Fshati i pasuruar nga ushtria prej terrakote

2018-06-05 16:00:24 CRI Komenti juaj Printoni

Xiahe, që ndodhet më pak se gjysmë kilometri larg nga Muzeu i Ushtrisë prej Terrakote në provincën Shaanxi të Kinës Veriperëndimore, është bërë i njohur si Fshati i Ushtrisë prej Terrakote. Xiahe është një fshat që mbështetej gjerësisht te bujqësia, ashtu edhe si shumica e fshatrave të tjerë në Kinë. Sidoqoftë, me zbulimin e ushtrisë prej terrakote të perandorit Qin Shi Huang, të quajtur edhe si "Mrekullia e tetë e botës", banorët e Xiahe-së filluan të pasurohen nga turizmi, duke prodhuar suvenire, si qëndisma tradicionale dhe imitime të ushtarëve dhe kuajve prej terrakote. Ata ofrojnë gjithashtu strehim dhe ushqim për vizitorët, që sigurisht janë jo vetëm nga Kina, por edhe nga mbarë bota. Prandaj, ka nga ata që me humor thonë se banorët e Xiahe-së tashmë janë të pasur me "ndihmën" e perandorit Qin Shi Huang, ndonëse më e saktë do të ishte që të quheshin si të pasuruar nga ushtria prej terrakote.

Fshati i Ushtrisë prej Terrakote është i bukur, me rrugë të pastra, pemë të gjelbra dhe lule plot ngjyra. Shtëpitë e ndërtuara sipas arkitekturës tradicionale, janë dykatëshe, me mure të bardha, çati me tjegulla gri dhe kolona të kuqërreme. Banorët e fshatit, përveç perandorit Qin Shi Huang, i janë mirënjohës edhe një njeriu tjetër më "tokësor" për pasurinë e tyre të sapokrijuar, Yang Zhifa-së, i cili zbuloi ushtarin e parë të terrakotës.

Në vitin 1974, Yang Zhifa, atëherë 41 vjeç, bashkë me pesë vëllezër të tij, po gërmonin për të hapur një pus për të ujitur bimët, që rrezikoheshin nga thatësia. Në ditën e pestë, Yang Zhifa gjeti në dheun e nxjerrë kokën e një ushtari prej terrakote. Vëllezërit njoftuan autoritetet, të cilët dërguan në vend arkeologët. Kështu u zbulua një ushtri e tërë prej terrakote me përmasa reale. Autoritetet i dhanë Yang Zhifa-së shpërblim 300 juanë, që ishte sa fitonte ai në një vit në atë kohë. Më pas, me krijimin e Muzeut të Ushtrisë prej Terrakote, Yang Zhifa u pajtua nga muzeu për të nënshkruar libra në një dyqan suveniresh aty, përsëri për 300 juanë, por këtë herë në muaj, rrogë që më pas u bë 1000 juanë. Një ndër "trofetë" e Yang Zhifa-së është një fotografi e tij duke shtrënguar duart me ish-presidentin amerikan Bill Klinton, që vizitoi familjarisht ushtrinë prej terrakote në vitin 1998.

Por nuk ishte vetëm Yang Zhifa që përfitoi nga zbulimi. Edhe banorët e Fshatit të Ushtrisë prej Terrakote u pasuruan, fillimisht duke u ofruar vizitorëve qëndisma të punuara bukur nga gratë e fshatit, të cilat e kanë traditë prodhimin e shapkave në formën e kokës së tigrit dhe të pelenave të qëndisura për foshnjat. Ato i paraqitën disa prej këtyre punimeve për vizitorët, të cilët i pëlqyen shumë dhe nisin t'i blinin si suvenire. Që prej atëherë, qëndismat u bënë një burim i madh të ardhurash për fshatin.

Edhe prodhimi i imitimeve të ushtarëve e kuajve prej terrakote, si dhe i relikteve të tjera ka ndihmuar në begatinë e Xiahe-së. Që nga fundi i viteve '80 të shekullit të kaluar, në fshat janë hapur rreth 200 punishte, përgjatë rrugës, që prodhojmë imitime të tilla, të cilat shiten nga 1500 deri në 3500. Teknika e prodhimit të tyre ka ardhur duke u përmirësuar. Produkte të tilla nga ky fshat i gjen deri edhe në metropolet kineze si Pekin, Shangai e Hong-Kong.

Fshati Xiahe vizitohet çdo vit nga shumë turistë vendas dhe të huaj. Për të përmirësuar komunikimin me këta të fundit, pushteti vendor ka zhvilluar kurse të mësimit të anglishtes për fshatarët. Tani shumë prej tyre mund të thonë disa shprehje të thjeshta nën gjuhën angleze, madje edhe më të moshuarit, që mund të mos dinë të shkruajnë as emrin e tyre.

Autoritetet e pushtetit vendor gjithashtu kanë nisur një projekt për ndërtimin e hoteleve, të bujtinave e restoranteve, në mënyrë që vizitorët, përveç shikimit të ushtrisë prej terrakote, të kenë edhe përvojën e jetës së përditshme në shtëpitë fshatare në Kinë.

Për të krijuar kushte sa më të mira për turistët, rrugët e fshatit u rregulluan dhe përgjatë tyre u mbollën lule e pemë, si edhe u vendosën llamba elektrike. Po ashtu u zgjerua sheshi i fshatit dhe u ngrit aty një qendër tregtare. Turistët mund të shijojnë kuzhinën rurale, të shohin se si bëhen raviolit kineze, si edhe të mësojnë për artin tipik kinez të prerjes së letrës. Një mundësi tjetër është edhe vjelja e frutave, veçanërisht e shegëve, për të cilat Xiahe është i njohur, duke shijuar kështu jo vetëm ëmbëlsinë e tyre, por edhe përvojën e punës bujqësore.

Mrekulli