Linxia Hui, prefektura që po pasurohet nga arti i veçantë i gdhendjes së tullave

2018-07-17 15:33:18 CRI Komenti juaj Printoni

Prefektura autonome Linxia Hui, në provincën Gansu në veriperëndim të Kinës, është një zonë ku shumica e banorëve i përkasin fesë myslimane dhe janë kryesisht të kombësisë hui, një prej 55 pakicave kombëtarë të Kinës. Kjo zonë vlerësohet si një pikë lidhëse midis pjesës perëndimore e pjesës qendrore të Kinës dhe ka qenë një qendër tregtie përgjatë Rrugës së lashtë të Mëndafshit, duke u quajtur edhe si "port tokësor" i Kinës Perëndimore. Sot banorët e kësaj prefekture po përdorin një formë arti tradicionale për të rritur të ardhurat e tyre.

Prefektura autonome Linxia Hui shquhet për pasurinë e vet kulturore. Ajo ka 584 pika reliktesh kulturore, disa prej të cilave datojnë që prej neolitit të hershëm. Kultura përfaqësuese e rajonit është ajo majiayao, e cila është e famshme veçanërisht për qeramikën e ngjyrosur. Një copë e tillë qeramike e gjetur këtu ruhet tani në Muzeun Kombëtar të Kinës, duke pohuar kështu emrin që ka marrë prefektura Linxia Hui si "vatra e qeramikës së ngjyrosur të Kinës."

Megjithatë, një tjetër formë arti po lulëzon tani në këtë rajon, duke i dhënë zhvillim ekonomisë vendore dhe duke sjellë daljen nga varfëria të fshatarëve të zonës dhe futjen e tyre në rrugën e pasurimit.

Ky art është gdhendja e tullave.

Gdhendja e tullave e ka zanafillën gjatë dinastisë Han (206 p.e.s. – 220 e.s.), po e arriti pjekurinë gjatë dinastive Ming (1368-1644) dhe Qing (1636-1911). Ky art është përfshirë në listën e trashëgimisë kulturore jomateriale të Kinës në vitin 2014.

Në prefekturën autonome Linxia Hui kjo zeje tani i është trashëguar brezit të 5-të. Gjatë zhvillimit të gjatë, gdhendja e tullave në Linxia ka përthithur karakteristikat artistike të gdhendjes së drurit, gurit e nefritit, si edhe të pikturës, bukurshkrimit e poezisë kineze, që i kanë dhënë kësaj forme arti një stil të vetin. Kjo formë e veçantë e artit popullor, e quajtur edhe "lulet që lulëzojnë mbi tulla", është përdorur prej kohësh në fasadat e ndërtesave të fshatrave të kësaj prefekture.

Në Linxia gdhendjet e larmishme të tullave mund të gjenden në shumë ndërtesa. Ndër to ka disa kryevepra, nga artistë të famshëm, të cilat shfaqin forma artistike unike dhe teknika të shkëlqyera.

Për të shfrytëzuar potencialin e kësaj zeje tradicionale, artistët vendorë kanë ngritur një punishte dhe kanë filluar prodhimin në shkallë të gjerë. Ata kanë braktisur traditën e trashëgimisë familjare dhe ua kanë mësuar mjeshtërinë shumë fshatarëve të tjerë, duke i kthyer ata nga bujq e blegtorë në mjeshtër të gdhendjes së tullave.

68-vjeçari Pu Binxi është një prej tyre. Ai është nga një familje e varfër, por tani falë punës në punishten e gdhendjes së tullave, pas mësimit të kësaj mjeshtërie, gjendja ekonomike e tij dhe e familjes së tij ka ardhur duke u përmirësuar.

"Më parë kam punuar në bujqësi, ndërsa më pas në ndërtim, kurse tani jam punëtor në punishten e gdhendjes së tullave. Puna ime këtu nuk ka të njëjtat rreziqe si ato të punës në ndërtim. Këtu as pronari dhe as gruaja ime nuk duhet të shqetësohen për sigurinë time dhe të ardhurat janë më të larta", shprehet Pu Binxi.

Tani të ardhurat vjetore të Pu Binxi-së dhe të së shoqes arrijnë në 50 000 juanë (7500 dollarë).

Gao Yinyan-i është një artist i brezit të pestë, domethënë i brezit të ri, i gdhendjes së tullave. Ai thotë se kjo lëvizje e prodhimit masiv ka ndihmuar në luftën kundër varfërisë dhe në përmirësimin e jetës së bashkëfshatarëve të tyre.

"Për shembull, shumë nga tullat e gdhendura të punuara në mënyrë të përimtuar nga artistët tanë, janë përdorur në projektet e reja të ndërtimit në zonën tonë. Me përmirësimin e gjendjes ekonomisë, edhe gjendja e njerëzve ka ardhur duke u bërë më e mirë dhe shumë prej tyre duan që në shtëpitë e tyre të kenë përbërës të tillë artistikë. Kjo ka sjellë edhe rritjen e nivelit të jetesës së familjeve të varfra. Në familjen tonë kemi gjithsej 38 punëtorë, 23 nga të cilët janë nga familjet e varfra," thotë mjeshtri i brezit të ri i zejes së gdhendjes së tullave Gao Yinyan.

Mrekulli
Lajmet Kryesore