Hapja e Hainan-it duhet të fokusohet te "fuqia e butë"

2018-04-24 16:08:39 CRI Komenti juaj Printoni

Me rastin e 40-vjetorit të fillimit të politikës së Reformës dhe Hapjes, Kina, si ekonomia e dytë më e madhe në botë, ka shpallur herë pas here vendosmërinë e saj për thellimin e reformës dhe zgjerimin e hapjes. Këtë muaj, pas shpalljes së masave të reja për zgjerimin e hapjes në Forumin e Boaos për Azinë, Kina mori vendim që Reforma dhe Hapja në provincën Hainan të ngrihen në një nivel të ri.

Më 13 prill, gjatë pjesëmarrjes në festimet me rastin e 30-vjetorit të krijimit të Zonës së Posaçme Ekonomike të provincës Hainan, Sekretari i Përgjithshëm i PKK-së Xi Jinping shpalli që Komiteti Qendror i PKK-së mori vendim që të mbështetë Hainanin në ndërtimin e një zone eksperimentale të tregtisë së lirë, si edhe në eksplorimin hap pas hapi dhe në nxitjen në mënyrë të qëndrueshme të ndërtimit të një porti të tregtisë së lirë me karakteristika kineze. Një ditë më pas, Këshilli i Shtetit i Kinës publikoi një dokument zyrtar për mbështetjen e thellimit të gjithanshëm të reformave në Hainan.

Sipas planit, në të ardhmen, zhvillimi i Hainan-it nuk do të varet nga tregtia kalimtare dhe përpunimi e prodhimi, por duhet të përqendrohet tek turizmi, shërbimet moderne dhe teknologjitë e reja dhe të larta. Po ashtu, do t'i kushtohet më shumë rëndësi stimulimit të plotë të gjallërisë dhe risive nëpërmjet zhvillimit të gjithanshëm të njeriut. Ky është një sinjal shumë i qartë që zona eksperimentale e tregtisë së lirë dhe porti i tregtisë së lirë në Hainan ndryshojnë nga zonat e lira ekonomike e portet e zakonshme. Zona eksperimentale e tregtisë së lirë do të jetë një zonë e re me nivel më të lartë hapjeje dhe me ndikim më të gjerë.

Ky vendim në fakt përshtatet me nevojat e brendshme të Reformës dhe Hapjes të Kinës. Meqë thellimi i gjithanshëm i reformës është futur në një fazë të re, reformat në sektorët e ndryshëm kanë prekur një nivel të thellë të sistemeve ekzistuese dhe ndryshimi, madje prishja e këtyre sistemeve, është bërë një hallkë kyçe për thellimin e mëtejshëm të Reformës dhe Hapjes. Në epokën e re të zgjerimit të hapjes, Kina duhet të nxitë reformat e zhvillimin nëpërmjet hapjes dhe zonat e veçanta ekonomike duhet të luajnë rolin e "dritares" së kësaj hapjeje.

Ndërtimi i zonës eksperimentale të tregtisë së lirë në ishullin Hainan ka edhe ndikime të rëndësishme për Reformën dhe Hapjen në mbarë Kinën. Qeveria kineze e ka quajtur Hainan-in si "tokë eksperimentale", çka do të thotë që masat e reja të reformës dhe hapjes mund të zbatohen dhe të provohen së pari në Hainan dhe pastaj të përhapen në mbarë vendin. Prandaj, në procesin e zhvillimit të ardhshëm, Hainan-i ka nevojë për më shumë politika përkrahëse nga qeveria qendrore, për të krijuar risi në mënyrë të guximshme dhe për t'u përpjekur për përparime më të mëdha, për të mbledhur më shumë përvojë që mund të merret dhe të përhapet gjetkë.

Sipas dokumentit të publikuar nga qeveria kineze, në Hainan do të zbatohen masat e shtimit të hapjes, si formimi i bursave ndërkombëtare të energjisë dhe mallrave të paambalazhuara dhe tërheqja e investimeve të huaja, si edhe hyrja e investimeve të huaja në sektorin kulturor. Krahas kësaj, do të shfrytëzohen plotësisht epërsitë e veçanta të Hainan-it, si ekonomia detare. Do të provohet edhe zhvillimi i të ashtuquajturve sektorë "tabu", si lotaritë sportive, lotaritë për aktivitete të mëdha ndërkombëtare dhe bastet e garave me kuaj.

Hainani, ishulli më jugor i Kinës, tani është bërë dritare e rëndësishme e hapjes së Kinës. Kjo është arsyeja që Hainan ka bërë eksplorime të guximshme dhe përpjekje të shumta. Në të ardhmen, ky shpirt do të vazhdojë të shfrytëzohet në thellimin e reformës dhe zgjerimin e hapjes.

Në fakt, përveç mbështetjes nga shteti dhe risive të vazhdueshme të pushtetit vendor, një mjedis i mirë për zhvillimin ekonomik luan një rol shumë të rëndësishëm. Ndërtimi i zonës ose portit të tregtisë së lirë në Hainan nuk ka synim konkurrencën brenda Kinës, por pjesëmarrjen në konkurrencën ndërkombëtare. Në krahasim me Singaporin dhe Hong-Kongun, Hainan-i ka edhe nevojë për forcimin e "fuqisë së butë", si shërbimet qeveritare dhe mjedisi i biznesit. Si një ishull turistik, Hainan-i nuk e ka përvojën e mjaftueshme në shërbimet për sipërmarrjet dhe përgatitjen e talenteve, të cilat janë kërkesa të zhvillimit të sektorit modern të shërbimeve dhe sektorit të teknologjive të reja e të larta.

Lidhur me shërbimet qeveritare, vitet e fundit në mbarë Kinën, procedurat e administrimit janë thjeshtuar, po formohet qeverisja e orientuar drejt shërbimit dhe shteti ligjor është në përsosje. Me qëllim që Hainan-i të marrë pjesë në konkurrencën ndërkombëtare, shërbimet e ofruara nga qeveria duhet medoemos të integrohen me standardin ndërkombëtar dhe reformat në këtë drejtim me siguri do të thellohen në të ardhmen.

Përveç shërbimeve qeveritare, edhe mjedisi i biznesit është element i rëndësishëm i triumfit në konkurrencën ndërkombëtare. Ai është një pjesë e rëndësishme e fuqisë së butë të një vendi e madje dhe të një rajoni. Në situatën e tanishme globale, ekziston prirja që të përmirësohet mjedisi i biznesit nëpërmjet reformave. Sipas statistikave, në vitin 2017, 119 ekonomitë e botës kanë bërë 264 reforma në mjedisin e biznesit, me synim që të shtohen vendet e punës, të tërhiqen më shumë investime dhe të rritet aftësia konkurruese. Kështu që në të ardhmen, Hainan-i duhet të përpiqet për përmirësimin e shërbimeve dhe për formimin e një mjedisi ku sundon ligji.

Në epokën e re, Hainan-i ka një mision të ri historik, si zona e posaçme ekonomike që guxon të eksperimentojë e para. Hainan-i do të vazhdojë të jetë një pionier i Reformës dhe Hapjes së Kinës.(Jiang Lei)

Mrekulli