Rrjeti hekurudhor Kinë-Europë, rëndësi strategjike për tregtinë ndërkombëtare

2018-06-20 15:41:19 CRI Komenti juaj Printoni

Pas shpalljes së nismës "Një brez, një rrugë", linjat e rregullta të transportit hekurudhor të mallrave Kinë-Europë kanë pasur një zhvillim të vrullshëm. Në media ka pasur njoftime të pandërprera mbi hapjen e linjave të reja hekurudhore mes Kinës dhe Europës. Po të shohësh hartën, zbulon që tani trenat e rregullt mes Kinës dhe Europës janë si "lule të çelura". Deri në fund të vitit të kaluar, 38 qytete kineze janë përfshirë në rrjetin e trenave të rregullt Kinë-Europë, duke mbuluar pjesën dërrmuese të Kinës. Krahas kësaj, ky rrjet hekurudhor ka mbërritur në 36 qytete të Europës dhe të Azisë Qendrore.

Megjithëse treni i rregullt Kinë-Europë vlerësohet si një rezultat strategjik i nismës "Një brez, një rrugë", fakti është që linja më e hershme hekurudhore Kinë-Europë, ajo Chongqing-Xinjiang-Europë që lidh qytetin Chongqing të Kinës Jugperëndimore dhe Dujsburgun e Gjermanisë, u vu në përdorim në vitin 2011. Gjithashtu, është dhe linja Yingkou-Manzhouli-Europë, që u vu në funksionim në vitin 2008. Para paraqitjes së nismës "Një brez, një rrugë", menaxhimi i këtyre linjave ishte i dobët dhe në mbarë vitin 2013 numri i udhëtimeve me to arriti vetëm 80. Ndërsa në vitin 2017, numri i udhëtimeve me linjat hekurudhore Kinë-Europë është rritur në 3673. Pa nxitjen e nismës "Një brez, një rrugë", nuk do të kishte një zhvillimin kaq të shpejtë të linjave të rregullta hekurudhore Kinë-Europë. Në fakt, treni i rregullt Kinë-Europë është bërë një projekt simbolik i nismës "Një brez, një rrugë" dhe qeveritë e vendeve dhe rajoneve të ndryshme kanë ofruar përkrahje të madhe. Në vendet europiane, ky projekt ka tërhequr vëmendje të madhe.

Tani në qytetet kryesore të Kinës Qendrore e Perëndimore, si Chongqing, Chengdu, Wuhan, Zhengzhou dhe Xian, ka udhëtime të përditshme të trenave të rregullt Kinë-Europë, që janë më të shpeshta se udhëtimet detare mes dy palëve. Mallrat që transportohen janë shtuar nga pajisje elektrike në automjete, makineri, ushqim, veshje, pije dhe dru. Tani mallrat ekspozohen edhe në portet përgjatë linjave hekurudhore, duke tërhequr mjaft banorë vendorë. Me rrjetin e rregullt mes tyre, Kina dhe Europa janë afruar më tej dhe duken si fqinj shumë të afërt.

Rëndësia strategjike e rrjetit hekurudhor Kinë-Europë

Linja e rregullt Kinë-Europë është një linjë hekurudhore ndërkombëtare që lidh Azinë e Europën, por nuk është e para. Transporti Azi-Europë ka filluar në fillim të shekullit të kaluar, kur u vu në përdorim hekurudha siberiane. Hekurudha Kinë-Lindje në atë kohë ka qenë një pjesë e kësaj linje transporti dhe ka nxitur zhvillimin e lulëzimin e qyteteve përgjatë saj, si Harbini. Pas Luftës së 2-të Botërore, kjo linjë shfrytëzohej për transportin Azi-Europë dhe u bë një kanal i rëndësishëm ndërkombëtar mes dy kontinenteve, duke qenë e parapëlqyer nga kompanitë japoneze. Në fillim të viteve '90 të shekullit të kaluar, hekurudha Lanzhou-Xinjiang u zgjerua në Azinë Qendrore, duke u lidhur me linjat hekurudhore të Kazakistanit. Më pas, Lianyungang-u, Qingdao dhe Tianjin janë lidhur me hekurudhë me Azinë Qendrore, duke formuar urën kontinentale Azi-Europë.

Por në fakt, këto linja hekurudhore nuk ishin në shërbim të rregullt dhe nuk mund të plotësonin kërkesat e bizneseve. Ndërsa rrjeti i rregullt Kinë-Europë me shërbim ndërkontinental ndryshon shumë nga linjat e mëparshme dhe ofron shërbim të drejtpërdrejtë me orar të përcaktuar. Orari i saktë për kompanitë që fokusohen te zinxhiri ndërkombëtar i menaxhimit ka rëndësi jashtëzakonisht të madhe. Krahas kësaj, transporti me trenat të rregullt Kinë-Europë bëhet me kontejnerë standardë dhe përshtatet me sistemin koordinues doganor të vendeve përgjatë linjave. Kjo mund të shpejtojë kontrollin doganor dhe të ulë ndjeshëm koston dhe kohën e transportit. Shërbimi ditor plotëson nevojat e kompanive për mbartje të shpeshtë të mallrave dhe është në të mirë të pakësimit të investimeve për inventarin. Përveç shërbimeve të rregullta, ndërmarrjet që kanë mallra të shumta mund të porositin edhe shërbim të posaçëm. Krahasuar me transportin detar, ky lloj shërbimi është më i lehtë dhe më i zhdërvjellët dhe nuk ka nevojë për një sasi aq të madhe qarkullimi mallrash si në transportin detar. Me këto epërsi, linjat e rregullta hekurudhore Kinë-Europë mund të bëhen mënyra kryesore e transportit ndërkombëtar mes Azisë dhe Europës.

Nxitja e zhvillimit vendor

Sistemi i transportit ndërkombëtar duhet të ketë linja të qëndrueshme, si dhe nyja ndërkombëtare transporti. Si një rrjet ndërkombëtar i transportit hekurudhor të mallrave, stacionet e nisjes dhe të mbërritjes të trenave të rregullt Kinë-Europë duhet të kenë funksionet e porteve doganore. Kështu që të gjitha qytetet e përfshira në këtë rrjet duhet t'i shndërrojnë stacionet e tyre në porte ndërkombëtare tokësore ose hekurudhore. Në bazë të këtyre porteve tokësore, janë ndërtuar edhe qendra ose parqe logjistike me magazina doganore, ku mund të tërhiqen kompanitë e logjistikës që ofrojnë shërbime të ndryshme transporti.

Me portet tokësore dhe trenat e rregullt në qendër, po formohen disa zona të mëdha logjistike. Në Chongqing, Chengdu, Xian, Zhengzhou dhe Wuhan është miratuar edhe ndërtimi i zonave eksperimentale të tregtisë së lirë. Kështu, këto porte tokësore, me pajisje dhe funksione të plota, mund të krahasohen me portet kryesore detare.

Me udhëtimet e shpeshta të trenave të rregullt Kinë-Europë dhe portet tokësore me pajisje të plota moderne, këto qytete në pjesën e brendshme të Kinës janë lidhur me vendet europiane. Kjo është me një rëndësi shumë të madhe. Pas 40 vjetësh të Reformës dhe Hapjes, hendeku mes krahinave bregdetare dhe atyre të brendshme ende nuk është ulur në mënyrë të dukshme. Një nga shkaqet kryesore është që qytetet bregdetare kanë pasur epërsi logjistike në tregtinë ndërkombëtare.

Tani, me linjat e rregullta hekurudhore Kinë-Europë dhe portet tokësore, qytetet e pjesës së brendshme të Kinës kanë kushte të ngjashme për logjistikën ndërkombëtare me qytetet bregdetare. Megjithëse transporti hekurudhor ende ka disavantazh të dukshëm me transportin detar në drejtim të kostos, trenat mund të mbërrijnë në qytetet europiane më shpejt, duke kursyer mbi gjysmën e kohës së udhëtimit. Shërbimi i transportit me trenin e rregullt Kinë-Europë është në të mirë të kompanive ndërkombëtare, të cilat mund të pakësojnë inventarin e përgjithshëm të tyre dhe të rritin shpejtësinë e reagimit ndaj gjendjes së tregut. Kjo posaçërisht për sektorët e automjeteve dhe pajiseve elektronike ka ofruar një metodë të përshtatshme të transportit ndërkombëtar. Në fakt, këto dy vitet e fundit, sektorët e prodhimit po lëvizin gjithnjë e më shumë drejt pjesës së brendshme të Kinës dhe bazat logjistike ndërkufitare po përqendrohen në zonat e tregtisë së lirë, si Zhengzhou.

Nëse e themi me dy fjalë rëndësinë e linjave të rregullta hekurudhore Kinë-Europë e porteve tokësore ndërkombëtare, "bregdetizimi i qyteteve të brendshme" mund të jetë shprehja e përshtatshme. Me këtë mënyrë efikase, qytetet e brendshme më në fund janë renditur, si ato bregdetare, në frontin e tregtisë së lirë dhe të prodhimit global.

Kushtet jo të favorshme gjeografike të tyre janë eliminuar dhe pengesat për pjesëmarrjen në globalizimin ekonomik janë zhdukur. Qysh nga vitet '60 të shekullit të kaluar, Kina ka zbatuar disa strategji zhvillimi, si Lëvizja e Frontit të Tretë, Eksplorimi i Pjesës Perëndimore dhe Lulëzimi i Pjesës Qendrore etj., mirëpo nuk u zvogëlua në mënyrë thelbësore hendeku mes pjesës së brendshme dhe asaj bregdetare. Tani, me modelin e ri të trenit të rregullt Kinë-Europë dhe portet tokësore ndërkombëtare, kjo gjendje e vështirë po zgjidhet me një "levë" të përshtatshme dhe efikase.

Këto vite, sipas statistikave të aleancës logjistike "Landbridge", janë hapur 61 linja të rregullta hekurudhore Kinë-Europë. Krahas këtyre, edhe 20 të tjera janë në përgatitje dhe do të fillojnë nga funksionimi brenda vitit 2018. Deri më tani, gjithçka po ecën mbarë dhe treni i rregullt, si një "litar", e ka lidhur Kinën me vendet europiane, të cilat mund të bëjnë tregtinë e mallrave në të mirë të tyre dhe të qytetarëve të tyre. Shpresojmë që zhvillimi i shpejtë do të fokusohet tek ndonjë qytet ose zonë pilot, për të fuqizuar dhe për të përmirësuar sa më shpejtë këtë "levë", që të ofrojë shërbim më të mirë për tregtinë mes Kinës dhe Europës.

(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore