Wu Hongmei, sipërmarrësja e re e çajit organik

2018-05-22 16:55:05 CRI Komenti juaj Printoni

Wu Hongmei, një grua e re e lindur në vitet '80 të shekullit të kaluar në një zonë malore të Kinës, është kthyer nga një punëtore e thjeshtë në një qytet të madh kinez, në një sipërmarrëse të suksesshme të prodhimit të çajit në vendlindjen e saj, duke udhëhequr edhe banorët e vendindjes së saj në rrugën e pasurimit me bizneset e tyre të çajit.

Ashtu si shumë të rinj e të reja të vendlindjes së saj, dhjetë vjet më parë e reja Wu Hongmei nga qyteza Langhe e provincës Hubei të Kinës Qendrore, shkoi në Shenzhen, një metropol në provincën Guangdong të Kinës Jugore, dhe gjeti punë atje. Pas njëfarë kohe, Wu vendosi të kthehej në vendlindjen e saj, ku në vitin 2006 disa sipërmarrës tajvanezë kishin hapur një firmë përpunimi çaji. Për shkak se Wu ishte rritur në një mjedis ku kultura e çajit ishte mjaft e spikatur, ajo filloi punë në këtë firmë. Në fillim Wu Hongmei ishte edhe këtu një punëtore e thjeshtë që merrej me vjeljen e çajit, ndërsa më vonë kaloi në shitjen e produkteve të çajit dhe në fund u bë pjesë e ekipit menaxhues të kompanisë.

Megjithatë, për shkak të problemeve të ndryshme, kompania u përball me mbylljen në vitin 2013. Por Wu Hongmei nuk mund të rrinte e të shihte që marka e çajit, për krijimin e së cilës ajo kishte punuar për vite të tëra, të humbiste në këtë mënyrë. Për më tepër, ajo i ndiente mundësitë e mëdha të biznesit që kishte prodhimi i çajit organik dhe besonte se ky lloj çaji, ashtu si produktet organike në përgjithësi, do të ishin të popullarizuar në mesin e publikut në të ardhmen. Prandaj me kursimet e veta dhe duke marrë hua, Wu grumbulloi një sasi kapitali për të blerë plantacionin e çajit të kompanisë dhe në dhjetor 2013 e regjistroi atë me emrin Kompania e Zhvillimit të Bujqësisë Organike "Shenghe".

Kompania e dikurshme e Wu Hongmei-t e kishte rindërtuar plantacionin e çajit, kishte ngritur punishte të përpunimit të standardizuar dhe kishte marrë certifikatë për kultivimin e çajit organik. Të gjitha këto vunë një themel të fortë për suksesin e biznesit të saj të ardhshëm.

Por megjithatë, për çdo biznes fillimi është i vështirë, sidomos për një vajzë të re. Por Wu Hongmei nisi t'i kalonte një nga një vështirësitë falë aftësive sipërmarrëse dhe pasionit të saj. Kompania e saj është rritur dhe nga 10 punonjës që kishte në fillim, ka tani më shumë se 60, ndërsa plantacionet e saj arrijnë një sipërfaqe rreth 1000 hektarë. Edhe punishtja e përpunimit të çajit e kompanisë është përmirësuar e modernizuar vazhdimisht.

Por teksa kompania zhvillohej, Wu Hongmei vuri se shumë nga fermerët e zonës kishin hequr dorë nga kultivimi i çajit për shkak të rritjes së kostos së përpunimit dhe të tregtimit. Ata e kalonin shumicën e kohës duke ndenjur e duke luajtur, gjë që ua shtoi edhe më shumë vështirësitë ekonomike. Kjo e trishtoi Wu Hongmei-n, prandaj vendosi që mbi bazën e kompanisë së vet të ngrejë Kooperativën e Çajit "Shenghe", duke u dhënë mundësi fermerëve vendorë të bashkohen në përpjekjet për të pasur fitime më të mëdha nga shitja dhe përpunimi i çajit të tyre. Ata mund të zgjedhin ta shesin çajin e tyre të papërpunuar në kooperativë me një çmim relativisht më të lartë ose të kërkojnë që ajo të bëjë një përpunim të mëtejshëm për ta. Statistikat kanë treguar se të dy modelet kanë rritur të ardhurat e kultivuesve së çajit.

Gjithashtu, Wu Hongmei fton shpesh profesionistë për t'u mësuar fermerëve vendorë se si t'i menaxhojnë kopshtet e tyre të çajit me metoda shkencore dhe si të përshtaten më mirë me tregun modern. Të gjitha këto masa kanë rritur ndjeshëm cilësinë dhe sasinë e çajit në këtë zonë.

Deri më tani, gjithsej 128 familje janë bashkuar në kooperativë dhe më shumë se 200 të tjera mbajnë lidhje të ngushta biznesi me të. Një pjesë e mirë e këtyre familjeve ishin në gjendje të keqe ekonomike, ndërsa tani kanë hyrë në rrugën e daljes nga varfëria.

Wu Hongmei ka në plan në të ardhmen e afërt që plantacionet e çajit t'i pajisë me objekte moderne të shërbimit, duke përfshirë hotele, restorante, qendra tregtare dhe vende argëtimi. Përveç kësaj, ajo planifikon të ndërthurë një biznes raftingu në kanionet e zonës me plantacionit e saj të çajit të orientuara drejt turizmit, me qëllim nxitjen e zhvillimit të biznesit bujqësor vendor, përmirësimin e strukturës së këtij biznesi dhe ndihmën ndaj fermerëve të tjerë që të vazhdojnë rrugën e pasurimit.

"Ajo që kam bërë është gjë shumë e vogël, por jam e gatshme të bëj sa mundem për t'u ardhur në ndihmë njerëzve të thjeshtë të vendlindjes sime", shprehet Wu Hongmei. (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore