Yang Yafei, "biznesmenia e bretkosave"

2018-06-26 15:55:14 CRI Komenti juaj Printoni

Yang Yafei është një sipërmarrëse kineze që ka rritur të ardhurat e bashkëfshatarëve të vet dhe të banorëve të zonave përreth nëpërmjet biznesit të saj të rritjes së bretkosave gjatë thuajse dhjetë vjetëve të fundit.

Yang Yafei, nga konteja Xiushan e Bashkisë së Chongqing-ut në Kinën Jugperëndimore, është themeluese e Kompanisë së Zhvillimit Bujqësor "Hongya" të Chongqing-ut. Ajo ka ndërtuar një objekt për rritjen e bretkosave me një sipërfaqe rreth 1 400 metra katrorë, duke punësuar mbi 20 veta nga familjet në nevojë. Ajo po ashtu ka përfshirë si ortak në biznesin e saj 54 familje të varfra, duke u paguar çdo vit shpërblime.

Në vitin 2009, kur Yang Yafei bëri një vizitë te të afërmit e saj në qytetin e Xiamen-it në provincën Fujian të Kinës Juglindore, pa se një lloj bretkose që rritej aty, e quajtur bretkosa e madhe gjembore, ishte shumë e kërkuar në treg. Yang e mendoi këtë si një mundësi të mirë biznesi.

Më pas ajo investoi mbi 600 000 juanë (92 000 dollarë), që i kishte fituar gjatë më shumë se dhjetë vjetëve nga një dyqan kinkalerie, për blerjen e vezëve të bretkosave dhe ndërtimin e një baze për rritjen e tyre.

Por pas disa vjetësh, biznesi i Yang-ut do të merrte një goditje të fortë.

"Unë rrita bretkosa ndërsa isha ende duke mësuar se si ta bëja këtë gjë. Por në vitin 2013, për shkak të një problemi teknik, mbi 80 000 nga bretkosat e mia ngordhën", kujton Yang-u. "Ishin dy të tretat e numrit të përgjithshëm dhe humba rreth 2 milionë juanë (mbi 300 mijë dollarë amerikanë). Më kapi një ndjenjë e thellë dëshpërimi."

Por megjithatë, ajo vendosi të mos dorëzohet e, falë menaxhimit të rreptë, i kaloi vështirësitë dhe bretkosat e saj nisën të rriten në mënyrë të shëndetshme.

"Rritja e bretkosave është një punë teknike që kërkon kujdes. Duhet ta mendosh veten si një bretkocë për të mësuar zakonet dhe mënyrën e saj të jetesës. Vetëm kësisoj mund të kesh sukses në këtë biznes," thotë Yang-u.

Në vitin 2016, Yang Yafei filloi të zhvillonte bujqësinë me bazë turizmin dhe ndërtoi Vilën Malore "Wa Mei" (Wa Mei do të thotë "Motra Bretkosë", nofka me të cilën e thërrasin Yang-un).

Vila zgjidhi çështjen e punësimit të 16 grave të fshatit, burrat e të cilave ishin larguar për të gjetur punë në qytete, dhe të pesë të tjerave nga familje të regjistruara në listën e familjeve të varfra.

"Im shoq punon në Hunan. Nëna ime është e sëmurë dhe një nga fëmijët e mi shkon në shkollë të mesme, kështu që mua më duhet të qëndroj këtu për t'u kujdesur për ta", thotë Liu Hua, kuzhiniere e vilës. "Unë i jam shumë mirënjohëse Yang-ut për punën që më dha. Mund të fitoj mbi 3 000 juanë (më shumë se 460 dollarë amerikanë) në muaj."

Por Yang Yafei ka gjetur edhe mënyra të tjera për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Vjet ajo investoi 2 milionë juanë (mbi 300 mijë dollarë) për ta zgjeruar bazën e vet të rritjes së tyre. Ajo donte të siguronte, veç të tjerash, të ardhura të qëndrueshme për 54 familje të varfra të fshatit Daoluo të kontesës së saj:

"Ata kanë nënshkruar kontrata me mua. Ata që kanë investuar 1 000 juanë (153 dollarë amerikanë) marrin 1 200 juanë (afro 183 dollarë amerikanë) (kapital plus shpërblim) në fund të çdo viti dhe ata që kanë investuar 2 000 juanë marrin 2 400 juanë," tregon ajo. "Këto janë dividente të garantuara dhe paguhen pavarësisht nëse kompania ime fiton apo humbet. Me këto para, disa familje të varfra mund të kalojnë një Festë Pranvere të lumtur në fund të çdo viti".

Ndërkohë, biznesmesia e re ndihmon edhe familjet që u mungojnë krahët e punës. Ajo organizon vullnetarë që t'i ndihmojnë këto familje të mbjellin perime dhe të rrisin bagëtinë, duke rritur të ardhurat e tyre mujore me mbi 700 juanë (107 dollarë).

"Ndërsa bëj sa mundem për të ndihmuar sa më shumë të tjerët, edhe karriera ime e biznesit ecën përpara," vëren Yang Yafei.

Mrekulli
Lajmet Kryesore