Saksofoni, "instrumenti i ri" i zhdukjes së varfërisë në Kinë

2018-05-08 16:02:52 CRI Komenti juaj Printoni

Autoritetet e pushtetit vendor në Kinë i kanë përshpejtuar përpjekjet e tyre në luftën kundër varfërisë, duke qenë pjesë e përpjekjeve të vendit për të arritur objektivin ambicioz të zhdukjes së varfërisë në vitin 2020. Në një konte të varfër në Kinën Veriore, autoritetet në bashkëpunim me bizneset, kanë vendosur që për pasurimin e fshatarëve të zonës të përdorin as më pak e as më shumë, por një instrument muzikor perëndimor.

Për 54 vjet fermeri kinez Yan Shunyi nuk dinte asgjë për instrumentet muzikore perëndimore, le të më të dinte të luante ndonjë prej tyre, por tani ai është një saksofonist.

Yan Shunyi jeton në Langzitou, një fshat i varfër në kontenë Wuqiang të provincës Hebei në Kinës Veriore. Ai filloi të mësojë saksofonin në marsin e vitit të kaluar, si pjesë e një programi të pushtetit vendor për uljen e varfërisë.

Pasi mësoi për disa muaj, ai tani është në gjendje të interpretojë më shumë se 20 pjesë muzikore.

"Në të kaluarën, unë nuk dija asgjë tjetër përveç bujqësisë, por tani jo vetëm mund të luaj me saksofon, por edhe të montoj vegla të ndryshme muzikore", thotë 55-vjeçari.

Wuqiang-u është një bazë e madhe e prodhimit të instrumenteve muzikore për orkestër në Kinë. Këtu ka më shumë se 50 fabrika për prodhimin e instrumenteve, që cilat punësojnë 20 000 veta.

Teksa autoritetet kineze kanë përcaktuar objektivin për t'i nxjerrë nga varfëria të gjithë njerëzit në Kinë brenda vitit 2020, pushteti vendor i Wuqiang-ut, një konte që ka gati 10 000 veta që jetojnë në varfëri, ka ofruar përkrahje nëpërmjet mësimit të saksofonit dhe kurseve për montimin e veglave muzikore.

Projekti filloi në marsin e kaluar dhe deri tani më shumë se 1 000 banorë nga 94 fshatra të kontesë janë trajnuar falas.

Grupi "Jinyin", një kompani udhëheqëse në prodhimin e instrumenteve muzikore, është i ngarkuar me zbatimin e projektit.

Zhang Huanying, punonjës në "Jinyin", u ka mësuar saksofonin mbi 20 vetave nga fshatin Houjiatun i kësaj konteje.

Ata që mësojnë të luajnë me saksofon mund të interpretojnë në pika të ndryshme turistike, dasma dhe festa të ndryshme të kompanisë, për të pasuruar jetën e tyre kulturore dhe materiale, thotë ai. Zhang shton se instrumentet, të cilat kompania i ofron falas, janë dizenjuar posaçërisht për fshatarët, të cilët janë në nivel fillestar.

Familjet e varfra të Wuqiang-ut po ashtu marrin përgatitje profesionale për montimin e pjesëve të ndryshme të instrumenteve muzikore.

Grupi "Jinyin" është themeluar në vitin 1989 dhe prodhon në vit më shumë se 900 000 instrumente, si kitara, violina, klarineta dhe sakofonë, të cilat shiten në më shumë se 80 vende dhe rajone në kontinentet e ndryshme të botës.

"Fshatarët e trajnuar do të ndihmojnë në lehtësimin e problemit të mungesës së punëtorëve që ka grupi ynë, ndërsa ata vetë kanë edhe një mënyrë më shumë për të fituar para", shprehet Ji Mancang-u, i cili drejton programin e trajnimit për uljen e varfërisë në "Jinyin".

Sipas tij, çdo fshatar fiton 50 deri në 100 juanë (rreth 8-16 dollarë) për çdo shfaqje, ndërkohë që montimi i pjesëve të instrumenteve muzikore i sjell çdo familjeje rreth 1500 juanë (240 dollarë amerikanë) në muaj.

Në vitin 2016 pushteti vendor i Wuqiang-ut, në bashkëpunim me Shoqatën e Instrumenteve Muzikore të Kinës, filloi vënien në jetë të një projekti me vlerë 1.15 miliardë juanë (mbi 180 mijë dollarë amerikanë) për arsimin muzikor kombëtar në të gjithë kontenë.

Projekti, i cili është i mbështetur nga Ministria e Financave e Kinës, si edhe nga Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe i Reformës, do ta bëjë kontenë Wuqiang një qendër për blerjen e instrumenteve muzikore nga shkollat ​​kineze, si dhe një platformë për arsimin muzikor.

"Ne jemi duke u përpjekur për ta bërë muzikën një markë të turizmit këtu, prandaj shpresoj se turistët do të dëgjojnë saksofonistët e këtushëm sa herë që ata të vizitojnë ndonjë nga 238 fshatrat e Wuqiang-ut në të ardhmen. Kjo është arsyeja pse ne synojmë të mësojmë sa më shumë fshatarë që kemi mundësi," thotë Ji Mancang-u.

Mbase njeriu më i famshëm që luan në saksofon është ish-presidenti amerikan Bill Klinton. Ky instrument i shpikur në shekullin e 19-të nga një europian dhe që u popullarizua sidomos në shekullin e 20-të në ShBA kur hyri në botën e xhazit, tani në shekullin e 21-të në Kinë është kthyer në një "instrument" jo thjesht muzikor, por edhe të daljes nga varfëria. (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore