Zona e Re Xiongan, shembull inovacioni

2018-04-10 16:33:39 CRI Komenti juaj Printoni

Në muajin prill të vitit 2017, Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Kinës dhe Këshilli i Shtetit morën vendimin që të ndërtohet zona e re në rang kombëtar, Xiongan. Pas një viti, zona Xiongan jo vetëm ka ndërruar pamjen për sa i përket aspektit infrastrukturor dhe atij ekologjik, por edhe ka hartuar një udhërrëfyes për politikat tekniko-shkencore, financiare dhe të strehimit, duke u shfaqur hap pas hapi si një shembull inovacioni para publikut.

Ndërtimi infrastrukturor është një nga epërsitë e Kinës. Në muajin shtator 2017, Zona e Re Xiongan filloi procesin e ndërtimit infrastrukturor dhe në muajin dhjetor, filloi ndërtimi zyrtar i qendrës së shërbimeve publike, që konsiderohet si simboli i parë i ndërtimit në Xiongan. Në fund të muajit mars të këtij viti, përfundoi ndërtimi i kësaj qendre me sipërfaqe prej 10 mijë metrash katrore. I gjithë procesi i ndërtimit u bë 2-3 herë më shpejt sesa për projekte të tjera të së njëjtës shkallë. Në fakt, ndërtimi i shpejtë mbështetet te teknologjia e lartë. Në këtë projekt janë përdorur mbi 30 teknologji të reja ndërtimi, për herë të parë në historinë e inxhinierisë kineze të ndërtimit.

Në krahasim me qytetet e tjera, në Zonën e Re Xiongan janë lënë mjaft hapësira ekologjike. Vjet në periudhën vjeshtë-dimër, në Xiongan nisi projekti "Pylltari 1000-vjeçare", duke u mbjellë 260 mijë pemë në një sipërfaqe prej 10 mijë hektarësh. Në vitin 2018, do të zbatohet projekti i pyllëzimit të 10 mijë hektarëve, me synim që të krijohet një pyll natyror ekologjik me pemë të moshave të ndryshme dhe bimësi të përzier dhe lloje të shartuara. Për të menaxhuar mirë jetën e pyllit, në çdo pemë është regjistruar një kod QR (të reagimit të shpejtë). Krahas kësaj, për rimëkëmbjen e mjedisit ekologjik, në mbarë vitin e kaluar janë rregulluar 674 probleme mjedisore, duke pasur rezultatet e duhura.

Për një qytet, "hardueri", si infrastruktura dhe mjedisi, kanë rëndësi të madhe, por më e rëndësishmja është e ashtuquajtura "fuqia e butë". Vitin e kaluar, Xiongan ka shënuar përparime tekniko-shkencore dhe ka pasur shërbime financiare novatore, të cilat janë faktorë kyçë për zhvillimin e ardhshëm në këtë zonë.

Në fund të vitit 2017, gjigantët e internetit, si "Alibaba", "Tencent" dhe "Baidu" kanë shkuar në Xiongan për të biseduar lidhur me bashkëpunimin për ndërtimin e një qyteti inteligjent me siguri financiare dhe zbatimin e të ashtuquajturit "internet të gjërave". Më 20 dhjetor, Grupi "Baidu" dhe Zona e Re Xiongan nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit, sipas së cilës, të dyja palët do të zhvillojnë bashkëpunim të thellë në fusha të ndryshme në zonën Xiongan, si udhëtimi inteligjent, aplikimi i teknologjisë së inteligjencës artificiale (AI) dhe infrastruktura cloud, për ta bërë Zonën e Re Xiongan një qytet inteligjent model. Tani, grupi i makinave me teknologjinë e vetëdrejtimit "Apollo", krijuar nga "Baidu", është vënë në testim në rrugët e Xiongan-it dhe në të ardhmen, në këtë zonë të re do të ketë më shumë aplikime të teknologjisë së inteligjencës artificiale.

Risitë tekniko-shkencore janë një forcë e rëndësishme nxitëse e zhvillimit të njerëzimit. Kjo është vërtetuar nga revolucionet e kaluara industriale. E ardhmja e zhvillimit shkencor është në sektorë të tillë si inteligjenca artificiale, makinat me vetëdrejtim dhe interneti i gjërave. Megjithëse tani për tani zhvillimi në këto fusha ka hasur në disa dyshime e debate, kjo në fakt është një epërsi për Xiongan-in, pasi kjo është një zonë krejtësisht e re dhe mund të ketë shumë pak pengesa.

Për ndërtimin e zonës Xiongan dhe zhvillimin e ekonomisë reale, risitë në shërbimi financiar inovativ është një gjë e pashmangshme. Në uebsajtin e komisionit rregullator bankar të provincës Hebei, është konfirmuar që katër bankat kryesore shtetërore, ICBC, BOC, ABC dhe CBC, kanë hyrë në Xiongan, duke hapur degët e tyre për të ofruar shërbime financiare.

Ndërtimi i infrastrukturës në Zonën e Re Xiongan kërkon investime kolosale e një kohë të gjatë dhe është vështirë të përmbushen nevojat për fonde vetëm me investime nga qeveria. Përveç kësaj, modeli tradicional i kredidhënies ka standard dhe prag të përcaktuar. Kështu, për të nxitur ndërtimin në mënyrë efikase brenda një kohe të shkurtër, duhet të eksplorohen rrugë dhe modele inovative financimi. Të tilla janë p. sh., përhapja e vazhdueshme dhe përmirësimi i modelit partneritet publik-privat, duke tërhequr pjesëmarrjen e kapitalit privat; ngritja e cilësisë dhe e efikasitetit të ndërtimit dhe menaxhimit; eksplorimi i mënyrave të reja, si bonot e veçanta infrastrukturore, dhënia me ekskluzivitet dhe kthimi i aseteve në letra me vlerë për projektet me mbështetje të qëndrueshme fondesh.

Inovacioni financiar është një element i rëndësishëm për nxitjen e zhvillimit. Në Xiongan mund të eksplorohen instrumentet e kreditimit për sektorët e gjelbër dhe ata me teknologji të larta, nëpërmjet rinovimit të llojeve të kredidhënies, nivelit të favorshëm të interesit dhe linjave të kreditimit. Gjithashtu, do të jetë një prirje ofrimi i shërbimeve financiare inteligjente për kompanitë e individët nëpërmjet teknologjisë financiare.

Krahas infrastrukturës, mjedisit dhe teknologjisë, edhe politika e strehimit në zonën Xiongan ka veçantinë e vet. Ndryshimi më thelbësor është që në Xiongan do të ndryshojë modeli i zhvillimit tejet të varur nga financimi i tokës dhe do të eksperimentohet modeli i ri i menaxhimit të strehimit me qira të bazuar në një sistem pikësh. Gjatë vitit të kaluar, në Xiongan janë rimarrë më shumë se 520 km katrorë tokë mbi baza ligjore, duke përballuar sfida të tilla si spekulimi me trojet e banesat, lejet e banimit dhe qiratë e shtëpive. Kjo ka shmangur spekulimin nga kapitali privat, duke kontrolluar mirë koston e ndërtimit.

Zona e Re Xiongan është si një letër e bardhë dhe nuk ka asnjë problem të mbetur nga historia. Në këtë zonë ka kushte shumë të mira për shfrytëzimin e epërsive, qoftë në "fuqinë e fortë", si ndërtimi infrastrukturor dhe mjedisi, qoftë në "fuqinë e butë", si shkenca, financat dhe strehimi. Kështu, Zona e Re Xiongan mund të bëhet një shembull i modelit inovator të zhvillimit për mbarë Kinën.(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore