Kina, vendi me shtresën e mesme më të madhe në botë

2018-03-13 16:00:47 CRI Komenti juaj Printoni

Në raportin e punës së qeverisë të vitit 2018, vihet në dukje që në Kinë është formuar shtresa e mesme më e madhe në botë. Kryetari i Komitetit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës të Kinës He Lifeng bëri të ditur para mediave që tani në Kinë, sipas statistikave fillestare, ka mbi 400 milionë veta me të ardhura të mesme dhe ky numër është në rritje të shpejtë.

Ekspertët janë të mendimit që kjo është një arritje e madhe e zhvillimit ekonomik të Kinës dhe do të vazhdojë të sjellë përfitime për Kinën dhe për botën. Ata këshillojnë që të thellohet më tej reforma e shpërndarjes së të ardhurave dhe të zgjerohet më tej shtresa e mesme, duke u përqendruar tek shtimi i aftësisë së vetidentifikimit nga personat që i përkasin tashmë kësaj shtrese.

Kina ka shtresën e mesme më të madhe në botë. Ku është baza për ta pohuar këtë?

Në raportin e punës së qeverisë të mbajtur nga kryeministri kinez Li Keqiang vihet në dukje se gjatë pesë vjetëve të fundit, niveli i jetesës së popullit është përmirësuar pandërprerë dhe të ardhurat e banorëve kanë shënuar rritje mesatare me 7.4 % në vit, duke kaluar përqindjen e rritjes së ekonomisë kombëtare dhe duke bërë kështu që në Kinë të formohet shtresa e mesme më e madhe në botë.

Në fakt, në mbledhjen e punës ekonomike të Komitetit Qendror të PKK-së që u zhvillua në fund të vitit 2017, është bërë vlerësimi që në Kinë është formuar shtresa më e madhe me të ardhura të mesme. Edhe z. He Lifeng pohoi që shtresa e mesme në Kinë është më e madhja në botë dhe po rritet shpejt.

Atëherë, ka shumë prej atyre që pyesin cili është standardi për përcaktimin e të ardhurave të mesme. Në fakt, studiuesit kanë mendime të ndryshme mbi këtë. Zv.kryetari i Shoqatës së Studimeve mbi Punën të Kinës Su Hainan bën të ditur që tani për këtë nuk ka një standard të unifikuar, por ka disa standarde të ndryshme. Sipas këtyre standardeve të ndryshme, edhe numri i atyre që i përkasin shtresës së mesme është i ndryshëm.

Drejtori i Institutit të Strategjisë së Zhvillimit Shoqëror pranë Akademisë së Shkencave Shoqërore, Zhang Yi, u shpreh: "Nëse përllogaritja bëhet sipas standardit absolut 'të ardhura 20-100 dollarë amerikanë në ditë', në Kinë ka mbi 200 milionë njerëz me të ardhura të mesme, ndërsa me standardin relativ 'të ardhura sa mesatarja e të ardhurave të disponueshme deri në trefishin e kësaj mesatareje', kjo shtresë do të ishte mbi 300 milionë veta. Atëherë, qoftë me standardin absolut, qoftë me atë relativ, shtresa me të ardhura të mesme në Kinë është më e madhe se popullsia e përgjithshme e shumë vendeve të zhvilluara. Për këtë arsye, mund të themi që Kina është vendi me shtresën e mesme më të madhe në botë."

Çfarë do të thotë "shtresa e mesme më e madhe në botë"?

Në Kinë është formuar tashmë shtresa me të ardhura të mesme më e madhe në botë. Çfarë do të thotë kjo? Studiuesi i Institutit të Zhvillimit Botëror në Qendrën e Studimit të Zhvillimit pranë Këshillit të Shtetit, Ding Yifan, shtjellon: "Shtresa e mesme ka një dëshirë dhe aftësi të madhe për konsum. Kina ka tashmë shtresën e mesme më të madhe në botë. Kjo jo vetëm është një arritje e madhe e zhvillimit ekonomik e shoqëror të Kinës, por edhe vërteton që ekonomia kineze ka tashmë një motor të ri rritjeje dhe se rritja ekonomike do të vazhdojë të nxitet me anë të një konsumi më të madh. Një e tillë tregon gjithashtu që tregu kinez ka aftësi të madhe zgjerimi dhe se ekonomia kineze ka një elasticitet të madh, sepse me një shtresë kaq të madhe konsumatorësh dhe me shfrytëzimin e plotë të potencialit të konsumit të brendshëm, ekonomia kineze mund të përballojë shumë sfida, edhe nëse ndeshet me ndonjë problem nga jashtë."

Edhe kryetari i Komitetit Kombëtar të Reformës dhe Zhvillimit të Kinës, He Lifeng, është i mendimit që shtresa e mesme kineze renditet në vendin e parë në botë dhe ende vazhdon rritjen e shpejtë. Kjo, sipas tij, ka krijuar kushte dhe mjedis gjithnjë e më të mirë për zhvillimin e tregut vendas.

"Tani ekonomia kineze është integruar thellësisht me ekonominë botërore dhe ekonomia botërore po integrohet me tregun e konsumit në Kinë, i cili po zhvillohet shumë shpejt. Në nëntor të këtij viti do të zhvillohet në Shangai Panairi Ndërkombëtar i Importit i Kinës, gjë që jo vetëm pasqyron vendosmërinë e Kinës për integrimin e thellë me ekonominë botërore, por edhe tregon që hapja e Kinës do të jetë më e madhe me politika më të hapura. Ndërkohë, kjo do të thotë po ashtu që kemi vullnet dhe besim në rritjen e nivelit të konsumit të shtresës me të ardhura të mesme dhe se niveli i konsumi do të zgjerohet më tej," thotë He Lifeng.

Nga ana e tij, Su Hainan është i mendimit që, me një shtresë kaq të madhe me të ardhura të mesme, Kina do të krijojë përfitime jo vetëm për veten, por edhe për vendet e tjera.

"Zgjerimi i shtresës me të ardhura të mesme është një mbështetje e fuqishme për kalimin e ekonomisë kineze nga rritja e shpejtë në zhvillimin me cilësi të lartë. Një gjë e tillë është në të mirë të përmirësimit të strukturës së burimeve njerëzore dhe të harmonisë e qëndrueshmërisë shoqërore. Përveç kësaj, kjo do të nxitë më shumë njerëz të shkojnë jashtë vendit për turizëm, çka do të sjellë përfitime për rritjen ekonomike të vendeve të tjera," thotë Su Hainan, zv.kryetari i Shoqatës së Studimeve mbi Punën të Kinës.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Studimeve mbi Shpërndarjen e të Ardhurave pranë Universitetit Normal të Pekinit Li Shi vëren që rritja dhe zgjerimi i pandërprerë i shtresës së mesme jo vetëm simbolizon zhvillimin shoqëror, por edhe është baza e qëndrueshmërisë shoqërore dhe do të sjellë ndikime pozitive për ekonominë dhe shoqërinë. Ai parashikon gjithashtu që, me ritmet e tanishme, deri në vitin 2030, shtresa e mesme në Kinë do të zërë 60 % të numrit të popullsisë kineze.

Drejtori i Institutit të Strategjisë së Zhvillimit Shoqëror pranë Akademisë së Shkencave Shoqërore Zhang Yi shprehet që, me shtimin e shtresës me të ardhura të mesme, edhe niveli e standardi i konsumit janë në rritje të vazhdueshme. Kjo jo vetëm ka nxitur revolucionin në fushën e konsumit dhe ndryshimin e strukturës së konsumit, por edhe do të përmirësojë strukturën ekonomike. Ndërkohë, grumbullimi i kapitalit njerëzor do të jetë në favor të inovacionit dhe përparimit teknologjik.

Kurse Li Shi thekson që përcaktimi i shtresës me të ardhura është bazuar në standardin objektiv, ndërsa nga ana subjektive, disa njerëz ende nuk e kuptojnë që ata vetë i përkasin shtresës së mesme, sepse ata kanë një nivel vetidentifikimi të pamjaftueshëm.

Lidhur me këtë, Li Shi sugjeron: "Duhet të vazhdojë zgjerimi i shtresës me të ardhura të mesme, duke i ndihmuar qytetarët të kenë një aftësi më të mirë vetidentifikimi. Kjo kërkon përpjekje të vazhdueshme për rritje të qëndrueshme ekonomike, ngritjen e nivelit të sigurimeve shoqërore dhe më shumë shërbime publike me cilësi të mirë."

(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore