Pasurimi nga maja më e lartë e botës

2018-05-15 17:04:16 CRI Komenti juaj Printoni

Rajoni Autonom i Tibetit është një nga pikat më tërheqëse për t'u vizituar në Kinë. Turizmi është kthyer tashmë në një sektor kyç të ekonomisë së rajonit, duke sjellë miliarda dollarë të ardhura në vit dhe duke nxjerrë çdo vit dhjetëra mijë veta nga varfëria. Miliona turistë vendës e të huaj shkojnë në Tibet për të parë bukuritë e jashtëzakonshme të këtij rajoni, që njihet edhe si "çatia e botës". Dhe një ndër këto bukuri është pa dyshim edhe mali më i lartë në botë, Everesti, ose Qomolangma siç njihet nga banorët vendorë.

Everesti nuk tërheq vetëm turistë, por edhe alpinistë që nuk i bëjnë dot ballë joshjes së sfidës për t'u ngjitur në majën më të lartë të botës. Përvit qindra veta përpiqen t'i ngjiten Everestit nga Tibeti. Kampi bazë i ngritur për ta ofron jo vetëm mbështetje për ndërmarrjen e tyre të guximshme, por edhe një mundësi pasurimi për banorët që jetojnë rrëzë malit. Një prej tyre është edhe një grua e re e quajtur Dorlma.

Kur ishte e vogël, Dorlma nga rajoni i Tibetit në jugperëndim të Kinës, e shikonte malin Everest nga dritarja e dhomës së saj çdo mëngjes kur zgjohej nga gjumi.

Vite më vonë, maja më e lartë e botës i ka sjellë 30-vjeçares dhe familjes së saj pasurimin.

Në një lartësi prej 5 200 metrash, ku përfundon rruga e asfaltuar, gjendet kampi. Ai përbëhet nga rreth 60 tenda, që u ofrojnë strehë turistëve e alpinistëve, përpara se këta të fundit të nisin udhëtimin e tyre për të pushtuar malin me një lartësi më shumë se 8 800 metra.

Dorlma ka në pronësi një bujtinë të hapur në njërën nga tendat. "Turistët mund të kalojnë këtu një natë të ngrohtë dhe të provojnë stilin e jetesës së tibetianëve, duke ngrënë ushqim tibetian dhe duke dëgjuar këngë tibetiane," thotë ajo.

Këtë muaj mbushen 65 vjet nga ekspedita e parë e suksesshme e njeriut në malin Everest, kur neozelandezi Edmund Hillary dhe Tenzing Norgay nga Nepali arritën majën, pikërisht më 29 maj 1953.

Dekada pas ngjitjes historike në "kulmin e botës", tibetianët që jetojnë rrëzë Everestit e kanë mposhtur varfërinë duke pritur alpinistë profesionistë e amatorë dhe turistë.

Ashtu si banesat tradicionale të barinjve tibetianë, bujtina e Dorlmas ka një dysheme druri të shtruar mbi gurë, një shtrat të përbashkët për gjashtë veta, tre karrige të mëdha për t'u ulur e për të fjetur dhe një sobë.

Edhe në maj, ngrohja është e nevojshme në rrafshnaltë.

Bujtina i sjell Dorlmas mbi 100 000 juanë (14 500 dollarë amerikanë) të ardhura në vit, 100 herë më shumë sesa kur merrej me blegtori ose me punë rraskapitëse në bujqësi. Rendimenti i kulturave bujqësore është shumë i ulët në lartësi mbi 4 000 metra.

Dorlma e hapi bujtinën e vet në vitin 2008, kur kishte vetëm katër të tilla.

Ajo ka parë me sytë e vet ndryshimet e mëdha në infrastrukturën e kampit, duke përfshirë ndërtimin e një rruge të asfaltuar, fillimin e furnizimit me energji elektrike, vendosjen e rrjetit të telefonisë celulare, si edhe postën që gjendet në lartësinë më të madhe në botë, ku ndër të tjera gjen edhe kartolina me pamjen e Everestit, të cilat turistët që vijnë këtu mund t'ua dërgojnë miqve të tyre kudo që ndodhen.

Administrativisht kampi i përket komunës Zhaxizom. Çdo operator tendash duhet të paguajë një qira vjetore prej 40 000 juanësh, që u shpërndahet banorëve të varfër të komunës në formë dividenti.

"Asnjë familje nuk duhet lënë pas në rrugën drejt pasurimit", thonë drejtuesit e pushtetit vendor.

Dhe përfitimet e sjella nga bumi i turizmit në majën më të lartë të botës ndahen nga fshatrat e ndryshme të komunës. 20 prej këtyre fshatrave lejohen të operojnë bujtina në kamp, kurse banorët e 10 fshatrave të tjera ofrojnë shërbime të dërgimit me jak, siç quhen lopët tibetiane.

Sipas vlerësimeve zyrtare, vjet e gjithë komuna doli nga varfëria.

Dorlma beson se falë turizmit, jeta e saj dhe e banorëve të tjerë të zonës do të vijë gjithmonë duke u bërë më e lumtur dhe më e begatë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore