Zhai Meiqing-u, "001"-shi i bamirësisë në Kinë

2018-04-10 15:24:44 CRI Komenti juaj Printoni

Bashkëthemeluesja dhe kryetarja e Grupit "Xiang Jiang" (në kantonisht "Heung Kong") Zhai Meiqing është një biznesmene e suksesshme, arritjet e jashtëzakonshme të së cilës - si në tregti, ashtu edhe në bamirësi - të kujtojnë ato të industrialistit dhe filantropit të famshëm Andrew Carnegie. Zhai Meiqing-u i bëri një milion juanët e parë që në moshën 23-vjeçe duke shitur mobilie. Kompania që ajo ka krijuar me të shoqin është tashmë një konglomerat që e ushtron veprimtarinë në shumë fusha. Zhai Meiqing-u është edhe krijuesja e fondacionit të parë privat të bamirësisë në Kinë. Vjet ajo fitoi Medaljen e Filantropisë "Carnegie".

53-vjeçarja Zhai Meiqing ka lindur në Guangdong të Kinës Jugore, një nga provincat më të pasura në Kinë. Por të ardhurat e familjes së saj ishin modeste. Në fillim të viteve '80 të shekullit të kaluar, në Kinë sapo kishte nisur procesi i reformës dhe i hapjes me botën e jashtme, që shënoi edhe fillimin masiv të sipërmarrjes private. Zhai Meiqing thotë se, që kur ishte në shkollë të mesme, ëndërronte të fillonte edhe ajo biznesin e vet. Prandaj, Zhai nuk mori pjesë në provimet e pranimit të universitet, duke hequr dorë kështu nga ndjekja e shkollës së lartë. Në vend të kësaj, ajo huajti një shumë të vogël nga e ëma dhe filloi biznesin e shitjes së veshjeve. Por megjithëse kjo përçapje e saj e parë dështoi, Zhai Meiqing-u nuk u dëshpërua, po vendosi të niste një tjetër biznes. Provinca e saj Guangdong njihet si qendër prodhimi mobiliesh, të cilat janë mjaft të pëlqyera edhe në provincat në veri të vendit, kështu që Zhai Meiqing-u nisi të merret me shitjen e mobilieve. Këtë herë vajza e re pati sukses dhe shumë shpejt arriti të bëjë 30 000 juanë. Më vonë ajo u zhvendos në Pekin, në kërkim të mundësive më të mira të biznesit, duke hapur aty një fabrikë të vetën të prodhimit të mobilieve. Zhai Meiqing-u nuk donte të harxhonte për të marrë me qira një shtëpi, pasi dëshironte që çdo qindarkë ta investonte, prandaj jetonte në fabrikë dhe flinte në zyrën e vet.

Në moshën 23-vjeçare, ajo bëri një milion juanët e parë në jetën e saj, që do të pasoheshin nga shumë të tjera në vitet në vijim.

Në vitin 1990 Zhai Meiqing-u u martua me Liu Zhiqiang-un dhe të dy u kthyen në Guangdong, ku themeluan atë që është sot Grupi "Xiang Jiang". Fillimisht "Xiang Jiang"-u vijoi biznesin e mëparshëm të Zhai Meiqing-ut, atë të mobilerive. Zhai Meiqing-u kujton se shumë njerëz ishin dyshues për modelin e biznesit që ndoqi, të cilin ajo vetë e quan si "shumë krijues". Plani i saj ishte që të hapte dyqane të mëdha në rrethinat e qyteteve, ku qiratë ishin më të ulëta. Kjo do të thoshte hapësira më të mëdha, ku mund të tregtoheshin një gamë e pasur produktesh. Po ashtu, ajo përpiqej t'i mbante çmimet sa më të ulëta, me një marzh të vogël fitimi.

Ky model biznesi pati sukses dhe solli të ardhura të mëdha nga shitjet. Pa kaluar shumë "Xiang Jiang"-u u bë kompania më e madhe e tregtimit të mobilieve në Guangdong dhe ndër më të mëdhatë në Kinë.

Më pas Zhai Meiqing-u vendosi ta diversifikojë biznesin edhe në fusha të tjera, si logjistikë, pasuri të patundshme, arsim e turizëm, investime financiare etj. "Xiang Jiang"-u ishte tashmë një perandori e vërtetë biznesi dhe Zhai Meiqing-u e i shoqi hynë në radhët e njerëzve më të pasur të Kinës. Në vitin 2007, sipas listës së hartuar nga Instituti "Hurun", ata renditeshin në vendin e 13-të ndër miliarderët kinezë.

Përveç arritjes së këtij suksesi të jashtëzakonshëm në biznes, një veprimtari tjetër me të cilën ishte marrë pothuajse që nga fillimi Zhai Meiqing-u ishte bamirësia. Ajo kishte dhuruar para për fondacionet publike të bamirësisë, por në vitin 1998, dëshironte të krijonte fondacionin e vet. Por në atë kohë në Kinë ligji nuk e lejonte hapjen e fondacioneve të bamirësisë nga individët ose sipërmarrjet private. Një gjë e tillë u bë e mundur vetëm në vitin 2005. Zhai Meiqing-u ishte e para që aplikoi dhe numri i regjistrimit të fondacionit të saj të bamirësisë ishte 001, që do të thotë fondacioni i parë privat i bamirësisë në Kinë.

Po çfarë e shtyn Zhai Meiqing-un të jetë kaq e dhënë pas çështjeve të bamirësisë?

"Kur isha 20 vjeçe, ëndërroja të kisha shtëpinë time, makinën time dhe një jetë të lumtur, gjëra të cilat u bënë shtysa ime e parë për të fituar para", tregon ajo. "Sidoqoftë, kur isha në të tridhjetat, kuptova se kisha humbur në botën e pasur materiale që kisha krijuar vetë, prandaj fillova të kisha dyshim dhe të pyesja veten: Cili është kuptimi i jetës? Çfarë qëllimi ka bërja e parave?"

Dhe shton: "Kur e fillova biznesin, doja vetëm të shpëtoja nga varfëria. Por tani mendoj se vlera jonë e vërtetë qëndron në ndihmën që u japim të tjerëve. Ndaj gjetja e mënyrës së duhur për t'i përdorur paratë është bërë përgjegjësia ime. Të pasurit e tjerë mund të parapëlqejnë të shëtisin nëpër botë dhe ta shijojnë jetën ashtu siç dëshirojnë, ndërsa unë dua t'i përdor paratë për të bërë diçka kuptimplotë për shoqërinë." (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore