Song Xueqin-i dhe lulëzimi i biznesit të saj të bajameve

2018-07-10 15:48:16 CRI Komenti juaj Printoni

Song Xueqin-i është një sipërmarrëse e re që kurrë nuk e kishte menduar se do të ishte e lidhur me malet, duke i shfrytëzuar ata për rritjen e një peme për të cilën thotë se i ngjan asaj.

13 vjet më parë, kjo vajzë e vendosur u martua në një fshat të thellë e të varfër, duke filluar biznesin e kultivimit të bajames dhe duke ndihmuar veten dhe fshatarët e zonës të arrijnë begatinë në vitet e fundit.

Song Xueqin-i ka lindur në provincën veriore të Kinës Hebei. Pas diplomimit, ajo punoi në një firmë ligjore në qytetin Handan të kësaj province. Rastësisht aty ajo u takua me Hou Junbao-n, një djalë nga një fshat i provincës Shanxi, që si miliona të tjerë në Kinë kishte shkuar për të gjetur punë në qytet. Natyra e sinqertë e Hou Junbao-s shpejt fitoi zemrën e vajzës së re dhe pa kaluar shumë ata vendosën të lidhnin jetën së bashku. Megjithatë, vendimi i Song Xueqin-it u kundërshtua fort nga prindërit e saj, që donin që vajza e tyre të jetonte e punonte në qytet.

Pa bekimin e prindërve dhe pa dhurata martese nga të afërmit e saj, Song u nis e vetme me një autobus për në shtëpinë e Hou Junbao-s në fshatin Hetaozhang, qindra kilometra larg shtëpisë së saj.

Fshati i thellë, i rrethuar me malet, ka vetëm 56 shtëpi. Rrugët e këqija ua vështirësonin banorëve udhëtimin për në fshatrat e tjera.

Kur pa në një mjedis të tillë, Song Xueqin-i i hoqi në heshtje këpucët me taka të larta që kishte marrë me vete. Por ndryshe nga ç'mund të kishin bërë shumë vajza të tjera nëse do të ishin në ato kushte, ajo vendosi të mos kthehej, por të përpiqej për ta përmirësuar jetën në këtë zonë të largët së bashku me të shoqin.

Në vitet në vijim, çifti u mor me hapjen bizneseve të ndryshme, duke përfshirë një restorant, një punishte gipsi, si edhe rritjen e pulave dhe deleve. Edhe pse u përballën me shumë vështirësi e dështime, ata nuk hoqën dorë kurrë. "Unë nuk kam asgjë tjetër përveç një shpirti të paepur," thotë Song Xueqin-i.

Dhe më në fund, falë edhe këtij shpirti, ajo gjeti një mundësi të re biznesi, që do të ishte njëkohësisht jo vetëm rruga e pasurimit të vet, por edhe e banorëve të tjerë të fshatit.

Në vitin 2009, ndërsa po kërkonte për programe biznesi në internet, Song Xueqin-i mësoi se kishte një nevojë të madhe për kultivimin e bajameve në Kinë. Kjo gjë tërhoqi vëmendjen e saj dhe e frymëzoi lindjen e një ideje të guximshme për t'i shartuar bajamet me arra hikori, një lloj are që rritet në Amerikën e Veriut dhe në Azinë Lindore.

Sidoqoftë, ideja e saj nuk u mbështet nga fshatarët. Megjithatë, Song besonte se të gjithë mund të fitonin për aq kohë sa kishin ambicie për të hapur një biznes.

Për të realizuar planin e vet, ajo takoi drejtorin e Qendrës për Zhvillimin e Shkencës e Teknologjisë në kontesë Fenxi ku ndodhet fshati Hetaozhang, dhe kërkoi ndihmë prej tij. Ajo mori me qira mbi 200 hektarë në mal, që u bë baza e parë eksperimentale e rritjes së bajames në zonë.

Megjithatë, procesi i shartimit të bajames me arrat e hikorit ishte plot me vështirësi. Song Xueqin-idhe i shoqi duhej të ngjiteshin në mal për të prerë ferrat çdo mëngjes. Ata investuan rreth 300 000 juanë (mbi 45 mijë dollarë) në plantacion. Një shumë e tillë nuk ishte e vogël për ta. Për të përballuar problemet financiare, Song-u dhe i shoqi bënin punë të tjera gjatë asaj që duhej të ishte koha e tyre e lirë.

Kur erdhi pranvera, Song-u u ngjit me litarë në male dhe i shartoi bajamet një nga një. Vitet e punës së rëndë dhe rrezet e diellit ia bënë duart me kallo të ashpra dhe fytyrën të kuqe.

Pavarësisht nga këto vështirësi, Song Xueqin-i vijoi punën, derisa pemët e shartuara më në fund lulëzuan dhe e dhanë prodhimin e parë në pranverën e vitit 2014.

Në vitet 2015 dhe 2016, zona u përball me breshrin dhe acarin, por Song Xueqin-i vazhdoi të shartonte e të plehëronte bajamet e saj si zakonisht.

Ajo kalon nëntë muaj në vit duke u kujdesur për pemët e shartuara në mal. Për shkak të këmbënguljes së Song-ut, lulet e çelura të bajameve të saj zbukurojnë çdo vit malin.

Por bajamet kanë bërë diçka më shumë se zbukurimin e malit.

Song-u kujton se si, kur u martua në fshat, ajo ndjeu trishtim kur pa jetën e varfër aty, veçanërisht të të moshuarve. "Njerëzit bënin një jetë të vështirë. Doja shumë të gjeja një mënyrë për t'i ndihmuar të arrinin mirëqenien", thotë Song Xueqin-i.

Dhe në njëfarë mënyrë ajo ndihmoi me shembullin e vet. Duke parë suksesin dhe përkushtimin e saj, shumë fshatarë filluan të mësonin prej saj se si të bënin shartimin. Shumë prej tyre thonë: "Song-u është agronomja e fshatit tonë".

Song Xueqin-i ka përfshirë tashmë më shumë se dhjetë veta në biznesin e saj dhe ka trajnuar qindra të tjerë gjatë viteve të fundit.

Falë përpjekjeve të saj, konteja Fenxi ka krijuar një plantacion prej 17 000 hektarësh, që është baza e dytë më e madhe e mbjelljes së bajameve në mbarë Kinën.

Me zhvillimin e plantacionit, Song-u beson se një numër gjithnjë e më i madh njerëzish do të arrijnë pasurimin në të ardhmen.

Ajo thotë se kurrë nuk është penduar nga vendimi i saj për t'u larguar nga jeta e rehatshme e qytetit. Sipas banorëve, shumë vajza nga zona të tjera janë martuar në fshatin e tyre, por shumë pak prej tyre ishin të gatshme të përballonin vështirësitë si Song-u. Ajo hodhi rrënjë në këtë fshat të varfër dhe shpirti i saj u forcua nga jeta e ashpër aty.

"E dua shumë bajamen. Kjo pemë e duron thatësirën dhe unë kurrë nuk kam frikë të përballem me vështirësitë; lëvozhga e bajames është e fortë dhe unë po ashtu jam një njeri i fortë; bajamja e përballon vetminë dhe unë jam një njeri i qetë. Ndoshta unë jam thjesht një pemë bajameje," thotë sipërmarrësja e re me karakter të fortë. (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore