Shangai, fillon tregtimi i kontratave me zbatim të ardhshëm për naftën bruto

2018-04-04 09:41:35 CRI Komenti juaj Printoni

Në fund të marsit të këtij viti filloi nga funksionimi Qendra Ndërkombëtare e Tregtimit të Energjisë e Shangait, filial i Bursës së Kontratave me Zbatim të Ardhshëm të Shangait. Kështu, në të ardhmen, në tregtimin e kontratave me zbatim të ardhshëm të naftës bruto në Kinë mund të marrin pjesë edhe investitorë të huaj, duke përdorur monedhën kineze RMB (renminbi).

Siç mësohet, misioni i kësaj qendre është për të rritur nivelin e shërbimeve për ekonominë reale dhe për të eksploruar përvojat e funksionimit të ndërkombëtarizuar të bursave të Kinës. Ky është një vendim i marrë pas 17 vitesh përgatitjeje.

Tregtimi i kontratave me zbatim të ardhshëm për naftën bruto do të përdorë modelin: "platformë ndërkombëtare, tregtim me të ashtuquajturin 'çmim të bardhë', dërgim i mallrave të depozituara në magazinat doganore dhe llogaritje me RMB". Ndërkohë, monedhat e huaja si dollari amerikan mund të përdoren si fond garancie.

Zv.kryetari i Komisionit Rregullator të Letrave me Vlerë të Kinës Fang Xinghai shprehet që rëndësia kryesore e tregtimit të kontratave me zbatim të ardhshëm për naftën bruto është ofrimi i shërbimeve për të plotësuar kërkesat e kompanive vendase për menaxhimin e rreziqeve të çmimit. Sipas tij, tregtimi i kontratave me zbatim të ardhshëm për naftën bruto ka dy veçanti kryesore:

"E para është platforma ndërkombëtare. Nga fillimi i funksionimit, kemi ndjekur modelin e pjesëmarrjes së investitorëve nga e gjithë bota. Nëse në procesin e tregtimit nuk përfshihen investimet ndërkombëtare, çmimi i përcaktuar nga tregu vendas mund të jetë i ndryshëm nga çmimi ndërkombëtar dhe nuk mund të menaxhohen mirë rreziqet në këtë drejtim. Veçantia tjetër kryesore është që tregtimi do të bëhet me RMB, kurse në tregun ndërkombëtar, shumica e tregtimit të naftës bruto bëhet me dollar amerikan. Përdorimi i RMB-së i favorizon kompanitë kineze të marrin pjesë në tregtimin e kontratave me zbatim të ardhshëm për naftën bruto dhe mund t'i ndihmojë ato të menaxhojnë siç duhet rreziqet në procesin e tregtimit. Prandaj, themi që ky është një model që i shërben mirë ekonomisë reale."

Për një kohë të gjatë, Kina, ndonëse vendi i dytë më i madh konsumues dhe vendi i tetë më i madh prodhues i naftës bruto në botë, nuk ka pasur një mekanizën të vetin mbi caktimin e çmimit të naftës bruto. Kështu, analistët janë të mendimit që tregtimi i kontratave me zbatim të ardhshëm të naftës bruto në Kinë do të plotësojë sistemin e tanishëm ndërkombëtar për caktimin e çmimit të naftës bruto dhe do të krijojë një bazë për përcaktimin e çmimit të naftës bruto që pasqyron kërkesën dhe ofertën e tregut të Kinës dhe atij të Azi-Paqësorit.

Kryekonsulenti i fondit "Yixinweiye", Jiang Mingde, vëren:

"Me këtë platformë do të kemi ndërkombëtarizim të transaksioneve, pagesave dhe dërgimit të mallrave, çka do t'i ndihmojë investitorët ndërkombëtarë të marrin pjesë në bursën tonë në një mënyrë më të lehtë, më të lirshme dhe më efikase. Ndërkohë, mund të bazohemi te tregu ndërkombëtar i shitjeve me para në dorë dhe të tërheqim më shumë investime të huaja, si nga kompanitë ndërkombëtare të naftës, tregtuesit e naftës dhe bankat e investimeve. Kjo mund të nxitë përcaktimin e çmimit bazë të naftës që pasqyron kërkesën dhe ofertën në tregun kinez dhe në tregun e Azi-Paqësorit në përgjithësi".

Për të mbështetur hapjen e tregut të naftës bruto për biznesin e huaj, Ministria e Financave, Administrata Shtetërore e Tatim-Taksave dhe Komisioni Rregullator i Letrave me Vlerë kanë publikuar një njoftim të përbashkët, ku thuhet që investitorët e huaj dhe institucionet ndërkombëtare nuk do të paguajnë tatim mbi të ardhurat korporative nga tregtimi i kontratave me zbatim të ardhshëm për naftën bruto në Kinë. Fitimet e agjencive të huaja që ofrojnë shërbime për investitorët ndërkombëtarë në tregtimin e kontratave me zbatim të ardhshëm për naftën bruto në Kinë nuk tatohen nga qeveria kineze. Krahas kësaj, për tre vjet që nga dita e fillimit, investitorët e huaj që marrin pjesë në tregtimin e kontratave me zbatim të ardhshëm për naftën bruto në Kinë nuk paguajnë tatim për të ardhurat personale.

Komisioni Rregullator i Letrave me Vlerë i Kinës bëri të ditur që nisja e tregtimit të kontratave me zbatim të ardhshëm për naftën bruto luan një rol eksplorues për tregtimin e kontratave me zbatim të ardhshëm për mallrat e tjera. Ky lloj tregtimi mund të mbledhë përvoja për sa u përket rrugëve të hapjes, menaxhimit të taksave e të valutave të huaja, dërgimit të mallrave të depozituara në magazinat doganore dhe bashkëpunimit në kontrollin ndërkufitar. Në të ardhmen, këto përvoja mund të përdoren në tregtimin e kontratave me zbatim të ardhshëm për mallra të tjera, si minerali i hekurit, metalet me ngjyrë etj.

Zv. kryetari i Komisionit Rregullator të Letrave me Vlerë të Kinës Fang Xinghai bën të ditur që në fazën tjetër do të publikohen masa të reja hapjeje.

"Nisja e tanishme e tregtimit të kontratave me zbatim të ardhshëm për naftën bruto është një produkt me risi, si edhe një masë hapjeje, sepse kemi nisur drejtpërdrejt me një platformë ndërkombëtare. Më përpara, tregtimi i kontratave me zbatim të ardhshëm në Kinë bëhej së pari në tregun vendas dhe zgjerohej pasi arrinte në një nivel të përshtatshëm. P. sh., tregtimi i mineralit të hekurit menaxhohej nga institucionet e brendshme dhe në mënyrë të shpejtë tërhiqnim investitorët e huaj për të marrë pjesë në tregtimin e kontratave me zbatim të ardhshëm për hekurin, për ta shndërruar në një platformë ndërkombëtare. Krahas kësaj, tani po shohim mundësinë e tregtimit të kontratave me zbatim të ardhshëm për disa mallra të tjera. Për nivelin e hapjes, Komisioni Rregullator i Letrave me Vlerë do të publikojë disa masa të reja, të përafërta me ato të tregtimit të kontratave me zbatim të ardhshëm të naftës. Kështu, çmimet në tregun ndërkombëtar mund të pasqyrojnë më mirë gjendjen e kërkesës dhe ofertës në Kinë dhe kjo është në të mirë të zhvillimit të Kinës," thotë Fang Xinghai, zv.kryetari i Komisionit Rregullator të Letrave me Vlerë të Kinës.

(Jiang Lei)

Mrekulli