Zhou Furen-i, sipërmarrësi që dinte si "të gjente para"

2018-03-20 15:10:04 CRI Komenti juaj Printoni

Sipërmarrësi nga Kina Zhou Furen ka qenë kryetari dhe menaxheri i përgjithshëm i Grupit "Xiyang", një prej prodhuesve më të mëdhenj të magnezit dhe të plehrave kimike në botë. Gjithçka ka nisur nga një fshat i vogël e i varfër, i cili tani është bërë një nga fshatrat më të pasur në Kinë, ndërsa vetë Zhou Furen-i u bë një miliarder. Vitin e kaluar ai u nda nga jeta për shkak të një sëmundjeje, duke lënë pas emrin e një biznesmeni të suksesshëm.

Zhou Furen-i lindi në vitin 1957 në Xiyang të provincës Liaoning të Kinës Verilindore. Xiyang-u në atë kohë ishte një fshat i varfër e panjohur, ndërsa sot njihet si vendi ku e ka selinë kompania me të njëjtin emër.

Kur Zhou Furen-i ishte vetëm 22 vjeç, e caktuan në krye të brigadës së prodhimit, sepse drejtuesit e fshatit i vunë re aftësitë e tij për të "gjetur para", siç ishte shprehja në atë kohë, dhe për ta nxjerrë kështu fshatin nga varfëria e madhe. Dhe nuk kishin gabuar. Zhou e kishte të qartë se Xiyang-u malor e kishte të vështirë të bënte para me anë të bujqësisë, teksa mund të shfrytëzonte pasuritë e vet minerare, sidomos magnezin.

Vendimi i Zhou Furen-it për ta kaluar fokusin nga bujqësia te nxjerrja e magnezit ishte një sukses i vërtetë: të ardhurat e fshatit brenda një viti u dyfishuan.

Në vitin 1988 Zhou Furen-i krijoi atë që më vonë do të bëhej Grupi "Xiyang". Vetëm në vitin e parë kompania eksportoi magnez me vlerë 7.2 milionë dollarë. Më pas Zhou vendosi që prodhimi i magnezit me cilësi të lartë do të ishte rruga ku do të ecte në të ardhmen kompania e tij. Megjithatë, sasia e parë e magnezit 98 % të pastër që prodhoi "Xiyang"-u nuk pati shitje të mirë. Stoku i mbetur u fut në depo, por Zhou Furen-i besonte se produkti do të shitej. Prandaj kompania e tij nuk reshti së prodhuari magnez të pastër, aq sa deri në vitin 1994, kapaciteti i prodhimit të magnezit të pastër nga "Xiyang"-u zinte gjysmën e prodhimit të përgjithshëm botëror. Përsëri vendimi i Zhou Furen-it ishte largpamës. Në atë kohë, shkritoret e huaja filluan të përdorin magnez me cilësi të lartë. Aftësia e kompanisë "Xiyang" për t'i furnizuar ato do të ishte ndër të tjera edhe shumë fitimprurëse. Në vitin 1995, shitjet e "Xiyang"-ut arritën në 500 milionë juanë (79 milionë dollarë) për herë të parë.

Në vitin 1997 Zhou Furen-i e privatizoi kompaninë, duke e ristrukturuar atë dhe duke e quajtur Grupi "Xiyang". Ndërsa tregu i magnezit filloi rënien, hapi tjetër që duhej të bënte Zhou Furen-i ishte të gjente sektorë të rinj për të investuar. Grupi "Xiyang" filloi kështu prodhimin e plehrave kimike, duke krijuar në vitin 2000 bazën më të madhe të prodhimit të plehrave kimike në Kinë, që pas tre vjetësh arriti të sigurojë 300 milionë dollarë fitime për "Xiyang"-un.

Në vitin 2002 "Xiyang"-u hyri edhe në industrinë e çelikut, duke filluar blerjen e uzinave të ndryshme të çelikut në provincën Liaoning, për t'u shtrirë më pas edhe jashtë vendit, pikërisht në Rusi.

Zhou Furen-i është shprehur se një prej arsyeve të suksesit të kompanisë së tij është krijimi i risive. "Kemi investuar shumë për sa i përket inovacionit në produkte dhe kërkimeve mbi energjitë e reja. Ne e kemi filluar si një sipërmarrje rurale dhe tani jemi një kompani ndërkombëtare me uzina dhe miniera jashtë vendit. Ne kemi mbajtur një qëndrim inovativ ndaj teknologjisë dhe burimeve," ka thënë ai.

Në vitin 2010 Zhou Furen-i u shpall "Sipërmarrës i vitit në Kinë" nga firma prestigjioze "Ernst & Young".

Megjithëse pasuria e tij arriti në një kohë në 1 miliard dollarë, Zhou Furen-i kurrë nuk u largua nga fshati i vet i lindjes. Grupi "Xiyang" dhe fshati u bënë sinonimë të njëri-tjetrit. Zhou Furen-i ka qenë i përkushtuar ndaj bamirësisë, duke u siguruar banorëve të fshatit arsim dhe shërbim shëndetësor falas.

"Një sipërmarrje është e pandarë nga shoqëria. Çdo sipërmarrje duhet të mbajë përgjegjësinë e saj shoqërore. Ne kemi investuar në ndërtimin e infrastrukturës vendore, gjë nga e cila besoj se do të përfitojnë banorët dhe shoqëria në një periudhë afatgjatë. Rritja e një sipërmarrjeje mund të ndihmojë në nxitjen e përparimit shoqëror," është shprehur Zhou Furen-i.

Por Grupi "Xiyang" nuk e ka kufizuar bamirësinë vetëm brenda fshatit Xiyang, por e ka shtrirë atë në rang kombëtar, veçanërisht për sa i përket ndihmës në raste fatkeqësish dhe sidomos arsimit. Sepse Zhou Furen-i nuk dëshironte që ndonjë fëmijë ose i ri ta ndërpriste arsimin për shkak të varfërisë, varfëri të cilën ai e provoi vetë kur ishte fëmijë.

(Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore