Kina synon zhvillimin cilësor pas 40 vjetësh hapjeje

2018-06-12 16:29:53 CRI Komenti juaj Printoni

Vitet e fundit, me zhvillimin e shpejtë ekonomik dhe rritjen e të ardhurave, qytetarët kinezë kanë gjithnjë e më shumë besim te fuqia e vendit të tyre, madje tashmë thuhet se "Kina është futur në listën e vendeve të pasura." Në fakt, gjatë 40 vjetëve të kaluar, nëpërmjet Reformës dhe Hapjes, Kina ka pasur zhvillim mjaft të shpejtë dhe arritje të dukshme në fusha të ndryshme. Tani, niveli i GDP-së i Kinës renditet në vendin e 2-të të botës, por objektivi i Kinës nuk është vetëm krijimi i një shoqërie të begatë, por i një shoqërie me zhvillim cilësor. Dhe ky është kuptimi i vërtetë i pasurimit për popullin kinez.

Sipas statistikave, në vitin 2017, vëllimi i përgjithshëm i ekonomisë kineze arriti mbi 82 trilionë juanë, duke u renditur në vendin e 2-të të botës. Krahas kësaj, për sa i përket koeficientit "Engel", Kina e ka atë 20-30 %, që është një tregues kryesor për pasurinë e një vendi.

Koeficienti "Engel" pasqyron përqindjen që zënë shpenzimet për ushqim në konsumin e përgjithshëm të qytetarëve. Me një fjalë, me këtë tregues mund të dihet se sa përqind e të ardhurave personale përdoren për ushqim. Sa më i lartë ky tregues, aq më i varfër është një individ, një familje, e madje edhe një vend. Koeficienti "Engel" është një pasqyrë e drejtpërdrejtë e nivelit të jetesës së popullit.

Ulja e koeficientit "Engel" është një nga objektivat e Kinës. Në fillim të Reformës dhe Hapjes të Kinës, pra në vitin 1978, koeficienti "Engel" ishte 60 %, që do të thotë në nivelin e varfërisë. Ndërsa vitin e kaluar ky tregues u ul në 29.3%. Kjo ulje ka ardhur për shkak të rritjes së shpejtë të ekonomisë kineze gjatë 40 vjetëve të fundit, të rritjes së pandërprerë të nivelit të jetesës së qytetarëve dhe të rritjes së dukshme të të ardhurave personale e të akumulimit të pasurisë.

Në fakt, koeficienti "Engel" është vetëm një nga treguesit e pasurimit dhe në Kinën e sotme ai madje nuk është një tregues i rëndësishëm. Kinezët tani nuk e kanë më si objektiv "ngopjen dhe ngrohjen", por synojnë për një jetesë me cilësi më të lartë. Ky është kuptimi i vërtetë i pasurimit për kinezët.

Përveç koeficientit "Engel", ka edhe shumë tregues, si niveli i të ardhurave mesatare, GDP-ja, shpërndarja e të ardhurave, niveli i arsimit dhe jetëgjatësia. Megjithëse vëllimi i përgjithshëm ekonomik i Kinës renditet i dyti në botë, të ardhurat për frymë ende nuk i arrijnë 9000 dollarët amerikanë dhe Kina ende nuk e ka kaluar nivelin e të ardhurave të mesme. Krahas kësaj, më e rëndësishmja është që, në nivel të detajuar, ende ekzistojnë probleme konkrete, si ato të varfërisë, mjedisit dhe punësimit.

Në Kongresin e 19-të të PKK-së dhe dy sesionet kombëtare të vitit 2018, janë theksuar misionet e luftës kundër varfërisë dhe të zhvillimit në zonat rurale. Në 5 vjetët e fundit, numri i të varfërve në Kinë është pakësuar me 68 milionë, që është një rekord botëror. Sivjet, Kina ka si objektiv nxjerrjen e 10 milionë personave nga varfëria dhe arritjen e eliminimit të gjithanshëm të varfërisë.

Mjedisi është një mision kryesor për Kinën. Gjatë pesë vjetëve të kaluar, konsumi i energjisë dhe i ujit për njësi të GDP-së është ulur me mbi 20 %, niveli i lëshimit të lëndëve ndotëse ka vazhduar të ulet dhe numri i ditëve me ndotje në qytetet kryesore të vendit është përgjysmuar. Këto janë arritje konkrete, ndërsa smogu ndodh shpeshherë. Megjithëse ky është një problem afatgjatë dhe kërkon një kohë të gjatë që të zgjidhet, Kina është e gatshme të përpiqet në mënyrë të pandërprerë në këtë drejtim.

Edhe punësimi përballet me presion. Qysh nga viti 2012, numri i personave në moshë për punë 16-59 vjeç ka pasur një rënie të vogël, por ende arrin 900 milionë. Tani dhe në të ardhmen, Kina duhet t'i kushtojë një vëmendje më të madhe rregullimit strukturor. Megjithëse sektorët e rinj mund të krijojnë vende pune, ndërmarrjet tradicionale gjatë kësaj periudhe do të pakësojnë vendet e punës. Ekzistojnë presione edhe në nivelin dhe në strukturën e punësimit. Një vend nuk mund të quhet i pasur pa nivel të mjaftueshëm dhe cilësor të punësimit.

Në raportin e Kongresit të 19-të të PKK-së, u shpall një objektiv me tre faza: deri në vitin 2020, të formohet një shoqëri e begatë në mënyrë të gjithanshme; deri në vitin 2035, të arrihet modernizimi socialist dhe deri në vitin 2050, Kina të shndërtohet në një vend modern socialist të pasur, demokratik, të kulturuar, harmonik dhe të bukur. Tani Kina ndodhet në fazën e parë.

Lidhur me thënien që Kina është bërë një vend i pasur, zëdhënësi i Zyrës Kombëtare të Statistikave të Kinës tha për mediat: "Tani Kina ndodhet dhe do të ndodhet për një kohë të gjatë në fazën fillestare të socializimit. Kjo është gjendja bazë e vendit dhe ka mbetur e pandryshuar. Ne ende jemi vendi më i madh në zhvillim në botë dhe as kjo nuk ka ndryshuar." Kështu, për Kinën, detyra e parë për zhvillimin e lulëzimin e saj është zhvillimi cilësor i ekonomisë dhe përmirësimi i nivelit të jetesës.

(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore