Fermeri kinez që "pikturoi" rrugën e daljes nga varfëria

2018-06-20 15:50:09 CRI Komenti juaj Printoni

Xiong Qinghua shihej nga shokët dhe bashkëfshatarët e vet si një njeri i çuditshëm, por tani ai po bëhet një emër i njohur i pikturës, çka i ka sjellë jo vetëm shpërblim shpirtëror, por edhe material.

"Unë nuk jam Pikaso, unë jam Xiong Qinghua, kam stilin tim", shprehet 42-vjeçari nga fshati Yongchanghe i provincës Hubei të Kinës Qendrore.

Interesi i tij për pikturën lindi kur Xiong ishte gjashtë vjeç.

"Të gjithë më tallnin, duke më thënë se nuk isha gjë tjetër veçse një djalë fshati, dhe nuk kisha arsye për të pikturuar", kujton Xiong Qinghua.

Po përveç talentit për pikturën, ai ka edhe një tipar tjetër: këmbënguljen.

Xiong filloi të kopjonte vizatimet që haste në librat për fëmijë, fillimisht me penë dhe më vonë me penel.

Në shkollë të mesme Xiong Qinghua kishte një mësues të mirë arti, që i tha se ishte "shumë i talentuar" dhe se do të bëhej një "piktor i madh".

"Me nxitjen e tij, praktikohesha gjithnjë e më shumë, madje edhe gjatë orëve të tjera të mësimit", thotë Xiong. Cilësia e pikturave të tij vinte duke u përmirësuar, por rezultatet në lëndë të tjera ranë.

Në vitin e tretë, ai vendosi që ta lërë shkollën. "Mësimet më dukeshin shumë të vështira dhe nuk doja ta bezdisja veten duke bërë detyrat e shtëpisë," thotë ai. "Vetëm piktura më jepte kënaqësi dhe krenari."

Kur nuk merrej me pikturë, Xiong Qinghua punonte në arë.

"Pse nuk mëson ndonjë zanat?" e pyetnin fshatarët e tjerë. "Aftësitë" për të cilat e kishin fjalën ata, sigurisht nuk përfshinin pikturën, prandaj dhe ai nuk ua dëgjonte fjalën.

Në vitin 1999, Xiong, asokohe 23 vjeç, ra në dashuri me një vajzë të quajtur Fu Aijiao, e cila ishte një nga të paktët njerëz që e admironin talentin e tij. Pa kaluar shumë Xiong dhe Fu u martuan.

Por pas lindjes së fëmijës së tyre të parë, duke qenë se pikturat e të shoqit nuk mund të siguronin bukën e familjes, Fu i tha Xiong-ut që të shkonin në Shenzhen të Kinës Jugore dhe të gjenin punë.

Xiong Qinghua gjeti punë në një fabrikë, por jo për shumë kohë. "Puna nuk ishte krijuese dhe unë ndihesha si një makinë. E urreja një jetë të tillë dhe pas tre ditësh e lashë punën," thotë ai.

Kur u kthye në shtëpi Xiong i tha së shoqes se më mirë të vdiste se të bënte një punë të tillë.

"Ajo më bërtiti, pastaj u shtri në shtrat dhe filloi të qante. Sa më shumë qante ajo, aq më i vendosur isha që të bëhesha një piktor i mirë", thotë ai.

Xiong u kthye në vendlindjen e tij dhe mori penelin në dorë përsëri. "Fillova të pikturoja njerëz dhe pamje të vërteta që shihja", thotë Xiong. "Në vendos që atë çfarë sheh ta hedhësh në pikturë, ajo do të dalë një pikturë e mirë."

Sidoqoftë, cilësia e pikturave të tij nuk përkthehej në përfitime materiale.

Kur ndihej i dëshpëruar, ai dëgjonte muzikë me të gjithë volumin të ngritur, veçanërisht këngë të Michael Jackson-it.

Pika e kthesës për Xiong Qinghua-në ishte në vitin 2009, kur pas 18 vjetësh takoi shokun e vet të klasës Lei Caibing.

"U habita kur e pashë në një gjendje aq të rrënuar," sjell ndër mend Lei.

Xiong i tregoi atij "studio"-n e vet, një dhomë e vogël me suva të rënë ku gjeje të shpërndara kudo në dysheme bojëra dhe skica.

Por më shumë sesa "studioja", Lei Caibing-ut i bënë përshtypje pikturat e shokut të vet. Në njërën prej tyre ishin pikturuar dy balona që fluturonin mbi një fushë me lule të verdha, ndërsa në një tjetër një njeri që grahte qetë me qiellin e kaltër në sfond.

"Këto ishin skena të së kaluarës sonë", u mrekullua Lei Caibing-u.

Lei i postoi fotografitë e pikturave në internet dhe së shpejti Xiong pati klienten e vet të parë, një grua nga Shangai.

Xiong-u nuk është njeri që merr vesh nga biznesi, kështu që gruaja foli me Lein dhe më në fund bleu pesë piktura për 5 000 juanë (rreth 780 dollarë amerikanë). Bashkëfshatarët e Xiong Qinghua-së u habitën. "Ata u befasuan që një pikturë mund të shitej për 1 000 juanë, që ishte sa fitonin në vit shumica e tyre," thotë ai.

Në vitin 2010, Xiong kishte dhjetë blerës. Dy piktura të tij lidhur me lojërat e fëmijërisë u blenë nga një galeri arti në Chengdu, kryeqendra e provincës Sichuan të Kinës Jugperëndimore, për 10 000 juanë (mbi 1550 dollarë amerikanë) secila.

Në vitin 2015, Xiong Qinghua nënshkroi një kontratë me një galeri arti në Pekin, ku shiti rreth 200 vepra të tij. Disa nga blerësit ishin të huaj. Ai po ashtu hapi një ekspozitë në Zonën e Artit 798, një zonë e famshme e artit në Pekin.

Me gjithë suksesin dhe pasurimin, zakonet e Xiong-it nuk kanë të pandryshuar. Ai punon pa ndërprerje gjatë gjithë ditës dhe jo rrallë e vetmja gjë që ha është ndonjë kulaç i zier në avull për drekë.

"Dikush më propozoi të krijoja ndonjë kompani ose shkollë, por e vetmja gjë që dua të bëj është të përmirësoj pikturën time," thotë Xiong Qinghua.

Mrekulli
Lajmet Kryesore