Kina tregon përgjegjësinë e një fuqie të madhe në ekonominë globale

2018-05-15 17:01:43 CRI Komenti juaj Printoni

"Që Kina të luajë rolin e një fuqie të madhe, atëherë duhet medoemos të marrë pjesë aktivisht në koordinimin dhe menaxhimin e ekonomisë globale." Kështu shprehet zv.dekani i Shkollës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare pranë Universitetit "Renmin" të Kinës dhe studiues në Institutin e Çështjeve Monetare Ndërkombëtare të Kinës, Zhai Dongsheng, duke vlerësuar dokumentin e miratuar nga Komisioni i Thellimit të Reformave pranë Komitetit Qendror të PKK-së mbi përmirësimin e strukturës së qeverisjes ekonomike ndërkombëtare nëpërmjet bashkërendimit të politikave makroekonomike. Sipas prof. Zhai Dongsheng-ut, ky dokument është miratuar në kohën e duhur.

Drejtori i Qendrës së Studimit të Menaxhimit të Krizave në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare Bashkëkohore të Kinës, Chen Xiangyang, vë në dukje në një artikull të tij se, qysh nga Kongresi i 18-të i PKK-së, Sekretari i Përgjithshëm i PKK-së Xi Jinping i ka kushtuar rëndësi jashtëzakonisht të madhe pjesëmarrjes së Kinës në qeverisjen globale, duke drejtuar dy herë studimet kolektive në këtë drejtim në Byronë Politike të PKK-së. Ndërkohë, zhvillimi i samitit të G20-s në Hangzhou dhe i forumit të lartë mbi bashkëpunimin ndërkombëtar për "Një brez, një rrugë" kanë hapur një epokë të re, ku Kina drejton qeverisjen globale.

Drejtori i Qendrës së Financave Ndërkombëtare në Ministrinë e Financave të Kinës Zhou Qiangwu vëren që në raportin e Kongresit të 19-të të PKK-së, është përmendur shumë herë termi "qeverisje globale", çka tregon që vendimmarrësit kinezë duhet të nxisin dhe të përmirësojnë qeverisjen globale. Detyra e tanishme është zbatimi i saj konkretisht.

Pjesëmarrja në përmirësimin dhe reformimin e sistemit të tanishëm

Në mbledhjen e Komisionit të Thellimit të Reformave të Kinës u theksua se Kina duhet të marrë pjesë aktivisht në bashkërendimin ndërkombëtar të politikave makroekonomike dhe duhet ta shfrytëzojë këtë si një faktor kyç për nxitjen e zhvillimit dhe reformës nëpërmjet hapjes, duke u udhëhequr nga nisma "Një brez, një rrugë" dhe duke u mbështetur te një sistem ose platformë shumëpalëshe. Gjithashtu, duhet të shfrytëzohen mirë mjetet financiare e monetare dhe reforma strukturore, si edhe duhen bashkërenduar përpjekjet e qeverisë, kompanive dhe shoqatave të sektorëve të ndryshëm, për të formuar në mënyrë graduale një mekanizëm të ri për pjesëmarrjen në bashkërendimin e politikave makroekonomike ndërkombëtare.

Zv.kryetari i Komitetit Akademik të Institutit të Bashkëpunimit Ekonomiko-Tregtar Ndërkombëtar pranë Ministrisë së Tregtisë të Kinës, Zhang Jianping, thotë që tani gjendja në botë po përballet me ndryshime të reja dhe globalizimi ndodhet në një pikë kyçe e në disa vende ka filluar prirja e antiglobalizimit. Krahas kësaj, edhe në fushën e gjeopolitikës ekzistojnë shumë faktorë të paqëndrueshëm. Atëherë, në të ardhmen, me qëllim që nga procesi i globalizimit të përfitojnë të gjitha vendet, komunikimi dhe dialogu mbi politikat makroekonomike, duke përfshirë politikat financiare dhe monetare, do të jetë nevojë gjithnjë e më urgjente.

Z. Zhang Jianping mendon që, në epokën e globalizimit, bashkërendimi i politikave makroekonomike është një gjë kyçe, si dhe një pjesë e rëndësishme e qeverisjes ekonomike globale. P. sh., në vitin 2008, kur shpërtheu kriza financiare, nëse nuk do të kishte bashkërendim politikash monetare dhe financiare, do të ishte e pamundur që të përfundonte kriza.

Drejtori i Qendrës së Financave Ndërkombëtare në Ministrinë kineze të Financave Zhou Qiangwu thekson që, si një platformë e rëndësishme për koordinimin e makropolitikave globale, G20-a që prej vitit 2008 është shndërruar në samit, duke luajtur rol të rëndësishëm në përballimin e krizës ekonomike botërore. Por ai mendon se ka nevojë urgjente të shihet se si mund të kthehet G20-a në një mekanizëm me natyrë forumi dhe se si të rritet efektiviteti, si të zbatohet fryma e samitit, si të bëhen rregullimet sistemore dhe se çfarë roli duhet të luajë Kina në G20.

"Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë pasur sukses në reformat e tyre, por vetëm për këtë fazë. Atëherë për fazën tjetër, duhet të mendojmë si ta nxitim vazhdimin e reformës dhe si ta pasqyrojmë realitetin e ekonomisë botërore në një mënyrë më të gjithanshme dhe më të ekuilibruar, për të rritur efikasitetin e menaxhimit dhe për ta bërë atë të luajë një rol më të mirë," thotë Zhou Qiangwu.

Kurse prof. Zhai Dongsheng shprehet: "Unë besoj që brenda një kohe shumë të shkurtër do të formohet një mekanizëm i ri ndërkombëtar për bashkërendimin e politikave makroekonomike. Në këtë drejtim, Kina, Europa, Japonia, Koreja e Jugut dhe disa vende të tjera në zhvillim kanë interesin e përbashkët që ShBA-ja të mos marrë pjesë në mënyrë të njëanshme në procesin e antiglobalizimit. Nëse ShBA-ja e bën këtë, do të paguajë një çmim, si heqja dorë nga privilegjet e saj në sektorë të tjerë."

Projekti i Kinës tregon përgjegjësinë e Kinës

Sipas zotit Zhou Qiangwu, Kina ka nxitur reformimin e sistemit të tanishëm shumëpalësh, duke treguar mençurinë kineze për përmirësimin e qeverisjes ekonomike globale, duke formuar projektin e Kinës, si Banka Aziatike e Investimeve Infrastrukturore dhe nisma "Një brez, një rrugë".

Në mbledhjen e Komisionit të Thellimit të Reformave, u vu në dukje që nisma "Një brez, një rrugë" do të luajë rol drejtues dhe mekanizmat ose platformat shumëpalëshe do të ofrojnë forcë mbështetëse.

Lidhur me këtë, zv.kryetari i Komitetit Akademik të Institutit të Bashkëpunimit Ekonomiko-Tregtar Ndërkombëtar Zhang Jianping u shpreh: "Kina ka tani një platformë të mirë për dialogun ndërkombëtar, e cila njihet si nisma 'Një brez, një rrugë'. Me këtë platformë ne mund të zhvillojmë bashkëpunim të gjithanshëm ekonomik dhe gjatë këtij procesi, mund të bëhen më mirë lidhja dhe bashkërendimi ekonomik, çka do të thotë një platformë e re dhe një sistem i ri."

Zhang Jianping-u theksoi që duhet t'i kushtohet vëmendje efikasitetit të politikave financiare, veçaçërisht në procesin e zbatimit të projekteve. Për arsye që në zbatimin e nismës "Një brez, një rrugë" ka një numër të madh projektesh ndërtimi infrastrukturor në vende të ndryshme, nevojitet një mbështetje shumë e madhe financiare. Në këto kushte, me koordinimin e politikave financiare mund të ketë më shumë saktësi dhe më shumë operueshmëri.

Zhou Qiangwu theksoi që "në procesin e paraqitjes së projekteve të Kinës, Kina si një fuqi e madhe, duhet të tregojë përgjegjësinë e vet, pasi në sistemin e qeverisjes ekonomike globale, të drejtat janë në përshtatje me përgjegjësitë". (Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore