Shenzhen-i krijon "lartësitë e teknologjive inovative"

2018-06-26 15:55:39 CRI Komenti juaj Printoni

Në fillim të ndërtimit të Shenzhen-it para më shumë se 30 vjetësh, numri i universiteteve dhe instituteve kërkimore shkencore në këtë qytet të Kinës Jugore ishte pothuajse "zero". Ndërkohë, vitin e kaluar investimet për kërkim-zhvillim në Shenzhen përbënin më shumë se 4 % të PBB-së së qytetit, afërsisht i njëjtë me nivelin e Koresë së Jugut dhe Izraelit. Krahas kësaj, në Shenzhen ka mbi 10 mijë kompani të teknologjisë së lartë të nivelit kombëtar dhe vlera e shtuar e sektorit të teknologjisë së lartë zë mbi 30 % të PBB-së së tij.

34-vjeçari He Jiankui është profesor në Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë të Kinës Jugore në Shenzhen dhe kryetar i një kompanie teknologjike. Kompania e krijuar prej tij gjashtë vjet më parë bën kërkime për pajisje dhe reagentë për testimet gjenetike. Në vitin 2017, kompania krijoi me sukses prototipin e parë të pajisjes së renditjes gjenetike të brezit të 3-të në Azi, të nivelit të përparuar botëror. He Jiankui bën të ditur që kompania e tij ka të drejtën e e pronësisë intelektuale mbi këtë pajisje.

"Me mbështetjen e politikave qeveritare për kthimin e rezultateve të studimeve në prodhim në praktikë, kemi krijuar kompaninë 'Bohai Gene' dhe kemi filluar kërkimet për pajisjen e brezit të tretë të renditjes gjenetike. Rreth dy javë më parë, ne përfunduam raundin e 4-t të financimit me kapitale, në të cilin gjashtë institucione kanë bërë investime. Me fondin prej 218 milionë juanësh, këtu në Shenzhen ne do të ndërtojmë linjën e parë të prodhimit në Azi për aparatet e brezit të 3-të. Pas lokalizimit të këtij lloj aparati, kostoja e prodhimit do të pakësohet nga 1000 në 100 dollarë amerikanë. Në të ardhmen, jo vetëm në Kinë, por të gjitha spitalet bazë në mbarë botën mund të bëjnë këtë testim gjenetik," thotë He Jiankui.

Ai theksoi gjithashtu që, nëpërmjet zhvillimit të teknologjive thelbësore, kompania ka ulur koston e testimit të gjeneve dhe ka aplikuar këtë teknologji të re në një grup më të gjerë njerëzish:

"Në të ardhmen, kjo teknologji do të ketë ndikime të thella dhe afatgjata në parandalimin e hershëm të kancerit, mjekimin e personalizuar, trajtimin e saktë me antibiotikë të fëmijëve, parashikimin e saktë në bujqësi dhe parandalimin e kontrollin e sëmundjeve ngjitëse."

Pas përfundimit të shkollës së mesme, He Jiankui filloi studimet në Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë të Kinës për shkencat mekanike dhe fizike. Duke qenë optimist për punën dhe mjedisin e sipërmarrjes në Shenzhen, në vitin 2012 ai hyri në Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë të Kinës Jugore. He Jiankui shprehet se ka përparësi të shumta për të bërë kërkime gjenetike në Shenzhen:

"Renditja gjenetike është një sistem që integron harduarë, softuerë dhe sisteme inxhinierike. Në Shenzhen ka një zinxhir të plotë industrial, që ofron mbështetje madje edhe për tërë provincën Guangdong, Hong-Kongun dhe Makaon. Në krahasim me zonat e përqendruara te softuerët, si 'Silicon Valley', Shenzhen-i ka një bazë më të mirë për integrimin e degëve të ndryshme. Për shembull, për të bërë modelin e një aparati lëmimi me precizion të lartë në 'Silicon Valley', duhej të dërgonim atje skicat dhe të prisnim dy javë për ta marrë të gatshëm produktin laboratorik. Ndërsa në Shenzhen, nëse e dërgojmë në mëngjes, mund ta marrim një ditë më pas. Kjo shpejtësi dhe zinxhiri i plotë industrial është një element vendimtar."

Dr. Chen Ning e krijoi kompaninë e vet në Shenzhen në vitin 2014, që zhvilloi sistemin e parë dinamik në botë për njohjen e fytyrës. Në qindra milionë fytyra, ky sistem mund të identifikojë me saktësi një person brenda pak sekondash dhe të japë itinerarin e lëvizjes së tij. Pas futjes në përdorim, ky sistem i ka ndihmuar autoritetet e sigurisë publike të godasin më shumë se 4000 raste të ndryshme të shkeljes së ligjit dhe të gjejnë shumë fëmijë e të moshuar të humbur. Si themelues i kompanisë, Chen Ning thotë se Shenzhen-i është një vend shumë tërheqës për ekipin e tij sipërmarrës:

"Mendoj se ishim me fat që u kthyem në Shenzhen. Ky qytet ka një mjedis të hapur, gjithëpërfshirës dhe inovativ, si edhe një mekanizëm të orientuar nga tregu. Kështu, kompania jonë 'Yuntian Lifei' mund të krijojë shumë produkte të reja. Rregullat e lojës këtu janë transparente dhe produktet që merrni në dorë janë ato që keni kërkuar. Mendoj se ky është mjedisi më i parapëlqyer nga profesionistët për kërkime teknologjike dhe për nisjen e biznesit."

Kryetari i Komitetit të PKK-së të Shenzhen-it, Wang Weizhong, shprehet se tani Shenzhen-i luan rolin udhëheqës për krijimin e një sistemi teknologjik inovativ, me kompanitë si bazë, të orientuar nga tregu dhe që ndërthur thellësisht prodhimin, studimin dhe kërkimin. Në këtë qytet është formuar modeli i "Katër 90 %", që do të thotë se në sipërmarrje janë përqendruar 90 % e personelit dhe e institucioneve të kërkim-zhvillimit, e investimit në kërkim-zhvillim dhe e patentave të shpikjeve.

"Për sa i përket kërkimit shkencor, investimet e përgjithshme të Shenzhen-it në këtë drejtim aktualisht zënë 4.13 % të PBB-së së qytetit, i afërt me nivelin e investimeve të kërkim-zhvillimit në Korenë e Jugut dhe Izrael. Për këtë arsye, vitin e kaluar numri i aplikimeve për patenta në Shenzhen arriti në 20 400, duke u renditur i pari ndër qytetet e mbarë vendit për 14 vjet me radhë. Krahas kësaj, Shenzhen ka gjithsej 11 200 kompani të nivelit kombëtar të teknologjisë së lartë," thotë Wang Weizhong.

Shenzhen-i, me popullsi prej 20 milionë banorësh, tani ka më shumë se një të katërtën e të gjithë talenteve të Kinës. Wang Weizhong deklaroi se inovacioni i pavarur do të jetë strategji mbizotëruese për zhvillimin e qytetit, se do të nxitet inovacioni i gjithanshëm me inovacionin tekniko-shkencor në thelb dhe do t'i kushtohet vëmendje e madhe prodhimit të pajisjeve mjekësore të nivelit të lartë, aparaturave shkencore, pajisjeve të testimit industrial, makinerive bazë industriale, mikroprocesorëve thelbësorë dhe pjesëve kyçe të këmbimit. Ndërkohë, do të zbatohet sipas ligjit mbrojtja më e rreptë e të drejtave të pronësisë intelektuale dhe do të formohet "Dizajni i Shenzhenit " dhe "Marka e Shenzhen-it" në epokën e re. (Jiang Lei)

Mrekulli