Wang Shujuan-i, bletarja e re milionere

2018-06-12 16:18:39 CRI Komenti juaj Printoni

Wang Shujuan-i është një vajzë e re që donte të bëhej mësuese muzike, por tërmeti që thuajse e rrafshoi vendlindjen e saj, e bëri që të ndjekë një rrugë tjetër në jetë, atë të biznesit, dhe pikërisht të prodhimit të mjaltit. Ajo është themeluesja e një kompanie produktesh bujqësore që ka krijuar një model të ri biznesi, për t'i ndihmuar familjet e varfra të hyjnë në rrugën e pasurimit.

32-vjeçarja Wang Shujuan nga konteja Qingchuan në jugperëndim të provincës Sichuan të Kinës ishte duke ndjekur Konservatorin e Muzikës të Sichuan-it, kur vendlindja e saj u godit nga tërmeti i fuqishëm që ra në provincën Sichuan në maj 2008. Konteja Qingchuan u prek rëndë nga katastrofa. Rreth 95 për qind e shtëpive të saj u shkatërruan.

Duke parë vendlindjen e saj në gërmadha, Wang Shujuan-i nuk kishte si të mos ndiente dhimbje dhe ajo e vendosi të bënte diçka, për më tepër që familja po kalonte edhe ajo vështirësi ekonomike. Pas diplomimit në vitin 2009, Wang Shujuan-i u kthye në vendlindje, jo për të punuar si mësuese muzike, gjë që do t'i siguronte një të ardhur të qëndrueshme, por për të filluar biznesin e saj, duke hyrë kështu në një rrugë të panjohur. Duke ndjekur gjurmët e të atit, i cili ishte bletërritës, Wang e kishte vendosur me se do të merrej: me rritjen e bletëve dhe prodhimin e mjaltit, duke krijuar kështu Kompaninë e Produkteve Bujqësore "Xiangshen" të Qingchuan-it.

Wang Shujuan-i krijoi dy baza të veçanta, njërën për bletët dhe tjetrën për prodhimin e mjaltit. Një vit më pas, në 2010, kompania e Wang Shujuan-it iu bashkua parkut të risive të "Taobao"-s, platforma e tregtisë në internet e gjigantit kinez "Alibaba", në kryeqendrën e Sichuan-it Chengdu, ku filloi të shesë produktet e saj në internet.

Pas dy vjetësh, me rritjen e shpejtë të kompanisë së vet, Wang Shujuan-i ndjeu nevojën për të ditur më shumë rreth menaxhimit të biznesit dhe rreth marketingut. Wang po ashtu ishte e etur edhe për të mësuar të fshehtat e suksesit të industrisë ndërkombëtare të prodhimit të mjaltit.

Prandaj në vitin 2011 Wang Shujuan-i shkoi për të studiuar në Australi.

Në kohën e lirë ajo shijoi pothuajse të gjitha llojet e mjaltit të prodhuar nga kompanitë e ndryshme australiane dhe neozelandeze, sidomos markat më të mira australiane, dhe pastaj krahasoi të dhënat e tyre me ato të produkteve të kompanisë së vet. Wang zbuloi se sasia e lëndëve ushqyese të mjaltit që prodhonte firma e saj nuk ishte më e vogël sesa e mjaltit të kompanive kryesore të huaja.

I vetmi problem ishte se për marketingun, ambalazhimin dhe vlerën e shtuar të produktit, biznesi i saj ishte shumë prapa kompanive të njohura të huaja.

"Ajo që më bën më shumë përshtypje është se ambalazhimi është jetik për një kompani," shprehet Wang.

Pas përfundimit të studimeve, në dhjetor 2012 Wang Shujuan-i u kthye nga Australia në kontenë e saj të lindjes Qingchuan dhe e zgjeroi biznesin, duke punësuar banorë të zonës dhe duke ndihmuar kështu në rritjen e të ardhurave të tyre. Wang bëri sa mundej për t'u ofruar mjaltë të cilësisë së lartë klientëve dhe për t'i tregtuar produktet e kompanisë së saj në supermarktet më të mëdha vendore.

Gjithashtu, përveç platformës së shitjeve në internet, sipërmarrësja e re hapi edhe vetë një dyqan tradicional fizik të fokusuar në tregtinë me shumicë dhe pakicë të specialiteteve të ndryshme të Qingchuan-it, dhe jo vetëm të mjaltit.

Wang Shujuan-i e organizoi ekipin e shitjeve në internet të kompanisë dhe platformën e tregtisë elektronike në vitin 2013.

Ajo gjithashtu krijoi një shoqatë për shkëmbimin e informacionit dhe të përvojës në rritjen e bletëve, me synimin për ta përhapur edhe më shumë bletarinë në rajon.

Gjithashtu, për të zhvilluar sa më mirë sektorin e tregtisë elektronike vendore, si dhe për të shtuar shitjet e produkteve bujqësore, Wang Shujuan-i krijoi kompaninë e shërbimeve të internetit "Zhicen" në vitin 2014.

Duke bashkëpunuar me "Alibaba"-n, kompania e re e Wang Shujuan-it ka ofruar një platformë të besueshme ku fermerët vendorë mund të kryejnë tregti elektronike dhe për të reklamuar turizmin dhe industrinë ekologjike në të njëjtën kohë.

Falë punës së saj të madhe, në vitin 2015 të ardhurat nga biznesi i shitjes së mjaltit të kompanisë së Wang Shujuan-it arritën në 17 milionë juanë (mbi 2.6 milionë dollarë amerikanë). Një vit më pas shifra arriti në 22 milionë juanë (3.5 milionë dollarë amerikanë).

Wang Shujuan-i ka sjellë shpesh risi në menaxhimin dhe në modelin e biznesit që ndjek kompania e saj, duke iu përshtatur zakoneve të ndryshme të konsumatorëve në ditët e sotme.

Kështu për shembull, ajo i ka pajisur pesë bletoret që ka në pronësi kompania e saj me ekrane, nëpërmjet të cilave blerësit mund të shikojnë nëpërmjet telefonave të tyre të gjithë procesin se si prodhohet mjalti.

"Është gjë pozitive krijimi te konsumatorët i besimit për produktet tona," shprehet Wang.

Wang Shujuan-i e ka zgjeruar tashmë sferën e biznesit të vet, duke shtuar edhe shitjen e bletëve, nga e cila fitoi 3 milionë juanë (më shumë se 468 000 dollarë amerikanë) në vitin 2016.

Vjet Wang investoi afro 6.5 milionë dollarë për të ngritur një park të kulturës së bletarisë në Kinë, me qëllim për t'i njohur sa më shumë njerëz me rritjen e bletëve e prodhimin e mjaltit.

Me gjithë moshën e re të Wang Shujuan-it, kompania e saj është kthyer në një prej bizneseve më të mëdha dhe më të suksesshme në zonë, duke ndihmuar në zhvillimin e ekonomisë vendore dhe shtimin e punësimit.

Wang Shujuan-i po ashtu është e angazhuar në çështjen e bamirësisë, duke ndihmuar zonat e dëmtuara nga tërmeti, duke ndihmuar njerëzit me aftësi të kufizuara fizike të merren me tregti në internet dhe duke ofruar trajnim falas për pjesëtarët e familjeve në nevojë.

Me ambicien e vizionin e saj, biznesmenia e re ka si objektiv ta zgjerojë më tej sipërmarrësjen e vet, jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit.

Mrekulli