Mo Wenzhen-i, njeriu që e nxori fshatin e vet nga varfëria nëpërmjet mangos

2018-05-29 17:03:21 CRI Komenti juaj Printoni

A je i pasur nëse ke katër shtëpi dhe një makinë? Mbase shumë veta do të thoshin "po", por nuk është kjo përgjigjja që të jep 67-vjeçari Mo Wenzhen nga rajoni Guangxi i Kinës Jugore.

"Nuk mendoj se jam i pasur", thotë Mo. Për të pasuria, më shumë se financat individuale, është ndarja e përvojës me fermerët e tjerë, që të ecin së bashku në rrugën e begatisë.

Guanxi është një nga pesë rajonet autonome të kombësive të Kinës, pikërisht e kombësisë zhuang. Edhe Mo Wenzhen-i i përket kësaj kombësie. Me lëkurën e zeshkët dhe flokët e bardhë, ai nuk duket shumë i ndryshëm nga fermerët e tjerë të fshatit Shangxing. E megjithatë ai dallon nga vendosmëria dhe guximi për t'i udhëhequr bashkëfshatarët në përpjekjen e mundimshme për t'i thënë lamtumirë skamjes. Dhe mjeti kryesor për këtë është një frut i shijshëm tropikal.

Mo Wenzhen ka në pronësi më shumë se pesë hektarë tokë të mbjellë me mango dhe është kthyer në një ekspert të rritjes së saj. Por deri në moshën 36 vjeç, ai nuk dinte as si e kishte shijen ky frut.

31 vjet më parë, banorët e Shangxing-ut jetonin thellë në male, ku toka ishte shumë e paktë dhe e papërshtatshme për t'u mbjellë. Drithërat që prodhonin ata, mjaftonin vetëm për një ose dy muaj. Për pjesën tjetër të vitit vareshin nga ndihma e pushtetit vendor. Fshatarët e Shangxing-ut banonin në shtëpi të vjetra e të vogla pa energji elektrike dhe ujë të rrjedhshëm.

Mo Wenzhen-i ishte zv.kryetar i fshatit. Me vullnetin për të ndryshuar fatin e vet dhe të bashkëfshatarëve të tij, ai vendosi t'i largojë ata nga malësia. Por propozimi i Mo Wenzhen-it hasi në kundërshtimin e më të vjetërve, duke përfshirë edhe babain e tij, si edhe kryetarin e fshatit, të cilët e quanin një ide të tillë të pamundur, pasi askush nuk e kishte bërë më parë.

Por Mo Wenzhen-i, në krye të 16 familjeve, u largua nga fshati. Ata morën me qira tokë nga një fshat fqinj, duke filluar të mbillnin aty kallam sheqeri. Në atë kohë ai provoi për herë të parë një mango.

Pas katër vjetësh, Mo vendosi që ata të rritnin pikërisht këtë frut, që kishte filluar të kultivohej në zonë në vitet '80, për shkak se klima dhe toka e kuqe e atyshme shihej si e përshtatshme për një gjë të tillë.

Kur Mo Wenzhen-i dhe bashkëfshatarët e tij filluan të mbillnin mango, ishin aq të varfër, sa nuk kishin para as për të blerë fara a plehra kimike. Ata mblidhnin bërthamat e hedhura të mangove për t'i përdorur për farë, dhe pleh kafshësh për plehërim. "Ishin vërtet ditë të vështira," kujton Mo.

Por varfëria nuk ishte pengesa e vetme. Ata nuk kishin njohuri për kultivimin e mangos. "Në pesë vjetët e parë, pemët nuk bënë asnjë frut," shprehet Mo Wenzhen-i.

Ai vendosi të kërkojë ndihmën e ekspertëve të zonës, si edhe nisi të ndiqte kurset e trajnimit që organizonte pushteti vendor. Kurse të tilla zhvilloheshin për përhapjen e njohurive bujqësore dhe, për të tërhequr fermerët, autoritetet ofronin vakte falas për pjesëmarrësit në to. Por ishte etja për dije që e shtynte Mo Wenzhen-in drejt këtyre kurseve. "Nuk më interesonte nëse jepnin vakte falas ose jo," thotë me të qeshur ai. "Sa herë mësoja se organizoheshin kurse a seminare agroteknike, patjetër shkoja."

Dhe shton: "Po ta kisha ditur më parë, nuk do të kisha bërë një jetë aq të varfër".

Pas marrjes së njohurive për kultivimin e mangos, Mo Wenzhen-i filloi t'i ndajë ato me fermerët e tjerë, madje edhe ata të fshatrave pranë.

Po ai nuk u mjaftua me kaq. Nën drejtimin e tij, fshatarët ndërtuan një rrugë të re për të lehtësuar transportin e mangove e të produkteve të tjera bujqësore të tyre, si edhe instaluan internet për të zgjeruar kanalet e informacionit, duke përfituar së fundmi edhe nga bumi që ka marrë tregtia në internet në Kinë për të shitur produktet e tyre, pikësëpari sigurisht mangot.

Nëpërmjet rritjes së mangos, të ardhurat e fshatarëve të Shangxing-ut janë shtuar nga rreth 100 juanë në vitet '80 në më shumë se 8 000 juanë sot. "Nuk është shumë në krahasim me zonat më të zhvilluara, por është një ndryshim i madh për ne," thotë Mo.

Tashmë të gjithë banorët e Shangxing-ut janë larguar nga shtëpitë e tyre të vjetra në mal dhe kanë ndërtuar shtëpi të reja me ujë e energji elektrike.

Nën shembullin e tyre, edhe fshatarët e tjerë të zonës kanë filluar të merren me rritjen e mangove.

Mo Wenzhen-i është ftuar tani të jetë ekspert i kultivimit të mangos në një projekt të luftës kundër varfërisë në kontenë Tianyang ku ndodhet edhe Shangxing-u. Për kontributin e tij ai është nderuar me tituj e çmime të ndryshme, duke përfshirë edhe atë si një ndër dhjetë njerëzit që kanë ndihmuar më shumë për pakësimin e varfërisë në Kinë. Ai po ashtu u përzgjodh për të qenë një nga pishtarmbajtësit gjatë Olimpiadës së Pekinit, që e ka quajtur si ngjarjen më të madhe të jetës së vet. Por një pishtar tjetër që Mo Wenzhen-i thotë se do ta mbajë nxjerrë gjithmonë ndezur, është ai për të çuar sa më shumë njerëz drejt mirëqenies. (Artan Goga)

Mrekulli