Reforma dhe Hapja, sekreti i zhvillimit të Kinës

2018-03-27 15:51:06 CRI Komenti juaj Printoni

Sivjet është 40-vjetori i fillimit të Reformës e Hapjes në Kinë, e cila ka pasur arritje të mëdha ekonomike dhe shoqërore gjatë këtij procesi. Profesori i Universitetit të Nju-Jorkut dhe fituesi i çmimit "Nobel" Micheal Spincer ka vlerësuar zhvillimin që ka arritur ekonomia e dytë më e madhe në botë, duke thënë: "Zhvillimi i Kinës mund të thuhet pa e tepruar se ka arritur një nivel shumë të spikatur."

Çfarë ka bërë Kina siç duhet?

Njerëzit pyesin shpesh se çfarë ka ndodhur në procesin e Reformës dhe Hapjes dhe çfarë ka bërë Kina në periudhën që prej fillimit të këtij procesi. Në pikënisjen e epokës së re, ekspertët dhe studiuesit e vendeve të ndryshme janë mbledhur në Forumin e Nivelit të Lartë për Zhvillimin 2018, duke shprehur opinionet e tyre për zhvillimin e shpejtë të Kinës gjatë 40 vjetëve të kaluar.

Zv.drejtori i Qendrës së Studimeve të Zhvillimit pranë Këshillit të Shtetit të Kinës Wang Yiming është i mendimit që, në të ardhmen, zhvillimi me cilësi të lartë do të jetë një refren kryesor i zhvillimit të Kinës.

Pas 40 vjetësh Reformë e Hapje, veçanërisht me sfidat e ndryshme brenda e jashtë vendit gjatë viteve të fundit, rregullimi strukturor, motorët e rritjes, makrobaza dhe mjedisi i tregut gjatë zhvillimit ekonomik të Kinës kanë pasur ndryshime të mëdha. Në këtë gjendje, sipas Wang Yiming-ut, rritja e cilësisë dhe e efektivitetit të zhvillimit ekonomik të Kinës do të jetë një element kryesor i zhvillimit.

"Në të ardhmen, mund të ketë pesë prirje kryesore. Së pari, ekonomia kineze do të vazhdojë gjendjen e mëparshme të shfaqur që nga fillimi i fazës së re, atë të zhvillimit me ritme të mesme e të larta. Së dyti, prodhimi i sektorëve tradicionalë po mbërrin gradualisht në nivelin maksimal. Së treti, procesi i urbanizimit do të vazhdojë të thellohet. Së katërti, kërkesa për energji dhe burimet kryesore minerare në mënyrë graduale do të arrijë në maksimum, ndërsa harxhimi i energjisë dhe lëshimi i gazit do të ndahet hap pas hapi nga rritja e GDP-së. Së pesti, përqindja e ekonomisë kineze në ekonominë botërore do të rritet në mënyrë të dukshme dhe ajo do të ketë një efekt më të fortë përhapjeje e do të lidhet më tej me ekonominë globale," thotë zv.drejtori i Qendrës së Studimeve të Zhvillimit pranë Këshillit të Shtetit të Kinës Wang Yiming.

Zhou Qiren, profesor në Shkollën Kombëtare të Zhvillimit pranë Universitetit të Pekinit, shprehet se sekreti i vërtetë i zhvillimit të Kinës është ulja e kostos së sistemit ekonomik:

"Arritjet e jashtëzakonshme të Kinës për sa i përket rritjes ekonomike janë në mënyrë të padiskutueshme rezultat i politikës së Reformës e Hapjes të nisur nga Ten Hsiao Pini. Sigurisht, arsyet e arritjeve të mëdha janë komplekse dhe njerëzit kanë mendime të ndryshme për këtë. Opinioni im është që Reforma e Hapja kanë ulur në masë të madhe koston e sistemit ekonomik të Kinës dhe kjo i ka dhënë mundësi këtij vendi më të madh në zhvillim dhe me kulturë të lashtë që të bëhet ekonomia me rritjen më të shpejtë në mbarë botën."

Profesori dhe drejtori i Qendrës së Ekonomisë së Re Strukturore pranë Universitetit të Pekinit Justin Yifu Lin thekson që zhvillimi i madh ekonomik i Kinës nuk është realizuar duke ndjekur modelin e vendeve perëndimore. Në vitin 1978, GDP-ja për frymë e Kinës ishte më e ulët se e vendeve subsahariane. Pas 40 vjetësh zhvillimi, reformat e sistemit të dyfishtë dhe zhvillimi i sektorëve me forcë pune intensive e kanë shndërruar Kinën në një vend me të ardhura të mesme.

"Magjia e Kinës nuk është arritur sipas 'recetës' së vendeve perëndimore, por duke shfrytëzuar përvojat e mëparshme. 'Katër dragonjtë aziatikë' nuk u zhvilluan sipas teorive ekonomike perëndimore. Të gjitha ato vende që bënë reforma privatizimi sipas Konsensusit të Uashingtonit kanë pasur zhvillim të ngadaltë. Arsyeja për këtë është se përshtatshmëria e teorive dhe e përvojave varet nga ngjashmëria e gjendjeve. Teoritë ekonomike të vendeve të zhvilluara mbështeten në kushtet ekonomike të tyre, të cilat janë të ndryshme nga të vendeve në zhvillim. Kështu, është e nevojshme që vendet në zhvillim të krijojnë teoritë e veta sipas gjendjes konkrete të tyre," thotë profesori Justin Yifu Lin.

Profesori i Universitetit të Kolumbias dhe fituesi i çmimit "Nobel", Joseph E. Stiglitz, thekson që suksesi i Kinës vjen nga strategjia e hapjes. Kina ka planifikuar me kujdes rendin dhe shpejtësinë e Reformës dhe Hapjes, gjë që, sipas tij, është kyçi i suksesit të këtij procesi. Krahas kësaj, edhe niveli i hapjes është bazuar te niveli i liberalizimit të tregut të kapitaleve. Fakti është që shumë vende janë përballur me paqëndrueshmëri të madhe në tregun financiar pas liberalizimit të shpejtë të këtij tregu, siç është edhe rasti i krizës financiare të vitit 2008.

"Kina e ka menaxhuar mirë nivelin e pjesëmarrjes së saj në procesin e globalizimit, prandaj, krahasuar me vendet e tjera, i ka shmangur me sukses shumë pasoja negative, si rritja e papunësisë në sektorin industrial dhe humbja e kontrollit mbi ekonominë. Në fakt, arsyeja e suksesit të Kinës është se ajo e sheh hapjen si një mjet e platformë dhe jo si një qëllim përfundimtar. Kështu, strategjia e hapjes e Kinës ka siguruar suksesin e zhvillimit të saj," thotë profesori Joseph E. Stiglitz.(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore