Qiu Yafu, "Louis Vuitton" i Kinës

2018-04-04 09:15:27 CRI Komenti juaj Printoni

Shtatorin e kaluar firma e njohur britanike e veshjeve me porosi për meshkuj "Gieves & Hawkes" zhvilloi një ekspozitë në Hong-Kong, ku mijëra vizitorë patën rastin të mësojnë për historinë e kësaj firme, që ka krijuar veshjet për dhjetë breza të familjes mbretërore britanike, që nga mbreti Xhorxh III deri te princi Uilliam. Dy muaj më vonë, u njoftua se pronari i "Gieves & Hawkes", konglomerati "Trinity" me qendër në Hong-Kong, do të blihej nga Grupi "Ruyi", një firmë tekstilesh nga provinca kineze Shandong e kontrolluar nga një yll në ngjitje në botën e veshjeve të luksit, Qiu Yafu.

Qiu Yafu ka lindur në vitin 1958 në Jining të provincës lindore kineze Shandong. Në moshën 17-vjeçare ai filloi punë në "Ruyi", që atëherë ishte një fabrikë shtetërore tekstilesh. Djaloshi punonte shumë, ndërkohë që e përdorte kohën e lirë për të studiuar, duke përfunduar në vitin 1985 një shkollë për tekstilet. Arsimimin do ta vijonte më tej me një diplomë në menaxhim ekonomik në vitin 1993, ndërkohë që më pas do të merrte një master në administrim biznesi në universitetin e njohur Qinghua.

Për sa i përket punës dhe karrierës në biznes, në vitin 1992, Qiu Yafu u caktua zv.menaxher i përgjithshëm i "Ruyi", në kohën kur kjo fabrikë shtetërore që dilte me humbje, ua shiti pjesën më të madhe të aksioneve punonjësve të vet. Pa kaluar shumë, pas privatizimit të plotë, Qiu Yafu u bë pronari i fabrikës, çka shënoi dhe krijimit e Grupit "Ruyi" të sotëm.

Sektori i tekstileve zakonisht përshkruhet si një industri në perëndim në Kinë, por Qiu Yafu vendosi që "Ruyi" të përqendrohej në kërkim-zhvillim, duke furnizuar me material të cilësisë të lartë markat e luksit si "Hugo Boss" dhe "Armani".

Qiu Yafu synon ta bëjë "Ruyi" njëfarë versioni të Kinës të konglomeratit francez të mallrave të luksit LVMH

(Moët Hennessy Louis Vuitton). Për këtë qëllim, pas blerjes së një numri kompanish rivale kineze, "Ruyi" nisi një valë blerjesh e bashkimesh jashtë vendit. Kështu në vitin 2010 grupi i Qiu Yafu-së bleu për rreth 45 milionë dollarë 41 % të aksioneve të firmës së njohur japoneze të veshjeve "Renown", duke u bërë aksionari më i madh në këtë firmë. Ky ishte investimi më i madh nga një biznes kinez në një kompani publike japoneze. Ndërkohë në vitin 2016 "Ruyi" bleu firmën franceze të modës SMCP për rreth një miliardë dollarë, duke e regjistruar atë në Bursën e Parisit, të njohur tani si "Euronext". Markat e SMCP-së "Sandro", "Maje" dhe "Claudie Pierlot" kanë fituar popullaritet të konsiderueshëm në Kinë. Kurse vjet pra "Ruyi" bleu "Trinity", duke marrë nën kontroll, përveç "Gieves & Hawkes", edhe dy marka të tjera të veshjeve për meshkuj, "Cerruti 1881" dhe "Kent & Curwen".

Blerja më e fundit e "Ruyi"-së është ajo e bërë në shkurt të këtij viti e kompanisë zvicerane të këpucëve dhe produkteve të tjera të luksit prej lëkure "Bally".

Me gjithë blerjet jashtë vendit, objektivi kryesor i "Ruyi"-së është tregu vendës. "Tregu i konsumit i Kinës po rritet," thotë Qiu Yafu. "Konsumi në Kinë është kaq i fuqishëm, saqë ndikon në modën dhe prirjet në botë. Ne ende kemi një epërsi të madhe duke i prodhuar produktet tona në një vend me një kërkesë kaq të madhe".

Ai po ashtu vëren rritjen e cilësisë së produkteve kineze në përgjithësi, si edhe të tekstileve e të veshjeve në veçanti: "Prodhuesit kinezë të tekstileve e veshjeve, për shembull, zotërojnë disa prej teknologjive më të përparuara të prodhimit në botë. Cilësia e prodhimeve kineze gjithashtu është përmirësuar ndjeshëm. Detyra jonë e ardhshme është ta bëjmë biznesin tonë më të sofistikuar, duke krijuar marka specifike për Kinën dhe nëpërmjet rrugëve të tjera."

"Ruyi" është tashmë ndër 20 firmat më të mëdha në botë të tekstileve, veshjeve e artikujve të tjerë të luksit. Grupi zotëron 13 parqe të mëdha industriale, ndërkohë që në 2016-n, të ardhurat e tij ishin mbi 4.7 miliardë dollarë.

Por me gjithë pasurinë e tij, shtypi ka njoftuar se Qiu Yafu për një kohë të gjatë, që nga koha kur mori drejtimin e "Ruyi"-së, qëndroi në shtëpinë e vet të vjetër 70 metra katrorë. Megjithatë, në vitin 2013 ai bëri lajm kur bleu një prej shtëpive më të shtrenjta të qytetit australian të Sidneit, një vilë në bregdet, për shumën 33 milionë dollarë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore