Fshati Xiaogang, "djepi" i Reformës dhe Hapjes në Kinë

2018-07-03 14:35:53 CRI Komenti juaj Printoni

Që nga fillimi i Reformës e Hapjes në Kinë katër dhjetëvjeçarë më parë, të ardhurat vjetore për frymë të banorëve të fshatit në Kinë janë rritur më shumë se 90 %, duke arritur nga 133 juanë (21 dollarë) në vitin 1978 në 12 300 juanë (mbi 1 850 dollarë) në vitin 2016.

Afro 700 milionë veta kanë dalë nga varfëria në Kinë, që përbën më shumë se dy të tretat e numrit të përgjithshëm të botës.

Të gjitha këto arritje mund të thuhet se e kanë fillesën në një marrëveshje të firmosur në mënyrë të fshehtë nga 18 banorë të fshatit Xiaogang në provincën kineze Anhui. Ky fshat cilësohet shpesh si vendi ku ka nisur reforma ekonomike kineze.

Në dimrin e vitit 1978 Yan Jinchang-u, banor i fshatitXiaogang në kontenë Fengyangtë provincës Anhui dhe 17 bashkëfshatarë të tij, në emër të 18 familjeve të fshatit, u mblodhën në një shtëpi të vjetër. Aty ata pranuan të nënshkruajnë me gishtërinjtë e tyre një marrëveshje të fshehtë për ta ndarë tokën që i përkiste komunës, në ngastra familjare. Ishte një veprim me rrezik, sepse pronësia individuale në atë kohë ishte e ndaluar.

"Dyzet vjet më parë, çdo familje dilte për të lypur, sepse nuk kishim për të ngrënë. Kam gjashtë fëmijë, por ajo që prodhonim nuk mjaftonte kurrë për t'i ushqyer", ka rrëfyer Yan Jinchang-u.

Veprimi i guximshëm i fshatarëve i solli frytet e veta. Gjashtë muaj më vonë, të korrat e fshatarëve ishin shumë të mbara.

18 fshatarët jo vetëm që nuk u ndëshkuan, por nisma e tyre u vlerësua nga pushteti vendor. Sistemi i kontratës familjare i zbatuar prej tyre, që u mundësonte fshatarëve ta merrnin tokën me kontratë, filloi të zbatohej në mbarë vendin, duke rritur ndjeshëm rendimentin dhe duke ndryshuar mendësinë e njerëzve.

Në vitin 2016 presidenti i Kinës Xi Jinping bëri një vizitë në Xiaogang, një veprim që simbolizon mbështetjen e kreut të shtetit kinez për vazhdimin e politikës së Reformës dhe Hapjes. Ai shkoi në shtëpitë e dy prej 18 atyre që nënshkruan marrëveshjen, duke vlerësuar veprimin e tyre të 40 vjetëve më parë dhe duke premtuar thellimin e masave të reformës në Kinë.

Sot, ndërsa reforma bujqësore në Kinë ka hyrë në një fazë të re, një gjë e tillë ka ndodhur edhe me fshatin Xiaogang. Transferimi i së drejtës së administrimit të tokës zgjidhi problemin e urisë së fermerëve, por kultivimi në ngastra të ndara nuk ishte mënyra e duhur për të shtuar pasurinë e tyre.

Tani Yan Jinchang-u dhe bashkëfshatarët e tij vazhdojnë ta kenë në përdorim me kontratë tokën, por ata nuk janë të vetmit që e administrojnë atë. Ata ua kanë dhënë me qira kompanive bujqësore më shumë se gjysmën e tokës, ku tani zbatohen teknologji moderne, si spërkatja e bimëve me dronë.

Yan Jinchang-u ia ka dhënë me qira tokën një firme që merret me kultivimin e shegëve, duke punuar në të njëjtën kohë vetë në këtë firmë. Qiraja që merr dhe rroga në këtë firmë e kanë bërë atë një prej më të pasurve në Xiaogang.

Ky fshat i vogël dikur i panjohur ka fituar vendin e vet në historinë e Reformës dhe Hapjes në Kinë dhe historia e Yan Jinchang-ut dhe e bashkëfshatarëve të tij tregojnë vullnetin e mbarë vendit për të hyrë në rrugën e mirëqenies.

Yan Jinchang-u beson se nënshkrimi i asaj marrëveshjeje të fshehtë 40 vjet më parë është veprimi më i zgjuar në jetën e tij. (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore