kina zinte vendin e shtatë në botë për eksportin dhe të tetin për importin. Ndërkohë, gjatë 17 vjetëve të fundit që nga hyrja e saj në OBT, Kina është bërë eksportuesja më e madhe në botë dhe importuesja e dytë më e madhe. Si ekonomia e dytë më e madhe e botës, tregu më i madh, vendi që thith investimet më të mëdha të huaja dhe që zë vendin e dytë në botë për investimet jashtë vendit, Kina ka dhënë një ndihmesë të rëndësishme për rimëkëmbjen dhe rritjen e ekonomisë globale me hapjen e saj.

Qysh nga viti 2002, kontributi mesatar i Kinës për rritjen ekonomike globale arrin në afro 30%. Kjo prirje vazhdon edhe sot dhe është bërë një burim i energjisë pozitive dhe fuqisë nxitëse për zhvillimin ekonomik të botës. Produktet "e prodhuara në Kinë" kontribuojnë për zinxhirin global të vlerës dhe "Konsumi i Kinës" është bërë historia më mbresëlënëse në tregun global. Si partnerja kryesore tregtare e mbi 120 vendeve dhe rajoneve, vëllimi i importit të mallrave të Kinës është rritur me 13.5% në vit, shifër që është 6.9% më e lartë se mesatarja globale. Numri i udhëtimeve jashtë vendit të shtetasve kinezë shënoi 130 milionë në vitin 2017 dhe shpenzimet e turistëve kinezë jashtë vendit arritën në 115.29 miliardë dollarë amerikanë. Të gjitha këto kanë ofruar mundësi të mira për vendet e ndryshme të botës, duke krijuar vende pune e duke dhënë ndihmesë të madhe për pakësimin e varfërisë në botë.

Sistemi i tregtisë shumëpalëshe me OBT-në në thelb është baza e tregtisë ndërkombëtare. Kjo organizatë ka luajtur një rol kyç në nxitjen e zhvillimit të tregtisë globale dhe formimin të një ekonomie të hapur botërore.

Tani, kjo "OKB ekonomike" me 164 anëtarë, që përbëjnë 98 % të vëllimit të përgjithshëm tregtar të botës, po përballet me dyshime dhe debate nëse "është efektive apo jo". Sidomos kur po rritet prirja e antiglobalizimit dhe e proteksionizmit tregtar, kanë ndodhur shpeshherë raste që disa anëtarë e kanë mënjanuar OBT-në dhe kanë shkaktuar mosmarrëveshje tregtare.

Në këtë periudhë historike, libri i bardhë "Kina dhe Organizata Botërore e Tregtisë" pa dyshim ka dhënë një përgjigje të qartë për Kinën si një fituese në globalizim. Kina është një pjesëmarrëse aktive, mbrojtëse e fortë dhe kontribuese e rëndësishme në sistemin e tregtisë shumëpalëshe. Për këtë, Kina jo vetëm ofron mbështetje praktike me tarifat zero për vendet në zhvillim mes anëtarëve të OBT-së, por gjithashtu përpiqet t'i ofrojë botës produkte publike nëpërmjet nismës "Një brez, një rrugë" dhe sistemit të bashkëpunimit shumëpalësh, si tregtia e lirë, duke shpresuar që më shumë vende anëtare të OBT-së të sigurojnë përftime të përbashkëta.

Mund të parashikojmë që kur Kina të hapë më shumë dyert e saj, bota do të përfitojë më shumë nga zhvillimi i Kinës. Vendet e ndryshme mund të përballojnë të gjitha paqartësitë dhe të ndërtojnë një bashkësi fatesh të përbashkëta, vetëm kur të zbatojnë rregullat e OBT-së dhe të mbështesin sistemin e tregtisë shumëpalëshe të hapur, transparent, gjithëpërfshirës dhe jodiskriminues. (Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore