Pikat fokus të ekonomisë kineze në vitin 2018

2018-03-20 15:13:14 CRI Komenti juaj Printoni

Në raportin e punës së qeverisë të paraqitur në sesionin e parë të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës të këtij viti, janë paraqitur tetë pikat kryesore të zhvillimit ekonomik e shoqëror të Kinës në vitin 2018.

Zhvillimi me cilësi të lartë

Ekonomia kineze tani ndodhet në një gjendje pozitive e të qëndrueshme, e cila është më e mirë se parashikimi, megjithatë ende ekzistojnë disa probleme të pazgjidhura, si zhvillimi i pabalancuar dhe i pamjaftueshëm. Në këtë raport u theksua që nevojitet të nxitet zhvillimi me cilësi të lartë, të përcaktohet objektivi i zhvillimit të arsyeshëm dhe të përmirësohet shpërndarja e burimeve financiare. P. sh., sivjet objektivi për rritjen e GDP-së është vënë në rreth 6.5% dhe niveli i deficitit fiskal parashikohet të jetë i njëjtë me vitin e kaluar, 2.38 trilionë juanë. Ndërsa raporti i deficitit me GDP-në do të ulet në 2.6%, 0.4 pikë përqindjeje më pak se një vit më parë.

Drejtori i Departamentit të Studimeve Ekonomike në Akademinë e Qeverisjes të Kinës Zhang Zhanbin është i mendimit që këto shifra kanë si qëllim ruajtjen e funksionimit të ekonomisë kombëtare në një sferë të arsyeshme. Sipas tij, Kina u kushton tani më shumë rëndësi treguesve si punësimi, çmimi i mallrave, të ardhurat e qytetarëve dhe përmirësimi i mjedisit, si edhe parandalimit dhe zgjidhjes së rreziqeve të mundshme. Të gjitha këto tregojnë qëllimin e Kinës për zhvillimin me cilësi të lartë.

Reformat kanë si qëllimet përparimet e reja

Në raportin e sivjetshëm janë përfshirë reformat në fushat kyçe, si reforma e ristrukturimit të ndërmarrjeve shtetërore dhe ajo mbi aksionet e ndërmarrjeve shtetërore qendrore, thellimi i reformës së taksave, reforma për caktimin e përgjegjësive administrative dhe fiskale mes pushtetit qendror dhe atij vendor, reforma për përsosjen e sistemit të taksave vendore etj. Ekspertët vënë në dukje se të gjitha këto reforma të përmendura në raportin e punës janë një "kockë e fortë", kanë shumë vështirësi, por duhet medoemos të përballohen.

Kryetari i Akademisë së Shkencave Fiskale të Kinës, Liu Shangxi, thotë që, sa më shumë të thellohen reformat, aq më shumë duhet të rriten vullneti dhe durimi për kryerjen e tyre. Ai mendon se, vetëm kur të zbatohen siç duhet reformat në fushat kyçe, Kina mund të vazhdojë të krijojë dhe të konsolidojë gjendjen e re të zhvillimit me rritjen e dukshme të cilësisë e të efikasitetit, si edhe forcimin e dukshëm të stabilitetit dhe të vazhdueshmërisë.

Prodhim me hapa të shpejtë

Në raportin e punës së qeverisë është përfshirë zhvillimi i sektorëve, si ai i qarqeve të integruara, telekomunikacionit 5G, motorëve të aeroplanëve, automjeteve me energji të reja dhe materialeve të reja. Raporti e vuri theksin te krijimi i zonës pilot "Made in China 2025", me synim që të rritet në mënyrë të gjithanshme cilësia e prodhimit, duke ulur numrin e lejeve për prodhimin industrial.

Presidenti i grupit "Inspur" Sun Pishu vëren që produktet me cilësi të lartë janë një rrugë e rëndësishme për plotësimin e mangësive për sa i përket ofertës. Në raportin e punës u paraqit objektivi për ta kthyer Kinën në një vend të fuqishëm për sa i përket sektorit të prodhimit, të shmanget oferta joefikase dhe të ngrihet më tej cilësia në fushën e ofertës, për të nxitur ngritjen e sektorit kinez të prodhimit në një nivel të mesëm e të lartë.

Inovacion me shpejtësi të madhe

Inovacioni është motori i parë i zhvillimit. Në raportin e sivjetshëm të punës u shpall kryerja e reformës së sistemit të menaxhimit tekniko-shkencor, për ta kaluar fokusin e vlerësimit nga procesi te rezultati, si edhe u kërkua krijimi i një sistemi elastik për sa u përket rrogave dhe shpërblimeve për kërkuesit që marrin pjesë në projekte të rëndësishme tekniko-shkencore. Ndërkohë, Kina do të nxitë edhe ndërtimin e bazave pilot të sipërmarrjes e novacionit, me synim ngritjen e nivelit të risive.

Zv.drejtori i Drejtorisë së Teknologjisë të provincës Anhui, Luo Ping thotë që masat e reja të përmendura në raportin e punës së qeverisë përputhen me mendimet dhe me dëshirat e punonjësve. Zgjidhja siç duhet e të ashtuquajturit "problem i kilometrit të fundit" mund të nxitë gjallërinë e novacionit dhe të shpejtojë hapat për kthimin e Kinës në një vend të madh krijimi risish.

Konsumi fokusohet tek kërkesat e reja

Nga blerja në internet, deri te turizmi dhe automjetet e përdorura, në raportin e sivjetshëm janë shtjelluar jo vetëm makropolitikat, por u është kushtuar rëndësi edhe "xhepave" të qytetarëve.

Kryestudiuesi në Qendrën e Shkëmbimeve Ekonomike Ndërkombëtare të Kinës, Zhang Yansheng, shprehet që hollësitë që përmbahen në këtë raport dëshmojnë që PKK-ja dhe qeveria kineze po përshtaten me nevojat dhe kërkesat e reja të qytetarëve, po nxisin zhvillimin e konsumit dhe po forcojnë rolin bazë të konsumit për zhvillimin ekonomik.

Fshatrat, motor të ri të zhvillimit

Në raport vihet në dukje që sivjet Kina do të zbatojë me forcë të madhe strategjinë e lulëzimit të fshatrave, nëpërmjet nxitjes së reformës bujqësore në fushën e ofertës e zhvillimit të përgjithshëm të zonave rurale, dhe thellimit të gjithanshëm të reformës në fshat.

Sekretari i Partisë i fshatit Anjiamen në provincën Shanxi, Ning Qishui, thotë që për zhvillimin e fshatrave, infrastruktura ka rëndësi shumë të madhe. Me ndërtimin e rrugëve, përmirësimin e rrjetit të energjisë elektrike dhe instalimin e pajisjeve televizive e të telekomunikacionit, zhvillimi i zonave rurale do të realizohej me sukses.

Përpjekje të vazhdueshme për mbrojtjen e mjedisit

Për të ruajtur mjedisin, në raportin e sivjetshëm është vënë në dukje se do të bëhen përpjekje për uljen me 3% të lëshimit të dioksidit të sulfurit dhe të oksidit të azotit dhe në zonat kryesore të vendit niveli i PM2.5 do të ulet më tej.

Lidhur me këtë, rektori i Universitetit të Inxhinierisë të Xian-it Gao Ling u shpreh që përmirësimi i mjedisit ekologjik vjen nga bashkërendimi i punës së palëve të ndryshme. Nëse të gjithë bëjnë përpjekje të vazhdueshme, me siguri lufta kundër ndotjes do të fitohet dhe do të arrihet një Kinë me qiell blu, tokë të gjelbër dhe ujë të pastër.

Niveli i jetesës, fokusimi tek kërkesat e qytetarëve

Raporti i punës përmban shumë faqe lidhur me nevojat e jetës së qytetarëve. P. sh., për strehimin, është ritheksuar që banesat janë për të jetuar në to dhe jo për spekulim. Në këtë sektor do të krijohet një sistem afatgjatë me kontroll të saktë, të mbështetur në gjendjen e tanishme të krahinave të ndryshme. Krahas kësaj, është propozuar që të rritet pragu i pagesës së taksës për të ardhurat personale dhe që të pakësohen shpenzimet për arsimin e fëmijëve dhe për sëmundjet kryesore.

Liang Qianquan është pronare e një dyqani në "Taobao.com". Ajo shprehet që në raport mishërohet plotësisht koncepti i zhvillimit me popullin në fokus. Qeveria kineze do të përpiqet të përmbushë kërkesat konkrete të njerëzve, si punësimi e nisja e biznesit, arsimi i barabartë e cilësor dhe zgjidhja e përshtatshme e problemit të banesave.

(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore