Li Xiangping-u, "baroni" i përpunimit të naftës

2018-03-27 15:50:11 CRI Komenti juaj Printoni

Presidenti dhe kryetari i bordit i Grupit Petrokimik "Dongming" të Shandong-ut Li Xiangping e shndërroi një rafineri të vogël shtetërore nafte në kompaninë më të madhe të rafinimit të naftës bruto në Kinë, ndërkohë që i ka zgjeruar interesat e biznesit të vet edhe në shumë fusha të tjera.

Li Xiangping ka lindur në vitin 1962 në Shandong të Kinës. Pas diplomimit, ai punoi së pari në një zyrë auditimi në Dongming po të Shandong-ut, kurse në vitin 1987 si kryellogaritar në një rafineri nafte, paraardhësja e Grupit Petrokimik "Dongming" .

Në vitin 2001, një kompani e kuotuar në bursë me qendër në Shangai i ofroi Li Xiangping-ut një marrëveshje mjaft të leverdishme që ai ta linte uzinën shtetërore që ishte në prag të falimentimit dhe të punonte për ta. Por Li vendosi të qëndronte dhe mori drejtimin e rafinerisë, duke e privatizuar më pas. Ai nisi të marrë kredi nga bankat për të rritur dhe për të përmirësuar kapacitetet e prodhimit dhe të shpërndarjes. Falë menaxhimit të mirë rafineria e Li Xiangping-ut u kthye në rafinerinë më të madhe private në Kinë brenda disa vjetësh.

Rafineritë private në Kinë morën një zhvillim të madh veçanërisht kur qeveria kineze nisi t'u jepte atyre leje për të importuar naftë bruto. Më parë këto rafineri mund të blinin vetëm nga gjigantët shtetërorë të naftës, si Korporata Kombëtare e Naftës e Kinës (CNPC) dhe "Sinopec".

Li Xiangping-u u bë iniciuesi i një aleance që do t'i ndihmonte rafineritë private të provincës Shandong të arrinin marrëveshje sa më të leverdishme me kompanitë e huaja tregtuese të naftës. Dhe kështu "Dongming"-u u bë një ndër 16 rafineritë përbërëse të kësaj aleance, të quajtur Korporata Energjetike e Rafinimit të Naftës e Shandong-ut, president i së cilës u zgjodh Li Xiangping-u.

Në vitin 2015, dy firma nga Katari investuan 5 miliardë dollarë amerikanë për të blerë 49 % të "Dongming"-ut, duke siguruar kapital për rritjen e mëtejshme të kompanisë.

Li Xiangping-u vuri në fokus edhe pikat e tregtimit të karburantit. Vetëm në Shandong ka më shumë se 6000 pika të tilla private, shumica nga të cilat zotërohen nga kompanitë private të rafinimit të naftës. "Dongming"-u planifikon të ndërtojë 1000 pika tregtimi karburanti në gjashtë provinca të Kinës. Për këtë qëllim, në shkurt të këtij viti, "Dongming"-u arriti një marrëveshje me gjigantin britanik BP për tregtimin me pakicë të karburantit në tre provinca: Shandong, Henan dhe Hebei.

"Kina ofron mundësi të jashtëzakonshme për rritjen e grupit BP", tha Dev Sanyal, zv.president ekzekutiv i BP-së për rajonet, duke përfshirë Azinë. "'Dongming'-u është një partner i fortë vendor dhe ne jemi të kënaqur që po punojmë me të për ta zgjeruar praninë tonë në Shangdong, Henan dhe Hebei, të cilat janë ndër provincat me rritjen më të shpejtë në Kinë."

Ndërkohë Li Xiangping-u theksoi: "Unë besoj se partneriteti ynë strategjik do të nxitë thellimin e mëtejshëm të reformës së sektorit të shitjes me pakicë të karburantit në Kinë. Ne shpresojmë se do të kemi një bashkëpunim të mirë me përfitime të ndërsjella dhe me epërsi përplotësuese."

Li Xiangping-u e ka diversifikuar në mënyrë të vazhdueshme biznesin e vet. Sot, me gjithë emërtimin e tij si grup petrokimik, "Dongming"-u është i përfshirë jo vetëm në rafinimin dhe tregtimin e naftës dhe industrinë petrokimike, por edhe në pasuritë e paluajtshme, investimet ndërkombëtare, arsim e kulturë, por duke mbetur sidoqoftë sipërmarrja më e madhe private e rafinimit të naftës në Kinë, me një kapacitet përpunimi 15 milionë tonë naftë në vit.

"Dongming"-u ka sot rreth 6 300 punonjës dhe pasuri me vlerë të përgjithshme 30 miliardë juanë. Që prej vitit 2007, "Dongming"-u renditet në listën e 500 kompanive kryesore kineze, duke u ngjitur vazhdimisht në këtë renditje dhe duke u renditur në vendin e 7-të në vitin 2016. Ndërkohë, "Dongming"-u është edhe ndër 100 kompanitë kryesore të industrisë petrokimike në botë. Kompania ka zyra të vetat në Pekin, Shangai, Hong-Kong e qytete të tjera të Kinës, si dhe jashtë vendit, në Singapor.

Përveç detyrës si president dhe kryetari i bordit i Grupit Petrokimik "Dongming", si edhe si president i Korporatës Energjetike të Rafinimit të Naftës të Shandong-ut, vitin e kaluar Li Xiangping-u u zgjodh zv.kryetar i Federatës së Industrisë dhe të Tregtisë së Kinës.

Mrekulli
Lajmet Kryesore